Mendime
Adil Fetahu: Elaborati i Vasa Çubrilloviqit - Dëbimi i Shqiptarëve
E hene, 23.10.2023, 07:57 PM
ELABORATI I VASA ÇUBRILLOVIQIT: DËBIMI I SHQIPTARËVE
Nga Adil FETAHU
Profesori i Fakultetit të
Arteve në Beograd dhe njëni nga udhëheqësit e Akademisë së Shkencave dhe Arteve
të Serbisë, Vasa Çubrilloviq, ka bërë dy projekte (elaborate) për zhdukjen e
shqiptarëve nga trojet e tyre etnike. Elaboratin e parë e ka paraqitur në
Klubin Kulturor Serb në Beograd, më 7 mars 1937, dhe të dytin në përfundim të
Luftës së Dytë Botërore, paraqitur qeverisë së re Serbisë-Jugosllavisë (3
nëntor 1944). Ai shqiptarët i quan element i huaj, ‘pykë e rrezikshme’ të cilën
duhet hequr nga shteti i Serbisë.
Elaborati i vitit 1937,
përmban dhjetë kapituj:
1.Dëbrimi i shqiptarëve
2. Problemi i kolonizimit të
trevave jugore
3. Përmbledhje
4. Problemet ndërkombëtare
të kolonizimit
5. Mënyra e zhvendosjes
6. Organizimi i shpërnguljes
7. Popullimi i rajoneve të
shpopulluara
8. Aparati i kolonizimit
9. Financimi
10.Përfundimet.
Për ata që nuk i kanë lexuar
elaboratet të atij racisti e nacisti
famëkeq, përfaqësues eminent i elitës së
inteligjencës serbe, për këtë shkrim shkëputëm dy kapitujt më të shkurtër nga
Elaborati i parë i Çubrilloviqit: ‘Mënyra e shpërnguljes’, dhe ‘Përfundimet’,
prej të cilëve merret vesh tërë qëllimi i zhdukjes së shqiptarëve me metodat më brutale të shtetit të Sërbisë (e
Jugosllavisë).
Mënyra e
shpërnguljes
‘’Sikurse e kemi cekur tashmë, shpërngulja në masë
e shqiptarëve nga trekëndëshi i tyre është e vetmja rrugë. Për ta shpërngulur
krejt një popull, kushti i parë është që të krijohet një gjendje psikoze e
përshtatshme. E kjo mund të bëhet në disa mënyra.
Tashmë është e ditur se
masat myslimane përgjithësisht ndikohen lehtë sidomos nga feja dhe i
nënshtrohen bestytnisë dhe fanatizmit. Prandaj, fillimisht do t’i bëjmë për vete klerikët dhe njerëzit me ndikim, me
para ose me kërcënime, ashtu që ata të përkrahin shpërnguljen e shqiptarëve.
Duhen gjetur, sa më shpejt që të jetë e mundur, agjitatorë nga Turqia, nëse ajo
do të na i japë, për ta promovuar shpërnguljen. Ata duhet t’i lavdërojnë
bukuritë e tokave të reja në Turqi, si dhe jetën e lehtë dhe të rehatshme që
bëhet atje, dhe duhet ta ndezin fanatizmin fetar te masat dhe ta ngjallin
krenarinë në shtetin turk. Shtypi ynë mund të ndihmojë jashtëzakonisht, duke
përshkruar se me sa lehtësi u zhvillua evakuimi u turqve nga Dobruxha dhe me sa
lehtësi u vendosën ata në tokat e reja.
Informata të këtilla do të krijonin gatishmërinë e kërkuar të masave shqiptare
për t’u shpërngulur.
Mënyra tjetër do të ishte
detyrimi nga aparati shtetëror. Ligji duhet zbatuar me përpikmëri sa për ta
bërë qëndrimin e shqiptarëve të padurueshëm: gjobat, burgosjet, zbatimi i egër
i urdhëresave të policisë, ndalimi i kontrabandës, prerja e pyjeve, dëmtimi i
bujqësisë, lënja e qenëve zgjidhur, puna e detyrueshme dhe mjete të tjera që
mund të shpikë një forcë policore me përvojë.
Nga pikëpamja ekonomike, kjo
do të duhej të përfshinte refuzimin e
njohjes së tapive të vjetra të tokës. Puna e regjistrimit të tokës duhet të
përcillet që nga fillimi me vjeljen e pamëshirshme të taksave dhe detyrimin që
të shlyhen të gjitha borxhet private dhe publike, marrjen e të gjitha kullosave
shtetërore apo komunale, shfuqizimin e koncesioneve, tërheqjen e lejeve për
ushtrimin e profesionev, pushimi nga puna në zyrat shtetërore, private apo
komunale, etj. – që të gjitha këto do ta
shpejtojnë procesin e shpërnguljes. Masat në fushën e shëndetësisë duhet të
përfshijnë zbatimin e rreptë të të gjitha dispozitve, madje edhe brenda
shtëpive; rrëzimin e mureve dhe gardhiqeve të larta të shtëpive, si dhe
zbatimin e rreptë të masave veterinare, që do të rezultojnë me ndalimin e
shitjes së bagëtive në treg, etj, etj.
Krejt këto mund të zbatohen
në formë praktike dhe të efektshme. Shqiptarët janë të ndjeshëm sa i përket
fesë, prandaj edhe në këtë pikëpamje duhet të keqtrajtohen shumë. Kjo mund të
arrihet me keqtrajtimin e klerikëve të tyre, shkatërrimin e varrezve, ndalimin
e poligamisë dhe zbatimin e rreptë të ligjit që i detyron vajzat të ndjekin
shkollën fillore kudo që janë.
Edhe inisiativa private mund
të ndihmojë shumë në këtë drejtim. Duhet t’u shpërndajmë armë kolonëve tanë
sipas nevojës. Format e vjetra të veprimit çetnik duhet të organizohen dhe do
të mbështeten nga shteti në mënyrë të fshehtë. Në veçanti, do të organizohet
një vërshim i malazezëve në kullotat malore për të shkaktuar një luftë të gjerë
me shqiptarët në Metohi. Kjo luftë duhet të përgatitet dhe të inkurajohet nga
njerëzit tanë të besueshëm. Kjo mund të arrihet lehtë, ngase shqiptarët vërtetë
janë ngritur në këmbë. E gjithë kjo mund të paraqitet si një konflikt mes
klanesh dhe po të jetë nevoja, mund t’u përshkruhet arsyeve ekonomike.
Në fund, mund të nxiten trazira
lokale. Ato pastaj do të shtypen me gjak, me mjetet më të efektshme; kolonët
nga klanet malazeze dhe çetnikët, më parë sesa me ushtri.
Mbetet edhe një metodë, të
cilën Serbia e ka zbatuar me efekt të madh praktik pas vitit 1878, dhe kjo
është shkrumbimi i fshatrave dhe i lagjeve të shqiptarëve nëpër qytete, në
fshehtësi (...).
P ë r f u
n d i m e t
Duke marrë parasysh krejt
çfarë u tha, nuk është rastësi që gjatë shqyrtimit të kolonizimit në jug,
besojmë se mënyra e vetme efikase e zgjidhjes së këtij problemi është dëbimi në
masë i shqiptarëve. Kolonizimi gradual nuk ka arritur sukses në shtetin tonë, e
as në ndonjë shtet tjetër. Nëse shteti do që të ndërhyjë në favor të popullit
të vet në luftën për tokën, mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse vepron brutalisht.
Përndryshe, autoktonët, që i kanë rrënjët në vendlindje dhe që ndihen si në
shtëpi të vet, gjithmonë do të jenë më të fuqishëm sesa kolonët. Në rastin
tonë, duhet ta kemi parasysh këtë fakt, ngase kemi të bëjmë me një racë të
guximshme, rezistuese dhe pjellore, të cilën i ndjeri Cvijiq e kishte
përshkruar si më depërtuesin në Ballkan. Nga 1870 deri më 1914, Gjermani shpenzoi miliarda marka për
kolonizimin gradual të territoreve të veta lindore, duke blerë tokë nga
polakët, porse lindshmëria e grave polake i mundi organizimin dhe paratë
gjermane. Kështu, Polonia e ktheu prapa Poznanin e vet më 1918. Shënimet tona
nga periudha 1921 – 1931 tregojnë se lindshmëria e grave shqiptare na e mundi
edhe politikën tonë kolonizuese. Duhet të nxjerrin përfundime nga kjo dhe duhet
ta bëjmë shpejtë, përderisa ka ende kohë për t’i korrigjuar gjërat.
E gjithë Evropa është në
kaos. Nuk e dimë se çfarë do të sjellin ditët dhe netët në vijim. Edhe
nacionalizmi shqiptar në territoret tona po rritet. Poqese ndodh një luftë
botërore, apo një revolucion shoqëror, e që të dyja janë të mundshme në të
ardhmen e afërt, atëherë nëse situata mbetet kështu çfarë është, do t’i
rrezikonte territoret tona në jug. Qëllimi i këtij dokumenti është që të
parandalojmë këtë gjë’’.