Mendime
Arben Borshi: Edhe Qemal Draçini thërriste: “Dritë, dritë !!”
E enjte, 12.10.2023, 07:55 PM
Edhe Qemal Draçini thërriste: “Dritë, dritë !!”
Përgatiti
Arben BORSHI
<<10 tetor 1947. Një ditë vjeshte
me shi, kur drita ende nuk kishte zhdavaritë terrin kobzi të natës, dikush pa
në gjysmëterr të agimit një trup të vdekur me fanele të kuqe, që tundej në një
karro plehu, e tërhequr nga një kalë, andej nga çinaret, matanë vorreve
katolike, atje te gropa e përbashkët. Medet! Me sa Katinë është mbushur toka e
shqiptarëve!! Tragjikisht e ndoqi fati pse guxoi, por burrnisht e mbylli jetën
me nder, veçse me sa vuejtje. Dhe fjala "vuejtje" është e paktë, nuk
e shpreh dot lemerine!! >>
<<Ishte dritë, kërkonte dritë,
prandaj e shuan ata që donin (terrin) errësiren. Kur Volfang Gëte, në
"Olimpia e Vajmarit", po ndahej nga kjo jetë, u ngrit çastin e fundit
në shtrat dhe thirri: "Dritë, Dritë!" I pëlqente Qemal Draçinit ta
përsëriste shpesh këtë thirrje perëndishë.
Jeta e tij qe aspiratë e mishëruar për
liri e dritë dhe për DRITËN ai ra theror. Që fëmijë e karakterizoi energjia e
guximi i paskajshëm, afekti i thellë njerzor, pasioni për kulturën dhe artin e
kryesisht per letersinë. Përherë në zgrip të greminës, me rrezikun u rrit
binjak. Shpirti i tij, Abis i thellë njerëzor, u çmerit nga miraxhi i idealeve
fisnike dhe u turr nga majat e ndritshme të një ...vegimi të lirë e shoqëror që
mendoi dhe synoi të realizonte praktikisht përmes veprimtarisë revolucionare.
Kjo shpjegon lidhjen e herëshme me Qemal Stafën që adoleshent, pa i mbushur 15
vjetët. Në dhomën e tij bibliotekë, punonte, përkthente, shaptilografonte,
shkruante shkruante, diskutonte me Spasse Trimçevin dhe Emin Durakun. Jeta, kjo
mësuese e rreptë, shpejt e burrëroi, por edhe e përpiu në vorbullat e saj: 16
vjeç e gjysëm, ai qëndronte në bankën e të akuzuarve në gjyqin e Tiranës, në
krah të Qemal Stafës( ishte aq i ri sa trupi gjykues u përça në fillim, ta
dënonte apo jo?). Por diktatura, e çfaredo ngjyrë qoftë,është pikësëpari dhunë,
pastaj dhunë e prap dhunë çnjerëzore.
Kështu që në pranverën e jetës, ky djal i
zjarrtë provoi të parat tortura e pastaj të parat pranga të burgut të egër
real, të burgut të Mbreshtanit në Berat. Takimi i parë me diktaturën la gjurmë
të dhimbshme në trupin dhe në shpirtin e tij. Pas pushtimit të Shqipërisë nga
Italia, të burgosurit e Mbreshtanit lirohen, ai kthehet pranë familjes dhe
ndjek mësimet e ndërprera ne Liceun e Shkodrës . Është kjo periudhë dyvjeçare e
mbushur me një jetë aktive e, papushim, shkruan e boton me pseudonimet Malseni,
Imperitus, lexon shumë, përvetëson dhe dashuron. Ai e ka dashur shumë jetën e
tij të shkurtër. Ai, burim i pashtershëm, emanonte afekt të thellë njerëzor,
por përpinte dashurinë e të tjerëve. Kur, më 1940, vdiq poeti i madh At Gjergj
Fishta, e përcolli me lule ndër duar e pikëllim në shpirt në banesën e fundit,
pse e desht pa hile, por dhe poeti kombëtar, sa qe gjallë, e ngrohu me miqësinë
e vet. Kur ia patën prezantuar, poeti i madh kishte shpërthyer në një gaz të
çilter: "Po a ti qenke Malseni, â?" Kishte para vetes një çun 16 vjeçar.
Kishte njohur ma parë Malsenin, pseudonimin e tij, tash po njihte njeriun.
Në faqen e parë të "Lahutës se
Malcisë", që ia dhuroi, Ati i urtë, duke ia pasur frikën vrullit
marramendës të pasionit të tij fisnik për DRITËN, këtë autograf i dedikoi:
"P.T. Malsenit! Sa të kesh hapin, mate vrapin! A.Gjergj Fishta,
O.F.M."(Parandjenjë profetike, pse vrapin shpejt do t'ia ndalnin!)>>
( Pjesë nga parathanija e librit :"Qemal Draçini-njeriu, intelektuali,
martiri. Nga Enver Draçini, vëllau, dhe Nexhmi Bushati)
Shkruan prof. dr. Fatbardha Hoxha:
<<Një episod për t'u veçuar është miqësia e afërt e Qemalit me Gaspër
Palin poetin, prozatorin, kritikun e panjohur më parë nga studjuesit, veprës së
të cilit Qemali do t'i kushtojë një shkrim elitar kritik në faqet e revistës
"Fryma", ku ai e quan G. Palin "Poet kerkimtar i dëshpëruem
drite.
" Në vitin 1944, realizon një ëndërr
të tij të djalërisë; së bashku me avokatin e ri, Myzafer Pipa, krijuan revistën
"Fryma". Aty ai shkruan me emrin e vet, me pseudonimin Genc
Valbona,dhe reçensimin e botimeve të reja e nënshkruan me inicialet I-i, Alni
Qendra. Ishte vetë redaktor,
kryeredaktor dhe korrektor.
Jetoi pak, por pak e
jetuan jetën aq intensivisht sa ai. Ia këputen jetën në gonxhe të porsaçelun,
pse qe luftëtar për jetën e nuk pranoi qënijen e prishun, shpirtin e molisur
siç e donin "jo njerëzit". Dhe sot, kur njeriu përfytyron në njërën
anë këtë personalitet njerëzor dhe në anën tjetër ato kafshë të neveritshme, të
vjen të bertasesh. Por fjalët nuk kanë forcë të shprehin atë dallgë e duf të
mbrendëshëm që përvëlon, atëherë buzët, dhimbsurisht dhe revoltueshem,
peshperisin atë vargun e Poetit: "O Perëndi, a ndjeve?!..
Ai djalosh 16
vjeçar, kur vdiq Migjeni, me pseudonimin "Malseni" nënshkroi
artikullin e vet "Në cungim të flatrave të letërsisë sonë". Por për
atë vetë askush "s'arriti të shkruante" : "Një shkëndijë e
zjarrtë në qiellin e errët shqiptar i grimcuar dhe xixat me mijra ranë mbi
tokë." Po xixat jetuan xhelozisht të fshehura në zemrat e shumë njerëzve.
( botuar në gazetën "Shkodra", nr.4, tetor, 1991)
P.s. jam ma se i bindun se menjiherë, zyra e
propogandës se "qeverrise", do të angazhohet si çdo herë, nëpërmjet
ministreshes apo zëdhënësve tjerë, të përkujtojnë këtë datë,(ndoshta!) ashtu si
edhe të tjera që kena rast për çdo ditë t'i konstatojmë, me të vetmin qëllim:
përvetësimin e meritave të kujtesës të viktimave të baballarëve e gjysherve të
vet, si nji mënyre përverse kjo për me i kalue në koshin e harresës, ose edhe
më keq: për t'i përdorë për propogandë mashtruese e qellimkeqe, këto krime dhe
kriminelët, pasardhës të denjë të të cilëve janë dhe që kurr nuk janë distancu,
lê mâ t'i kenë dënu!! Bunker-art2, "Shtëpia me gjethe" , dhe tash
vonë edhe projekti i rindërtimit të burgut famkeq të Spaçit, që asht lanë të
rrënohet, perveç financimit të nji filmi në lidhje me kët "Auschwitz
shqiptar", etj. simbole dhe dokumenta kto të krimit masiv,
gjenocidit komunist pra, të krijueme enkas prej birëve dhe pasardhësve të
xhelatëve të kuq, janë dëshmi e gjallë e ksaj politike perverse të përvetësimit
edhe të vuejtjeve, mbasi kanë pervetsuar çdo gjë që kanë mujtë. Mos sinqeriteti
i kësaj qeverie në përballjen me të kaluemen kriminale të prindëve të tyne,
në këtë rast, del në pah edhe prej veprimtarisë të saj, që ia çjerr
maskën vedit, tuj mos futë në programet mësimore as edhe nji prej autorëve
"anmiqt të popullit", (të vdekun apo të gjallë), siç i ka quejt
regjimi terrorist komunist të gjithë ata që i ka eliminuar fizikisht, i ka
burgosë, apo internuar, e sidomos autorët "shkodrianë" apo veriorë në
përgjithsi!!
Edhe nëpër panairet e librit, sidomos ato jashtë
shtetit, shpenzon dhjetra mijëra euro për promovimin e librave dhe autorëve të
realizmit socialist dhe pasardhësve të ksaj rrymë letrare mashtruese,( e në
mos-promovimin e autorëve të letërsisë të quejtun
me perçmim nga korifejtë e realizmit socialist, "letërsi
burgu"!) që aq shumë ndihmoj në mbajtjen gjallë të "inkuizicionit
komunist"!!!
Në veprën e saj, "Banaliteti i të keqes",
Hannah Arendt mbasi ndjek gjygjin e kriminelit nazist Adolf Eichmann, të
zhvilluem në Jeruzalem, ban një analizë filozofike të të gjitha ktyne figurave
që kanë pasë poste të nalta në hjerarkine naziste. Dhe janë pikërisht figura të
tilla që edhe pse nuk kanë kryer asnji krim me duert e veta, konsiderohen fajtorë
kryesor në krim dhe si të tillë të dënueshëm njisoj se mos ma randë se vetë
xhelatët.
Shumica e tyne me nji "t'ramun të lapsit"
vendosshin për jetën apo vdekjen e qindra mijëra njerëzve, dhe në darkë
ktheheshin pran familjes si njerëz normal, pa reflektuar aspak për krimin që
kishin kry. Kto persona, Hannah Arendt i quejti : banaliteti i të keqes! Por në
Shqipni, perveç ktij "banaliteti të së keqes" që karakterizonte
përgjithsisht njerëz injoranta, kishte nji kategori tjetër, shumë ma të keqe se
kjo e para, sepse i perkisshin atyne që të paktën dy libra i kishin lexue. Këto
individ, ishin të prirur me ba keq jo prej "banalitetit" të
boshllëkut shpirtnor, por prej t'mbushunit të ktij boshllëku me poshtërsi, me
mashtrim, me keqdashje, me xhelozi etj.
Kjo kategori njerëzish që kontribuoi në zhdukjen,
burgosjen, internimin apo persekutimin e qindra e mijëra të pafajshëmve, jo
vetëm që nuk u dënue të paktën moralisht prej shoqnisë shqiptare, por
përkundrazi edhe sot e kësaj dite vazhdon me gëzue, edhe pse tashmâ gjindet nën
dhè një pjesë e mirë e tyne, titujt dhe ofiqet e përfitueme prej regjimit
terrorist komunist pikërisht për aktivitetin e tyne te bashkangjitun krimit.
E daja i em, Qemal Draçini, ishte një prej
viktimave të këtyne monstrave me tituj!! Eliminimi i tij vjen si rezultat i
xhelozisë të sëmurë dhe sindromës së inferioritetit të elementeve që
okupojshin postet e nalta të sektorit, të përfitueme vetëm prej besnikërisë pa
kushte ndaj regjimit kriminal komunist, pa asnjë të dhanun tjetër aftësije. E
natyrisht që këto elementa përbajshin atë që quhet " ingranazhet e të
keqes"!
Në përpilimin e shpifjeve, nuk mungonte pjesa e
randsishme: ajo e përvetësimit të punës intelektuale të viktimave dhe
"shitjes" së saj me emrin e kriminelit tashmâ si punë e tij, tuj
përfitue kësisoj edhe tituj e ofiqet, që si ato që ende jetojnë ashtu edhe ata
që s'jetojn mâ, vazhdojn me i mbajt!! Nuk mund të ketë nji paqtim të shqiptarve
përderisa nuk do t'vehet në vend drejtsia e mohueme.
Fjalët e Shenjtit Woityla kur në vitin 1993 erdhi
për vizitë në Tokën Shqiptare, si i pari Papë në histori, janë emblema e ktij
tranzicioni të pafund:
<<Non c'è pace senza
giustizia, non c'è giustizia senza perdono, non ci può essere perdono senza
verità.>> [Nuk ka paqë pa drejtësi, nuk mund të ketë drejtësi pa kërkue
t'falun, nuk mund të ketë falje pa të vërtetën!]
Asht kusht i domosdoshëm "paqja sociale" ndërmjet
shqiptarve, në.qoftëse kërkohet me arrijtë nivelin e qytetnimit europian. Por
kjo paqë nuk vjen vetvetiu, pa impenjim, pa një reflektim pikërisht të atyne që
" u ndodhën në anën e drejtë të historisë", simbas konceptit të
qeverriut, por që në realitet ishin në anën e krimit shtetnor, tuj i shërby me
zell dhe besnikri t'pakushtzueme, të ndërgjegjshëm deri n'fund!!!
At-here lind pyetja: si ka mundësi që edhe para dokumentave të
padiskutueshëm që provojnë se për njëgjysë shekulli u aplikue një terror masiv
me vrasje, burgosje, varje, internime, persekutime etj., klasa drejtuese apo
shtresa drejtuese e jetës ekonomiko-politike aktuale, vazhdon me mbrojtë me
vendosmëri atë periudhë inkuizicioni dhe krimi, si dhe bashkpuntorët e atij
regjimi, dhe ajo që asht edhe ma preokupuese asht fakti se "lufta e
klasave" apo persekutimi, që baballarët e tyre e aplikonin me metoda staliniste,
me terror, birt ,nipat e mbesat e tyne po e aplikojnë me metoda moderne, të
pazhurmshe, por shumë efikase? Përgjigja asht sa e thjeshtë aq edhe e
logjikëshme: nuk ka një vetndergjegjsim, një analizë reale të ndërgjegjes, një
pendim të thellë për krimet e kobshme te kryeme prej baballarëve të tyne! Asnjë
prej kontribuesve kryesor në këtë krim, nuk u dënûe! Asnjë prej këtyne
nuk u pendû dhe as nuk kërkoi t'falun për veprën kriminale të propogandes më të
cilën kryen shperlamjen e trunit masiv!
Shihet qartë që këtij "pendimi" kërkohet t'i shmanget, bile
kërkohet, dhe deri tash asht arrijtë, që këto evenimente tragjike, këto krime
të kobshme, të pervetsohen prej propogandes qeveritare për ta paraqitë si një
prej "veprimeve anti-komuniste ose të gjoja dekomunistizimit" të
kësaj qeverie.
Krijimi i një imazhi të fallsifikuem për të pasë edhe përkrahjen
ndërkombëtare, nëpërmjet përvetësimit të vuejtjeve dhe krimeve të njerëzve tonë
të dashtun, asht politika përverse që ky regjim po përdorë. Prandaj duhet që me
çdo kusht t'i çirret maska e këtij Lanus-i përvers, që të mund te shifet e
vërteta edhe prej atyne që janë të mashtruar, sidomos të atyne që pretendojnë
t'i përkasin shtresës së të persekutuemve politik.
E fatkeqësisht, nuk janë aq pak sa kujtojnë disa!?