Mendime
Adil Fetahu: Rrethimi dhe dorëzimi i Shkodrës (1912-1913)
E merkure, 18.10.2023, 07:58 PM
Tema historike
RRETHIMI DHE DORËZIMI I SHKODRËS (1912-1913)
Nga Adil FETAHU
Fillimi i Luftës së Parë Ballkanike
Duke vërejtur dobësimin e
Perandorisë Osmane, shtetet e Ballkanit: Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali Zi,
të nxitura nga Rusia, lidhën aleancë për ta sulmuar Turqinë e ndarë tokat që do
t’i pushtonin. Mali Zi, edhepse i fundit iu bashkua aleancës, ishte i pari që i
shpalli luftë dhe sulmoi Turqinë, duke filluar kështu Luftën e Parë Ballkanike.
Sipas kronikës së At Justin
Rrotës, botuar në librin e tij: Ditët e fundit të Turqisë në Shkodër,
ase rrethimi i qytetit 1912-1913, Lufta e Parë Ballkanike ka filluar më 8
tetor 1912, kur Mali Zi i shpalli luftë
Turqisë dhe menjëherë, të nesërmen sulmoi Tuzin dhe dogji fshatrat shqiptare rreth kufirit, por mësymjen
më të madhe e ndërmori më 11 tetor, duke u përpjekur të marrin majën e
Taraboshit, si pikë strategjike për ta sulmuar pastaj qytetin e Shkodrës. Forcat
e ushtrisë turke ishin përgatitur e barrikaduar mirë për rezistencë, ashtu që
nuk e lejuan ushtrinë malazeze të depërtojë. Sipas të dhënave zyrtare turke,
thuhet se në atë betejën e parë u vranë 800 ushtarë malazezë, ndërsa nga forcat
turke u vranë 27 veta, turqë e shqiptarë, ndër të cilët edhe majori Sadedin
Beu, i cili komandonte forcat e regjimentit në atë sektor të mbrojtjes.
Në kronikat serbe e malazeze jepen data tjera për shpalljen dhe
fillimin e Luftës së Parë Ballkanike. Oficeri i ushtrisë malazeze, Radule Simov
Brajaçiq, i cili ka qenë komandant i një njësia të ushtrisë malazeze, në
Memoaret e tij, thotë se krajli i Malit të Zi i shpalli luftë Turqisë më 25
shtator 1912, ndërsa mësymjen e parë e ka ndërmarrë më 1 tetor, në një sulm të
përgjithshëm në Vraninë, Shipçani e Tuz.
Operacionet ushtarake për ta
pushtuar Shkodrën zhvilloheshin herë pas herë, në fronte të ndryshme, ashtu që
rrethimi i qytetit ka zgjatur më shumë se gjashtë muaj. Gjatë atij rrethimi,
qyteti goditej me topa e mitraloza, digjeshin e rrënoheshin objektet dhe
vriteshin njerëz. Ka pasur bombardime të qytetit edhe nga aviacioni i Serbisë,
që thuhet se kishte angazhuar katër avionë për pushtimin e Shqipërisë.
Për pushtimin e Shkodrës Mali
Zi kishte angazhuar 25000 luftëtarë për rrethimin dhe sulmin e Shkodrës, nga
tri anë, ndërsa forcat mbrojtëse numëronin
5000 ushtarë të rregullt dhe 10.000 shqiptarë vullnetarë e të mobilizuar, nën
komandën e Hasan Riza Beut, i cili kishte ardhur në Shkodër në vitin 1911, si
vali dhe kryekomandant i ushtrisë..
Forcave malazeze iu ndihmonin edhe 30.000
ushtarë serbë, të cilët kishin depërtuar në jug të Shkodrës, deri në Shëngjin e
Tiranë.
Me qenë se forcat e Aleancës
sllave kishin korrë fitore në frontet tjera kundër ushtrisë turke, më 3 dhjetor
1912 ishte nënshkruar armëpushimi midis tyre dhe Turqisë, por Mali Zi, edhepse
ishte pjesë e aleancës, nuk e përfilli
armëpushimin, veçse vazhdoi rrethimin dhe bombardimet e kohëpaskohshme, me
qëllim që ta merrte Shkodrën me rrethinë.
Pas shpalljes së pavarësisë së
Shqipërisë më 28 nëntor 1912, Konferenca e Fuqive të Mëdha në Londër, më 17
dhjetor vendosi të formohet Shqipëria autonome, në të cilën përfshihej edhe
Shkodra. Por Mali Zi nuk përfillte as vendimin e Fuqive të Mëdha dhe vazhdonte
ta mbajë të rrethuar dhe herë pas herë ta bombardojë qytetin dhe të mësyjë
depërtimin e mbrojtjes.
Esat Pashë Toptani, që kishte
ardhur nga Durrësi me 25 000 redifë të tij, jo dhe aqë të disiplinuar e të
vendosur për luftë, ishte emëruar
zëvendës-komandanti i Hasan Riza Pashës, gjatë kohës së armëpushimit kishte zhvilluar
bisedime të fshehta me malazezët, për t’ua dorëzuar Shkodrën, me kusht që ta
ndihmojnë ta merr qeverisjen e Shqipërisë.
Më 30 janar 1913, vritet në një
atentat kryekomandanti i forcave të mbrojtjes së Shkodrës, Hasan Riza Pasha.
Kush ishte dhe i u vra Hasan
Riza Pasha
Hasan Riza Pasha ishte lindur
në Bagdad (më 1871), kur i ati i tij kishte qenë vali i Bagdatit. Hasani kishte
kryer shkollat ushtarake në Stamboll dhe specializimet në Berlin (Gjermani).
Ishte ndër oficerët më në zë të ushtrisë turke, prandaj që në moshën 28 vjeçare
kishte arritur gradën kolonel. Sulltani Abdylhamidi e çmonte zotësinë e Hasan
Rizait dhe e kishte emëruar pashë dhe gjeneral ushtrie. Pas Hyrjetit, qeveria e xhonturqve e degradoi
nga grada e gjeneralit në gradën e kolonelit, por kjo nuk e dëshproi oficerin
trim. Në vitin 1911 ishte dërguar në Shkodër komandant i një divizioni të
ushtrisë, ndërsa në mars të vitit 1912 ishte emërur vali dhe komandant i
përgjithshëm i ushtrisë së Vilajetit të Shkodrës.
Elementi katolik e konsideronte Turqinë
armikun kryesor, shekullor, fetar, kombëtar e kulturor, prandaj nuk e përkrahte
ushtrinë turke në mbrojtjen e Shkodrës. Bile, një pjesë e mirë ishin radhitur
në anën e malazezëve, sidomos asi që ishin arratisur në Mal të Zi nga ekspeditat e Turgut Shefqet Pashës. Hasan
Riza Pasha bëri përpjekje dhe deri diku arriti përkrahjen e këtij elementi për
ta ndihmuar mbrojtjen e Shkodrës. Ishte në marrëdhënie të mira miqësore me At
Gjergj Fishtën, përmes të cilit kërkonte përkrahjen e klerit katolik. Elementi
katolik ishte kundër zëvendësimit të një pushtuesi (turk) me një pushtues
tjetër (sllav), prandaj pranonte ta ndihmonte luftën për mbrojtjen e Shkodrës,
me kusht që ajo luftë të ishte për pavarësinë e Shqipërisë, me Shkodrën
kryeqytet, dhe që Flamuri shqiptar të
ngritej në Kalanë e qytetit. Pashai pranoi dhe premtoi se ‘’që nesër Flamuri
shqiptar do të valvitej në Kala’’, por kjo nuk ndodhi, sepse duhej pritur
pëlqimin nga Stambolli.
Fishta e quante kryekomandantin: ‘’Fatosi
turk i Luftës Ballkanike’’, ndërsa një nga krerët katolik thoshte: ‘’Sikur
ta lejonte qeveria turke Hasan Riza Pashën të jetë princ i Shqipërisë’.
Me propozimin e Hasan Riza
Pashës, Sulltani e kishte dekorua At Gjergj Fishtën me një medalje të vlefshme. Aq shumë ishin miqësuar mes vete
Hasan Riza Pasha me At Gjergj Fishtën, sa që komandanti turk kishte kërkuar nga
Fishta të shkruante vargjet (shqip) të marshit që do ta këndonin ushtarët shqiptarë në parakalimet e tyre, gjë
që Fishta edhe e bëri duke shkruar këto vargje:
Prej
kah lenë e merr hana Të
parët tanë burra çelikut
M’u
çue shekulli kundër nesh, Bota
mbarë sot i nderon,
Djelmë
kreshnikë na bani nana Ata
i binin anmikut
Vetëm
na u dalim ndesh. Si
rrufeja kur veton.
Më 30 janar 1913, Esat
Pashai dhe At Gjergj Fishta ishin takuar
në shtëpinë e Esadit, për të diskutuar për situatën dhe planet e luftës si
çështje më aktuale. Dërgojnë agjutantin e Esadit, ta ftojnë Hasan R.Pashën në
ato bisedime. Duke u këthye natën nëpër terr nga shtëpia e Esadit, tre veta
bëjnë atentat mbi kryekomandantin, dhe pas 5 orëve vdiq në shtëpinë e vet.
Detaje të shumta shkruan At Justin Rrota në librin e tij ...Rrethimi i
qytetit, për vrasjen, amanetet dhe vorrosjen. Në vorrimin e Hasan Riza
Pashës morën pjesë mijëra shkodranë, në mesin e të cilëve edhe shumë prelatë
katolikë. At Gjergj Fishta kishte mbajtur një fjalim prekës për të ndjerin.
Në kronikat serbe dhe ato
malazeze, thuhet se pashai u vra më 13, diku më 14 dhe diku më 17 janar, por e
vërteta është se ai u vra më 30 janar, datë të cilën e saktëson At Justin
Rrota, dhe po atë datë e vërtetojnë dy
gjeneralë të ushtrisë turke, në librin e tyre të botuar në vitin 1933.
Ata dy gjeneralë turqë kishin qenë në shtabin e Hasan Riza Pashës, me gradë
kapiten të klasit të I-rë, gjatë tërë kohës së rrethimit të Shkodrës.
Pas vrasjes së Hasan Riza
Pashës, komandën mbi ushtrinë turke e shqiptare në Shkodër e mori vet Esad Pasha, i cili ishte zëvendës
i komandantit të vrarë.
*
Rrethimi, bombardimi
shkatërrimi i Shkodrës nga forcat malazeze e serbe, dhe vuajtjet e varfërimi i
popullsisë me krizën (zinë) e bukës, me të vrarë e të plagosur të shumtë,
mungesë të kushteve për kujdesin ndaj të plagosurve, mungesën e druve a qymyrit
për furrat e bukës vazhdoi edhe tre muaj.
Për vuatjet e popullit gjatë
atij rrethimi e bombardimi më se 6 muaj, kanë shkruar edhe gazetarë e misionarë
të huaj, ndër të cilët edhe Edit Durham. Por, kronikën më të plotë e më të
saktë për rrethimin e Shkodrës, luftimet e zhvilluara, viktimat e luftës dhe
krizën e bukës, e ka dhënë At Justin Rrota në librin e tij: ‘’Ditët e mbrame
të Turqisë në Shkodër, ase Rrethimi i qytetit 1912-1913, Botime Françeskane,
Shkodër, 2020.
***
Më 22-23 prill 1913, në Doganën e Shkodrës, pas
bisedës së përfaqësuesve të pushtetit turk, në mesin e të cilëve ishte edhe
Esad Pasha, si komandant i ushtrisë, nga njëra anë, dhe palës malazeze të prirë
na princi Danillo, kryekomandant i ushtrisë malazeze, e gjenerali Vukotiq dhe
ministri Pllamenac, nga ana tjetër, u arrit marrëveshja e dorëzimit të Shkodrës
forcave malazeze. Kushtet e dorëzimit të
Shkodrës i diktori princi Danillo, të formuluara si marrëveshje. Teksti i
marrëveshjes së dorëzimit të Kështjellës dhe qytetit së Shkodrës, ka këtë
përmbajtje:
1. Të
gjithë ushtarët, në daç nizamë në kjofshin, në daç redifë, kështu edhe çdo
klasë rezervistash, janë të lirë me e lanë qytetin, tue marrë me vete armët e
veta, si edhe ushqimet e municionet.
2. Ashtu
edhe ata prej popullit, pjesëtarë të këtij qyteti, të cilët dëshirojnë, edhe
ata munden me shkue mbrapa ushtarëve, tue bartë me veti armët e teshat e veta e
gjithçka që duan.
3. Nuk
ka për t’ju ba kush farë damit, as nuk kanë për t’u shkelë tagret personale atyne myslimanëve, që
gjinden mbrenda ledhave të qytetit. As nuk ka për të prekë kush kurrnjenin
asish që morën pjesë në luftë kundra nesh; mbasiqë ata me këtë punë nuk kanë ba
tjetër veçse kanë krye detyrën e vet, tue i dalë zot atdheut. Në një mënyrë të
posaçme mund të jenë të sigurt, si populli mysliman, si edhe ai i krishterë, se
nuk ka për t’i prekë kush në fe, ashtu edhe në punë nderi a të zakoneve të veta
kombëtare.
4. Repartet
e ushtrisë në të nisun kanë për të mujtë me marrë me vete, pos petkash të
shtatit, të gjitha plaçkat, çadrat, shrojet, kazanat etj,; me nji fjalë,
gjithçka t’u duhet atyne për rrugë; shkurt, mund të marrin me vete secili gjithçka
mund të ngarkojë, kërkush s’u thotë gja.
Për ma tepër, po deshën, na mund t’u japim atyne, për me i përcjellë teshat, në
paçin nevojë edhe qerre, kuaj e çka t’u duhet, për me bartë.
5. Të
gjithë zyrtarët, civilë e ushtarakë, si b.f. xhandarët e policët, të cilëve u
ka anda me iu vue mbrapa ushtarëve, munden gjithsa duen; s’u pret kush rrugën.
6. Ushtria,
kur të bajë me u nisë e me e lanë Shkodrën, ka për të kenë e përcjellun prej
nji gjenerali e prej disa oficerash të Malit të Zi.
7. Robët
e luftës, serbët, kanë për t’iu dorëze kryekomandantit të ushtrisë malazeze.
Në dash
nënshtetasve të zanë rob, në dash edhe të varruemvet të vendit, u sigurohet, me
dorëzani, se kemi për t’i ra mbrapa shërimit të tyne. Prandej, u japim lejen të
rrijnë në Shkodër të gjithë ata që të jenë të nevojshëm, si mjekë e sanitarë
turqë, edhe me u ndalë, deri sa ta shohin të rrugës. Me të mbaruemën punë si
mjekët si të mjekuemit, të gjithë edhe këta kanë për të kenë përcjellë deri në
kufi, me shpenzimet e shtetit malazias.
8. Të
gjitha aktet e dokumentat ushtarake autoritetet turke janë të lira t’i marrin
me vete. Pos këtyne, komanda ka për të marrë me vete edhe të tana njato akte
zyrtare, me të gjitha dosjet, që t’i duken të nevojshme kryekomandantit të
ushtrisë turke.
9. Prap,
edhe të gjitha pushkët automatike
(mitralozat), si edhe topat e shpejtë, bashkë me ata të fushës, me të gjitha
municionet përkatëse, këto të tana ushtria otomane ka tagër t’i marrë me vete.
10.Të
gjitha shkresoritë e artikujt e korrespondencës ushtria turke mund t’i ngarkojë
e mund t’i barti me vete.
11. U
jepet një amnisti e falje e përgjithtë atyne që gjatë luftës u munduen në çdo
mënyrë me iu gjete qeverisë otomane, me spiunazhe a ndryshe.
12. Gjithashtu
janë të falun edhe ata nënshtetas malazezë, të cilët, a pse t’ikun prej vendit
të vet, ase për çdo arsye tjetër ndodheshin mbrenda në Shkodër, dhe morën armët
e luftuen krahpërkrah me ushtrinë otomane kundra nesh.
13. Po
kje se kanë nevojë ndonji gja për rrugë ushtria, Mali Zi për deri ku të mundet,
ka me u ardhë në ndihmë për çka u nevojitet.
14. Kryekomandanti
i ushtrisë së Shkodrës, ka për t’ia lëshue ushtrisë së Malit të Zi Kështjellën
e qytetit, ponjashtu të paprekun, sikurse edhe nuk ka për t’i prishë e çue dam
njato mjete komunikacionit e marrëdhanjesh, të cilat u vleftën atyne në kohën e
rrethimit.
15. Më 23 prill 1913, ora 8 paradite kanë për të
fillua me u dyndë ushtria turke, tue lirue Taraboshin, Bardhanjorët dhe
llogoret e Fushës së Shtojit. Sa për kodrat e Tepes, këto kanë për t’u marrë në
dorëzim nesër paradite, njandej kah ora 11. Fushën e Shtojit, këtë ka për ta
marrë në dorëzim Mali Zi në orën 3 mbas mjesditet.
Shkodër, 9-10 prill 1329
22-23 prill 1913
Zavendës
valiut e komandant Kryekomandanti
i ushtrisë së
i
armatës së Shkodrës, gjeneral Malit
të Zi, Princi trashëgimtar
shtrie,
nënshkrue, ESAD nënshkrue, DANIL
***
Siç shihet nga përmbajtja e
Marrëveshjes për dorëzimin e Shkodrës, kushtet e shtruara nuk ishin shumë të
ashpra ose armiqësore, por të shtrueme me korrektësi, me bujari e burrëri (shih pikat: 3, 7, 8, 9,
11 e 12), gjë që rritë dyshimin se ishin
rezultat i tradhtisë.
Më 25 prill, princi Danillo në
ballë të rreshtit të ushtarëve, hyni zyrtarisht në Kështjellë, ku e nguli
flamurin e vet, duke thënë: ’’Flamur i dashur, ti që na kushtove aq
shtrejtë, ti që kje la me gjakun e sa bijvet tu, rrnofsh e kjofsh. Ty unë tash po
të nguli, e këtu ke për të mbetë përgjithmonë...’’.
Por, gëzimi i malazezëve, as
flamuri i tyre në Rozafat nuk zgjati as dy javë të plota, pasiqë Fuqitë e Mëdha
i detyruan ta lëshojnë Shkodrën, ku u vendosën forca ndërkombëtare, të cilat do
ta qeverisën qytetin deri në mars të vitit 1914, kur bashkësia ndërkombëtare e
dërgoi princ Vidin për ta qeverisur Shqipërinë, i cili poashtu nuk e pati gjatë
qeverisjen, për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore.
Duke ditur se do të detyrohen
ta lëshojnë Shkodrën, ushtria malazeze nuk la gjë pa plaçkitur, rrënuar e
djegur, sidomos në pjesën myslimane të popullsisë së qytetit dhe të fshatrave. E
dogji edhe Pazarin e Shkodrës, që ishte pazari më i mirë në Evropën lindore.
Kështu përfundoi rrethimi i
Shkodrës, me viktima të shumta nga të dy palët, por derisa viktimat e
turko-shqiptare ishin në mbrojtje të vendit, viktimat serbo-malazeze shkuan
huq. Malazezët edhe sot konsiderojnë se Serbia i tradhtoi, i la vetëm pasi u
tërhoq nga fronti sipas kërkesës së fuqive të mëdha.