Mendime
Llesh Ndoj: Tek kultura, arti, sporti dhe tradita, duhet të nisë unifikimi i kombit
E premte, 13.10.2023, 07:59 PM
Tek kultura, arti, sporti dhe tradita, duhet të nisë unifikimi i kombit
NGA
LLESH NDOJ – Shkrimtar
Duke
marrë shkas nga ndeshja e futbollit mes ekipit përfaqësueses së Shqipërisë dhe
asaj të Republikës Çeke, përveçse një event i bukur sportiv, ishte edhe një
manifestim i bukur kombëtar. Që nga stadiumi i mbushur plot, veshur me ngjyrat
kuq e zi, ku tifogrupet nga zonat etnike shqiptare të Kosovës e Maqedonisë së
Veriut ishin ndër më aktivet, tek rrugët e kryeqytetit që gjallëruan para e pas
ndeshjes, të cilët festuan deri në agim, deri tek prania e politikanëve më të
lartë shqipfolës në stadium etj. Mbi të gjitha do të veçoja ekipin, vërtetë një
skuadër që meriton të quhet kombëtare, pasi përfaqëson vërtetë kombin tonë, jo
thjesht se ka mbledhur talentët më me shpirt shqiptari (jo vetëm futbollistik!)
nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe për funksionalitetin e saj, për
shpirtin e garës, për entuziazmin e dashurinë e shfaqur mes tyre në lojë e
jashtë saj. Mes këtij entuziazmi, atyre ngjyrave të mahnitshme për çdo
shqiptar, me atë qeleshe të unifikuar, ndonëse e modifikuar, me këngën e bukur
të heroit Adem Hashari etj, kishim arësye të ndieheshim më shumë shqiptarë! Do
kasha dëshirë të rrokja Asanin dhe t’a përqafoja si bir, me gjithë ekranin e
tekevizorit, ashtu si Bajramin, Asllanin, Gjimshitin, Berishën, Seferin,
Cikalleshin, Mujën, Muçin e secilin, në fushë dhe në stolin e rezervave…
E
solla këtë shembull, jo thjesht për kënaqësinë e kësaj fitoreje, por për të
vazhduar pak më tej. Mua, si shumëkënd, më shqetëson fakti se shqiptarët
historikisht nuk janë treguar të bashkuar e të gatshëm për të reaguar si Një,
në fazat e ndryshme të historisë edhe atëhere kur kjo ka qenë jetike për të.
Janë të shumta rastet që e mbështesin sa më sipër, e të rralla rastet që flasin
të kundërtën. Fatkeqësisht, kjo e vërtetueshme lehtësisht prej kujtdo. Edhe momenti
aktual ku ndodhemi, një moment thuajse i artë për të treguar veten në lartësinë
e kërkesave të kombit dhe për të zhbërë sadopak padrejtësitë historike ndaj
këtij kombi të lashtë e me histori, falë mbështetjes së miqve tanë të mëdhenj,
SHBA dhe BE, nuk po shfrytëzohet në favorin tone.
-
Pse?
Fatkeqësisht
politika jonë, në vend që të ishte pararoja e zhvillimeve pozitive,
përbashkuese e integruese, vazhdon të mbetet provinciale e me mendësi feudale,
që e tërheq popullin drejt frymës përçarëse e jo në rrugën e duhur. Është e
patolerueshme sjellja e qeverive të dy shteteve shqiptare fqinje, Shqipëri e
Kosovë, ashtu siç është i pamjaftueshëm reagimi i përbashkët institucional ndaj
gjendjes së faktorit shqiptar në Ballkan e të Diasporës kudo në botë. Madje
edhe në ndeshjen e bukur të futbollit mes përfaqësueses së Shqipërisë e asaj të
Republikës Çeke, të vetmit që “s’ishin bashkë” edhe pse në një tribunë e me një
dëshirë, për fitoren e përaqësueses shqiptare, ishin Rama dhe Kurti.
Futbollistët përqafoheshin si vllazën, tifizët po e po, të gjithë pa dallim nga
ishin, ç’dialekt flitnin apo ç’ngjyrë kishin. Edhe ata çekë i pane, e u panë me
simpati…
Rastet,
ndoshta të vetmet, kur edhe politikisht gjymtyrët e një trupi ishin të
bashkuara janë shpallja e Pavarësisë, çlirimi nga okupatorët nazi – fashistë e
lufta çlirimtare e Kosovës, pjesa tjetër e tregon hapur ndarjen politike dhe e
diferencon atë dukshëm edhe nga të qënit Një në popull. Unifikimi i popullit
tonë drejt të qënit Një, është domosdoshmëri e një çeshtje urgjente, për të
patur një zë e një qëndrim të përbashkët drejt integrimeve rajonale e globale,
pse jo edhe për t’u bashkuar në trojet tona natyrore kombëtare. Por ky
unifikim, fatkeqësisht e jo vetëm si element specifik shqiptar, nuk mund të
nisë nga politika. Arti, kultura, muzika, tradita e përbashkët, hyrje - daljet,
sipërmarrjet e përbashkëta ekonomike, sporti etj, janë ato element të
domosdoshëm që i bëjnë të padukshme diferencat dhe i bashkojnë njerëzit, duke
bërë që politika të jetë dytësore në raport me marrëdhënjet njerëzore,
emocionet e saj të çlirohen nga negativiteti e të përthithen nga emocionet
pozitive vllazërore e kombëtare. Edhe krushqitë, marredhëniet martesore mes
zonave etnike shqipfolëse duhet të zhvillohen e ndikojnë në këtë unifikim. Nuk
paragjykoj asgjë, por vajzat tona martohen më parë me serbë e maqedonas, se me
djem kosovarë, djemtë tanë emigrantë martohen më parë me rumune, ukrainase,
kineze, braziliane e marokene se sa me një shqiptare kosovare, dibrane,
ulqinake, çame etj. Ndërsa në politikë qëndrojmë në pozita të palëkundura, ku e
pranojmë gjithë botën por jo njëri - tjetrin, megjithse ne flasim një gjuhë,
pavarësisht diferencave dialektore, kemi zakone e tradita të njëjta.
-
Çfarë na pengon që të unifikojmë programet shkollore në lëndët bazë e në
arsimin bazë në të dy shtetet shqiptare e të ndihmojmë për këtë edhe në Luginë,
shkollat shqipe në Maqedoninë e Veriut e Mal të Zi? Kemi para plot, e në vend
që t’i japim ato pa hesap n? PPP - ra le t’i investojmë këtu ku është e
ardhmja, apo në rrugë lidhëse, në zhbërjen e kufive, në ndërtime e
investime të “përbashkëta” e
panshqiptare të porteve, aeroporteve etj. Të gjithë kënaqemi me muzikën
shqiptare, qoftë kosovare, të shqiptarëve nën sundimin e Maqedonisë së Veriut
dhe Malit të Zi, me këngën labe, çame, popullore të Elbasanit, Shkodrës e
Kavajës e të çdo treve tjetër, por sa koncerte të përbashkëta zhvillojmë në
Tiranë, Prishtinë, Shkup, Ohër e Ulqin? - Pse nuk punojmë që Instituti i
Kulturës Popullore të marrë përmasa mbarëkombëtare? - Pse nuk punojmë të kemi
institute si ai i historisë, apo akademi shkencash të përbashkëta kombëtare?
Serbia ngre akademi shkencash për t’a zhbërë historinë tonë, kryesisht atë
dardane, kurse ne e ndajmë historinë tonë kombëtare në parcela, që ajo të
“gëlltitet” më lehtë e më shpejt nga sllavët, grekët, maqedonët, bullgarët… Nuk
është rastësi që Lahuta, ajo vegël muzikore që ka ekzistuar që nga fiset ilire,
na la shëndenë, qeleshja e stilizuar sipas orekseve, ndoshta shpejt s’do quhet
më e jona, polifoninë e bukur mund t’a “kërkojnë” kombësi të tjera. Një ditë e
copëtuar dhe e pa unifikuar mes veti edhe gjuha shqipe ndoshta do konsiderohet
e huaja, e kjo jo vetëm në diasporë ku shtetet shqiptare nuk marrin asnjë masë
për t’a ruajtur e kultivuar atë ndër emigrantët e breznisë së dytë e të tretë,
por edhe në Kosovë e Shqipëri, ku shqiptarët preferojnë të flasin një gjuhë
përtace me fjalë të tilla si klm - ra, flm - ra, daku e baku, që një Zot e di
nga kanë mbirë, deri edhe kinezçe. Zhvillimi sjell me vete pashmangshmërisht
edhe ndikime reciproke gjuhësore, kulturore, por kjo nuk duhet të jetë
justifikim për gjendjen e krijuar. Përkundrazi, kjo duhet të bëhet këmbanë
alarmi për qeveritë, partitë politike, institutet e institucionet kulturore,
gjuhësore e shkencore, për nevojën e një reagimi përmes një programi kombëtar
unifikimi e konservimi të atyre që e bëjnë shqiptarin shqiptar, sa të njejtë po
aq edhe të ndryshëm me popujt e kombet e tjera.
Le
të nis ky unifikim me futbollin, një kampionat superior e një kombëtare, me
arsimin bazë (jo vetëm abetaren), me institutet e historisë, folklorit e
shkencave, me Ansamble Kombëtare të këngës e valles shqiptare, me… Oh sa shumë
gjëra të përbashkëta kemi! Por fatkeqësisht politika, që më së shumti na ndanë,
ka pushtuar mendjet tona e hapësirat mediatike në të gjithë anët e kufirit
absurd shqiptaro - shqiptar!
LLESH
NDOJ
13
tetor 2023