Mendime
Ndue Dedaj: Lufta për të mbetur në... histori
E enjte, 05.10.2023, 07:58 PM
LUFTA PËR TË MBETUR NË... HISTORI
NGA
NDUE DEDAJ
Është
e njohur shprehja “Lufta për të mbetur njeri”, si titull librash, përfshi dhe i
një përmbledhje artikujsh, intervistash dhe fjalimesh për demokracinë të shkrimtarit
dhe politikanit Pjetër Arbnori, që për të mbetur njeri iu desh sakrifica prej
28 vitesh burg politik dhe moskompromisi me padrejtësinë as në demokraci. Edhe
pse nuk mund të ketë në jetë një luftë më të madhe se sa ajo për të mbetur
njeri, për çudi duket se tashmë është një tjetër “luftë” që na ka kapluar
marrëzisht, ajo për të mbetur në histori!? Mund të duket e pakumtimtë,
megjithatë është shpërfaqur një realitet i ri social, ku njerëzit përpiqen me
të gjitha mënyrat dhe mjetet për t’u arkivuar në histori, që të mos shkojnë
ashtu hupët në të ardhmën kur të mos jenë, por të kujtohen me pahir.
Politikanë
të rëndësishëm dhe shtetarë të lartë, që u janë shpopulluar krejt malësitë në
jug e në veri i kanë vënë syrin historisë, edhe pse ajo, në vend që t’iu ngre
piedestale, do t’i ndëshkojë, pasi ata nuk ndoqën politika për ta frenuar e
ndaluar këtë zhbimje antihistorike. Disa herë në fushata elektorale është thënë
nga kandidatë të ndryshëm për deputetë, kryebashkiakë e gjer kryeqeveritarë:
“Unë punoj për historinë”, që emri i tyre të përmendet brez pas brezi. Mirëpo
ky është vetëm një iluzion. Një ëndërr e bukur me sy hapur. Kujtesa e historisë
është krejtësisht tjetër. Ajo mban shënim jo ëndërrat e një nate vere, por
realitetet. Vezirit të Shkodrës, Mehmet Pashë Bushati (shekulli XVIII) i ishte
harruar dhe emri në treqind vjet, por “Ura e Vezirit” në Kukës e ndërtuar prej
tij thirret kështu dhe sot e kësaj dite, edhe gjysmë shekulli mbasi është
përmbytur nga hidrocentrali i Fierzës. Ia hoqën Mbretit të shqiptarëve
gjithçka, përfshi dhe të drejtën për të hyrë në Shqipëri nga Kongresi i
Përmetit, ama urën mbretërore mbi Mat, ndërtuar më 1927, populli vazhdonte me e
quajt “Ura e Zogut”. Askush më Kuçovën nuk e quan “Qyteti Stalin”, kurse qyteti
“Bajram Curri” vazhdon në çdo kohë me të njëjtin emër. Kjo është historia.
Ata
që i kanë dy para mend në krye veç me historinë nuk “ngatërrohen”, pasi vetëm
aty nuk mund ta hapësh vendin vetë. Se ka dalë dhe kjo puna e rishkrimit të
historisë dhe ku i dihet, ata që janë mund të dalin e disa të tjerë do të hyjnë
pa iu marrë leje historianëve të indoktrinuar. Si, për shembull, disa krerë të
malësive shqiptare.
Bajraktarët
“reaksionarë”, misionarë të flamurit të Pavarësisë
Dedë
Gjo Luli, nga paria e Hotit, e ngriti flamurin shqiptar në majë të Bratilës në
Kelmend. Historia me të drejtë ia ka njohur meritat si askujt, por ai nuk ishte
vetëm. Aty ishin dhe bajraktarët e malësive shqiptare, ku në një fotografi para
flamurit të ngritur atë ditë shihet dhe djali i Kolë Tomës, bajraktarit të
Velës. Sot vërehet një gjuhë e kursyer kur flitet për veprën e shquar atdhetare
të figurave të tilla, kurse në revistën “Hylli i Dritës” më 1937 shkruhej me
stil panegjerik: Kol Toma e Ded Gjo’ Luli, i pari në Malci t’Lezhës, i dyti në
Malci të Madhe, qenë dy burra të thatë e të gjatë, të idhtë e kuvendçar, me
mende të hollë e të pakrení, burra beset e me shumë burrni, që kanë ma të
madhin meritim e ma të shkëlqyshmen lumni në dëshmorët e Shqypnis, se qenë ma
të parët trima që filluen veprimet për lirinë e Atdheut. Kjo është dhe dekorata
më e lartë për ta.
Merita
historike është se bajraktarët u ngritën nga flamuri i vogël lokal i bajrakut
të tyre tek ai kombëtar. Ky është një hap i madh rilindës. Si në majë të
Bratilës - Deçiq më 6 prill 1911, si në Fan e Kimzë të Mirditës më 26 prill
1911, të njëjtët protagonistë – bajraktarët dhe krerët e tjerë të maleve. Në të
dy rastet nuk u ngrit flamuri i krahinave, por ai i Shqipërisë. Kjo ishte
vetëdija kombëtare e bajraktarëve dhe krerëve në përgjithësi. Preng Marka
Prenga, bajraktari i Oroshit për një gjysmë shekulli, njëherësh kryebajraktar i
Mirditës, me merita të mëdha si prijës popullor dhe luftarak, ende vazhdon me
qenë i “munguari” historisë. Ai këshillohej gjithnjë me Abat Prend Doçin për punët
e luftës dhe të paqes, kuvendet dhe flamurin. Është dekoruar më 1962 me
medaljen “Për veprimtari patriotike”, është shkruar ndonjë monografi për të në
kohën e sotme, por ky flamurtar i pazakontë nuk është vënë në pidestalin e
merituar. Ngaqë nuk është rishkruar historia dhe shumë ngjarje historike ende
kundrohen bardhë e zi. Teksa rishkrimi i saj bëhet në Tiranë, pasi atje janë
arkivat, institutet kërkimore-shkencore, historianët etj. Ka gjasë që
bajraktarët ende mbajnë mbi vete hijën që ua lëshoi Partia e Punës. Mëkati i
tyre qe se ata nuk e deshën partinë komuniste dhe kjo i ndau gjërat...
Historiografia
e djeshme ka qenë ideologjike dhe ka ecur hapur me paragjykim. Kështu nëse
njëri nga tribunët e Pavarësisë, me të drejtë njihet si hero kombëtar dhe krejt
Malësia e Madhe mban titullin “Nderi i Kombit” edhe prej tij, figura të tjera
të dorës së parë si ai nuk janë sot në muze, në tekstet e historisë, guida
etj., paçka se ka filluar të ketë një optikë tjetër sa i përket Preng Calit,
një hero i gjallë i trojeve shqiptare. Pa hequr paralele mes Dedë Gjo Lulit të
flamurit të Bratilës, që u vra në pabesi nga malazezët më 1915 dhe Prengë Marka
Prengës së flamurit të Kimzës, ky i fundit nuk njihet kombëtarisht, pasi nuk
kishte sesi regjimi i djeshëm të shpallte figurë kombëtare një atdhetar nga
Oroshi reaksionar i Gjomarkajve!? Për më tepër, Prengë Marka Prengës, që kishte
udhëhequr kryengritjet e Pavarësisë për çlirimin e Lezhës, në krye të ushtrive
mirditase, mbas Luftës II i futet në burg politik njëri nga djemtë.
Po
për arsye ideologjike ende nacionalisti i njohur Muharrem Bajraktari i Lumës
nuk është ndriçuar si figurë historike e kohës së tij, përpos se nga botimet e
autorëve kuksianë. Për kontributin në krijimin e xhandarmërisë shqiptare, nga
Mbreti Zog qe dekoruar me “Urdhrin e Skënderbeut” etj. Ai ishte njëherësh
antifashist dhe antikomunist. Janë lënë jashtë historiografisë zyrtare jo vetëm
figura të rëndësishme politike e shtetërore komplekse, por dhe ngjarje si
masakra e Buzëmadhes e shtatorit të vitit 1944, ku partizanët e Brigadës V
Sulmuese vranë 21 banorë lumjanë, që më pas u quajtën viktima të Luftës. Për
mendimin tonë, barra e historiografisë është të shkoqisë pikërisht
komleksitetin e këtyre figurave dhe ngjarjeve, duke i dhënë hakun secilës, pa i
parë ato tashmë: o vetëm bardhë, o vetëm zi. Kemi frikë ta ngrëmë Muharrem
Bajraktarin se na “bie” Bajram Curri, me që historia i pati vënë dikur në
pozita kundërshtare?! Po sa përplasje e përballje të tilla, njolla të njërit
apo të tjetrit mund të kemi përgjatë historisë? Protagonistët e historisë nuk
janë “produkte” laboratorike, që mund t’i kemi të gjithë si Luigj Gurakuqi...
Piedestale të rreme dhe
piedestale që presin
Për
të kuptuar se sa e dyshimtë është historiografia e deritashme lidhur me ngjarjet
e shekullit XX, mjafton një kundrajë në lojërat e Sigurimit të Shtetit pas
Luftës, ku ka “heronj të heshtur” të vrarë nga vetë arma e dashur e Partisë!?
Edhe në kohën e demokracisë, krahas vlerësimit të disa figurave historike të
ndaluara politikisht, janë vënë në fokus dhe të tjerë të pamerituar, prej
ndikimit politikës pragmatiste. Mirëpo nuk është e sigurtë se keta të rremit do
t’i mbijetojnë historisë. Më të vërtetë që ekziston një si aksiomë që duhet
respektuar çdokush që ra për një ideal, po këtu problemi është pikërisht
ideali, cili ishte i tillë dhe cili jo.
Heronjtë
e kauzave të mëdha, misionarët e shquar të progresit njerëzor nuk ka nevojë t’i
identifikojnë klanet e ndryshme, pasi ata kanë zënë vend vetë në panteon.
Përherë e më shumë flitet për Papa Klementin XI, po i bëhen buste e shtatore
pas treqind vitesh në Tiranë, Mërqi të Lezhës etj. Urojmë që kjo të ndodhë dhe
me imzot Prend Doçin, i cili ende nuk ka një shtatore publike në Mirditë,
Shkodër apo Tiranë, edhe pse në kryeqytetin shqiptar shkollat e reja mbajnë
emra politikanësh bashkëkohës, shuar vitet e fundit. Këto ditë u përkujtua më
Muzeun Historik Kombëtar folkloristi i shquar At Bernardin Palaj, njëri ndër
sëndërtuesit e kolanës “Visaret e Kombit”, ndërkohë që figura të tilla deri vonë
shiheshin si të kishës, kur ishte fjala për t’i nderuar e vlerësuar. Sa më
shumë që t’i bëhet jehonë veprës studimore të Aleksandër Xhuvanit, Injac
Zamputit, Rrok Zojzit, Qemal Haxhihasanit, Emid Tedeskinit, Ramadan Sokolit,
Aristidh Kolës etj. njerëzit jo vetëm që do të njihen me një elitë dijetarësh
shqiptarë të rendit të parë, por dhe do të kuptojnë amatorizmin e disave që besojnë në “veprën” e tyre
studimore (reformuese!) në lëmë të gjuhës, historisë, etnologjisë etj.
Njerëzit
mirëpresin çdo nismë shkencore që synon t’iu shkojë punëve të historisë në
themel. Është njoftuar se me 9 dhe 10 tetor Akademia e Shkencave do të
organizojë në Tiranë dhe Mirditë një konferencë shkencore dyditore, kushtuar
Shtetit të Arbërit (shteti i parë shqiptar, që i ka fillimet në vitin e largët
1190), me pjesëmarrjen e historianëve më të njohur. Profesor Shaban Sinani,
gjatë një komunikimi që patëm me të rreth kësaj veprimtarie, na bëri me dije se
është themeluar çmimi “Shuteriqi” për botime dokumentare, është shpallur konkursi
dhe çmimet do të akordohen në ditët e konferencës.
Shpresojmë
që në të njëjtën vazhdë, në të ardhmen nga Akademia e Shkencave të organizohen
konferenca të tilla dhe për ngjarje të tjera madhore, kulmore në historinë e
mesjetës së vonë, si Kuvendi i Arbnit (1703).
Të futesh në histori
përmes “veprës” prej kartoni...
Është
edhe kjo mendësi provinciale. T’i përcillesh historisë si autor! Për çudi,
shumë individë që ndryshimi i sistemit politik ua ndërpreu karrierën si nëpunës
të administratës, dhe pse nuk kishin asnjë lidhje me punët e shkencës,
historisë, shkrimtarisë, u lëshuan pas kësaj “zeje” si të ishte një tokë djerr,
duke sajuar libra që vetëm të tillë nuk mund të ishin. Meqë nuk kemi se si të
bëjmë karrierë ndryshe për t’u leçitur nesër në histori, hajt o burra të
shkruajmë libra!... Është një nga shkaqet që njerëzit janë ftohur me librin,
duke e braktisur jo pak atë. U krijua ideja se libra mund të bënte krejt
mëhalla. Libromania është një problematikë që e kemi trajtuar qysh nga vitet
2000, kur kishte filluar të përvijohej si dukuri, që jo vetëm nuk ka ardhur
duke u zbehur, përkundrazi është kthyer në një epidemi. Teoria e masave,
masivitetit i përket monizmit dhe njerëzit vinin në pluralizëm të mbrujtuar me
mendimin që njeriu mund ishte “specialist për gjithçka”. Ndërkohë që artet,
letërsia, shkenca nuk janë asnjëherë sipërmarrje masive, ku mund të kontribuojë
gjithsekush, por zhvillohen vetëm nga njerëz që kanë dhuntitë e duhura.
Grafomanët vazhdojnë të besojnë se me “veprën” e tyre po ndihmojnë në
emancipimin e shoqërisë, se janë duke dhënë këtë apo atë mesazh etj!? Ata
besojnë se nesër seria e veprave të tyre do t’i rrështojë me korrifejtë e
kulturës shqiptare. Po Migjeni që nuk ka një seri veprash, por vetëm dy të
tilla, si do t’ia bëjë? Po Lasgushi, gjithashtu vetëm me dy libra, “Vallja e
yjeve” dhe “Ylli i zemrës”? Autorët seriozë nuk nisën asesi nga numri i
librave, ata nuk i rreshtojnë ato në vitrinë si trofe, se i druhen “syrit të
keq”. Më fjalë të tjera ata e dinë se krijimtaria nuk është sasi, por cilësi.
Ky është thelbi i qenies së tyre krijuese. Paçka lirisë së botimit, askund në
Europë nuk mund të prodhosh libra në këtë mënyrë, pasi në thelb ky nuk është
botim, por shumëfishim dorëshkrimesh nga vetë autorët. Botimi është institucion
më vete, që nënkupton editimin, redaktimin, korrektimin, promovimin, tregun e
librit etj., prandaj janë shtëpitë botuese, po që shpesh as ato nuk e ndalojnë
këtë prurje mbarëpopullore “veprash” pa kurrëfarë vlere, produkt i plagjiaturës
dhe mediokritetit.
Nuk
dimë se cila do të ishte lutja në këtë rast, që të na shpëtonte nga marrëzia e
“shkrimtarisë”, pasi asaj lutjes së famshme ironike të Faik Konicës të para një
shekulli për të mos shkruar, kur nuk kemi gjë për të thënë, as që ia kemi vënë
veshin. Thua kaq hollë të na ketë njohur që atëherë, kur ende nuk kishim
lindur, apo “vesin” për të shkruar të gjithë njerëzia vjersha e kishte vënë re
te bashkëkohësit e tij? Ëh, grafomania dhe historia nuk takohen askund dhe
asnjëherë...