Mendime
Idriz Zeqiraj: Paradoksalisht, BE-SHBA ngulmojnë për Asociacionin, kancer i Kosovës!
E shtune, 04.11.2023, 07:42 PM
PARADOKSALISHT, BE-SHBA NGULMOJNË PËR ASOCIACIONIN, KANCER I KOSOVËS!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Pesëshja
BE-SHBA zbriti, sërishmi, në Prishtinë, koxha me bujë. Megjithatë, asgjë e re.
Edhe pse krerët shtetërorë e partiakë, pozitë dhe opozitë, janë të njëzëshëm se
"pas 24 shtatorit 2023, gjithçka është ndryshe", rrjedhimisht, as
dialogu nuk mund të vazhdojë si më parë, pra, duhet qasje krejtësisht tjetër.
Aksioni
i armatosur shtetëror i Serbisë, ishte me shumë se një sulm terrorist, ishte
agresion kundër shtetit të Kosovës. Dhe, kjo dëshmohet me angazhimin njerëzor
ushtarak dhe arsenalin e armatimit special, për ta realizuar një sulm frontal,
me përmasa ushtarake ofenzive, me qëllimin kriminal ndarjen, pushtimin e veriut
të Kosovës.
Ky
fakt do të ishte i mjaftueshëm, për emisarët e BE-së dhe të SHBA-së, që ta
kishin një qasje të unifikuar me shtetarët e Kosovës, për dialogun e mëtejmë,
duke e hequr njëherë e përgjithmonë -Asociacionin- nga agjenda e bisedimeve,
sepse Asociacioni është kancer për Kosovën.
Por,
çfarë mesazhi dha delegacioni i pesëshës në fjalë? Asnjë ndryshim nga
deklarimet paushalle të para agresionit të 24 shtatorit! I pari foli
ndërmjetësuesi, shumë i përfolur për njëanëshmëri, me emrin shumë cinik e hiç
objektiv, Mirosllav Lajçak. Pas një dënimi verbal klishe, rutinor, për sulmin e
armatosur të grupit serb në Banjskë të Zveçanit, vazhdoi me shpalosjen e
porosive për qeverinë e Kosovës. Ndër mesazhet e para ishte: "Kosova duhet
ta bëjë -Asociacionin- menjëherë!" Pra, qëndrimi i tij, gjithnjë në emër
të delegacionit, ishte sikur nuk ka ndodhur asgjë më 24 shtator në veriun e
Kosovës!
Por,
çfarë pritej të thonin e vepronin emisarët e BE-së dhe SHBA-së, pas agresionit
të armatosur të Serbisë ndaj Kosovës, me
24 shtator 2023, në Banjskë të Zveçanit:
1)
Ndërhyrjen e armatosur duhet ta emërtonin me falorin adekuat -agresion
fashizoid- të Serbisë kundër shtetit të pavarur të Kosovës, të njohur edhe nga
Gjykata Ndërkombëtare;
2)
T`i vinin sanksione të ashpra Serbisë, duke ia hequr ato Kosovës, me
kërkim-falje, si të padrejta, arbitrare dhe një krim i turpshëm ndërkombëtar;
3)
Të hapet menjëherë Ura e Ibrit, për lëvizje të lirë edhe për automjete. Dhe,
presidenti Macron t`i kërkojë falje, në emër të popullit francez, për ndarjen
24 vjeçare të Mitrovicës, popullit të Kosovës;
4)
Të vendoset ushtria e Kosovës, jo për kontrolle rutinore, por për ruajtjen
klasike të kufirit shtetëror, me hapësirën 500 + 500 metra, reciprokisht, tokë
të dy shteteve, të pastruar nga bimësia dhe e ndriçuar, me ngritje karaullash,
në gjatësinë lineare tej 365 kilometra, aktualisht, nën monitorimin e KFOR-it,
duke e koracuar dhe pamundësuar çfarëdo ndërhyrje diversioniste, të armatimit
apo të kontrabandës;
5)
Plani franko-gjerman është skajshëm asimetrik, në raport me Serbinë, andaj
duhet të korrigjohet, deri në përmasën e simetrisë dy-palëshe;
6)
Të aplikohen menjëherë dhe pa kushte targat e Kosovës në të gjithë territorin e
Republikës të Kosovës;
7)
Shpallja e jashtëligjshme e Partisë "Lista Serbe", me motivacionin:
a)
Për krimet në vijimësi, ndaj komunitetit serb, në veçanti, dhe të komuniteteve
tjera, në përgjithësi, në veriun e Kosovës;
b)
Sulmet banditeske, ne koordinim me të ashtuquajturën "Shoqërinë
Civile" dhe "Brigada e Veriut";
c)
Vrasja e policit Enver Zymeri në Doganën e Kosovës në veri dhe rrezikimi i
kolegëve të tij;
d)
Djegia e Doganës të Kosovës;
e)
Vënia e përsëritur të barrikadave;
f)
Djegia e veturave dhe të pasurive të qytetarëve, në veriun e Kosovës;
g)
Protestat e dhunshme të 29 majit 2023 dhe në vazhdim, në Zveçan dhe komunat
tjera në veriun të Kosovës, ku janë sulmuar me gurë, stupca, plumba policia,
ushtarakët e KFOR-it, dy syrësh nga plagët e marrura, u janë amputuar këmbët;
h)
Goditja e pakontrolluar e gazetarëve, kameromanëve me mjete të forta, dhe të
popullatës vendore; i) Dhe, për të kulmuar krimet serike, më 24 shtator 2023,
me urdhër të Beogradit zyrtar, përmes strukturave të saj speciale, bëri agresion
ndaj shtetit të Kosovës, me ç`rast mbeti i vrarë rreshteri i Policisë të
Kosovës,
Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy kolegët e tij.
j)
Arsye shtesë është se nënkryetari i kësaj partie, Millan Radioçiq, aleat besnik
i presidentit Aleksandër Vuçiq, mori përsipër drejtimin e agresionit ndaj
shtetit të Kosovës, më 24 shtator 2023!
Realisht,
nuk pritej nga delegacioni i pesëshës përmbushja e 7(shtatë) kërkesave. Dhe,
kjo dëshmohet me deklaratën refuzuese të Lajçak, të bërë në emër të
delegacionit, por, aprovuese për Asociacinin! "E theksuam nevojën për të
themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë pa vonesë!"
Ndërkohë,
përgjigja e kryeministrit Albin Kurtit, dhënë Lajçakut me shokë, ishte e
drejtëpërdrejtë logjike dhe parimore: "Procesi i dialogut duhet të
rimendohet pas sulmit të 24 shtatorit". Dhe, ende më qartë: "Është i
nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re". Atëherë, " i mbetet
të zotit të nxjerrë gomarin nga balta",- konstaton populli. Pra, qeveria e
Kosovës duhet të ngulmojë për përshpejtimin e bashkimit të Mitrovicës, duke i
përmbushur, të paktën, të 7(shtatë) kërkesat e shënuara më lartë.
Është
koha që qeveria e Kosovës të vendosë: "Ose hunin, ose tirqit!" Të
rreket me përkushtim dhe guxim, për realizimin e këtyre çështjeve dhe të
tjerave në shërbim të sovranitetit të Kosovës. Kujdes, çështjen e shpalljes të
paligjshme të "Listës Serbe", në veçanti, por edhe të çështjeve të
tjera, në përgjithësi, duhet konsultim me SHBA-në dhe miqtë tanë evropianë,
edhe pse në numër janë të paktë.