Mendime
Ndue Dedaj: Politikën mund ta (ri)themelojnë vetëm elitat
E enjte, 28.09.2023, 06:57 PM
POLITIKËN MUND TA (RI)THEMELOJNË VETËM ELITAT
NGA
NDUE DEDAJ
1
Në
Shqipëri mund të ndodhë çdo gjë kur është fjala për politikën, pasi ajo është
monopol vetëm i dy-tre individëve, krerëve të PS, PD, PL, të tjerët poshtë tyre
s’pipëtijnë, vetëm presin nëse shefi përkatës do t’ua zgjasë dorën apo jo. Këta
njerëz që kanë dalë në krye, kanë “reformuar” sa herë kanë dashur partinë e
vet, duke ngrirë, shkrirë, shkarkuar, zëvendësuar krejt lidershipin, kongresin,
kryesinë, sekretariatin etj. e krijuar në vend të tyre formacione politike
fasadë me emra të rinj, si “KOP”, “Rilindje” etj. Në të vërtetë asgjë e re nuk
ka ndodhur, foletë e reja kanë qenë thjeshtë furriqe për të ngrohur vezët e
vjetra udhëheqësit e pandërruar, të cilët askush nuk ka fuqi t’i shkulë nga
froni partiak. Atëherë, pse duhet shkruar për politikën? Pse duhet folur për
të? Populli kësaj i thotë me ironi: “Fol e rruej voe”!... Ndaj çdo rresht që
shkruajmë për politikën tashmë na duket humbje kohe, pasi askush nuk dëgjon
askënd, të ashtuquajturit politikanë shqiptarë e kanë përvetësuar politikën,
kush një parti e kush një tjetër, gjer ato partizat “kioska”, që shërbejnë sa
për të pjekur “qofte” për vete dhe për një dorë myshterinjësh drejtuesit e tyre
anonimë, duke ujdisur ca karriera të vockla pa elektorat, pa vota dhe pa
histori.
Bëhen
vazhdimisht ndryshime në qeveri, ikin dhe vijnë individë pa karrierë, pa emër
publik dhe në politikë, të cilët harrohen sapo të largohen, pasi kanë lënë
prapa veç zollume me të cilat merret SPAK-u dhe asgjë tjetër. Apo lehtësisht
një ministër që ka drejtuar për disa vite shëndetin publik, befas një mëngjes
gdhihet në krye të dikasterit të arsimit, pa u thënë qoftë dhe një fjalë se pse
bëhet ky emërim, për më tepër që zonja në fjalë nuk vjen nga ndonjë përvojë e
mëparshme akademike. Ajo çka duam të themi nuk është “fajësimi” i individit që
pa pasur ndonjë kontribut politik katapultohet në qeverisje, por e sistemit të
deformuar të emrimeve në hierarkinë shtetërore, si ekskluzivitet vetëm i një
njeriu. Nëse do të kishte funksionuar një sistem tjetër emërimesh dhe meritash,
zor se do të ishin ngjitur deri në majën më të lartë të pushtetit personazhe si
ish - ministri i Brendshëm, ish-ministri i Rindërtimit, ish - ministri i
Mjedisit, ish - ministri i Shëndetësisë, ish - ministrja e Bujqësisë,
ish-sekretarë të përgjithshëm ministrish, ish - deputetë, ish - kryebashkiakë,
kush i dënuar, kush i akuzuar dhe kush i përfolur për korrupsion. Ka njerëz me
integritet në partitë shqiptare dhe jo të gjithë e veshin “kostumin” e errët të
korrupsionit, por ata janë menjanuar.
Nga
ana tjetër, përballë kësaj panorame të frikshme nga oborri qeveritar, çfarë
alternative ndryshe sjell opozita si përballje me keqqeverisjen? Edhe këtu
asgjë e re, përpos paradoksit të rikthimit të atyre kalorësve të lodhur që e
kishin shirë lëmin si kishin dashur e sa kishin mundur për vite e vite;
rikthehet pas shtatë vjetësh pushim lideri historik i të djathtës (se si mund
të jetë i tillë një ish-komunist ec e merre vesh!), rikthehet po ashtu pasuesi
i tij riosh në PD, pasi ka bërë dhe ai pushim për një vit, për të marrë vulën
dhe kinse vazhduar aksionin opozitar. Ku tjetër ndodh të “nusërojnë” pafund të
dështuarit, që nuk fituan dot as bashkinë e Kukësit pas skandalit të
kryebashkiakut të mazhorancës, duke e çuar opozitën nga njëri dështim
spektakolar në tjetrin? Dhe a i keni dëgjuar politikanët si përbetohen? Çdo gjë
e bëjmë për qytetarët! Përpiqën të krijojnë idenë se ata nuk dalin në punë për
vete dhe familjet e tyre, por për qytetarët. Nuk e duan pushtetin për vete, po
për qytetarët. Nuk bëjnë tendera për vete, por për qytetarët. Si dje parulla:
“Ç’don populli, bën Partia”. Po si nuk bënë njëherë gjënë e duhur, largimin pa
kushte nga politika? A mund të ketë demokraci pa dorëheqje? Në politikë nuk do
të thotë si në shkencë a diku tjetër, se në qoftë se ke qenë njëherë i vlefshëm,
mund të jesh përherë. Kjo është përvoja europiane, amerikane etj.
2
Problemi
është se përtej këtyre aktorëve të tranzicionit nuk shihet asnjë shpresë, asnjë
lëvizje e re motivuese politikë që të bindë njerëzit. Asnjë sinjal se elitat po
lëvizin. Krejt ndryshe ishte në vitet ’90, ku profesorati i universiteteve etj.
u përfshi në lëvizjen politike të kohës, djathtas dhe majtas dhe në fillimet e
91-it prodhoi një Kuvend për t’u mbajtur mend, sidomos sa i përket opozitës, me
personazhe të elitës si Sali Berisha, Gramoz Pashko, Neritan Ceka, Pjetër
Arbnori, Aleksandër Meksi, Azem Hajdari, Arben Imami, Preç Zogaj, Besnik
Mustafaj etj. Në vigjilje të 33-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike
të Kosovës (më 23 dhjetor 1989) është publikuar lista e Këshillit Inicues për
themelimin e kësaj force politike, që bëri historinë moderne të Kosovës, 23
intelektuatë të elitës së kohës, shkrimtarë si Ibrahim Rugova, Mehmet Kraja,
Jusuf Buxhovi, Ali Aliu, Ramiz Kelmendi, akademikë si Idriz Ajeti, Mark
Krasniqi, Dervish Rozhaja, profesorë si Zekeria Cana, Fehmi Agani, Anton Çeta,
gazetarë, juristë, ekonomistë, mjekë etj. Pak rëndësi ka sa u mor më vonë me
politikë secili, por në çastin e duhur ata ishin bashkë për t’i shërbyer
politikës, që nuk ishte qenë profesioni i tyre. Këtë bëjnë intelektualët, ky
është misioni i tyre, të krijojnë vlera në shoqëri, aq më tepër në politikën e
re pluraliste, demokratike të vendeve që dilnin nga diktaturat. Ata janë të
vetmit që nuk e marrin më pas peng krijesën e vet, për të përfituar prej saj.
Edhe
sot elitat mund t’i “dorëzohen” politikës, përderisa klasa politike e
tranzicionit ka rënë. Mirëpo kjo duket një gjë gati e pamundur, pasi
intelektualët elitarë i druhen përdorjes nga politika. Ata shohin një elektorat
tradicional që nuk shkon për kollaj nga e reja, iu është përshtatur dy-tre
partive me militantizëm. Ky është vërtet një problem, pasi fundja është ai që e
bën ndryshimin. Ai ka në dorë ta refuzoje këtë klasë politike, siç dhe e ka
bërë jo pak, po të shohësh pjesëmarrjen e ulët në votime. Në thelb nuk është
elektorati, por janë partiakët e tij, që e kanë ndarë atë në klane të fortësh,
familjare etj. Ka një fanatizëm tridhjetëvjeçar mbizotërues në elektorat, që të
kujton dogmatikët e Partisë së Punës, që kanë mbetur të tillë dhe sot, ashtu si
dhe sivëllezërit e tyre të së djathtës, që nuk luajnë nga istakami kinse prej
parimeve, por në të vërtetë për shkak të liderve që kanë për zemër dhe pas të
cilëve e kanë lidhur qerren, edhe kur e shohin se nuk ka dritë në fund të tunelit.
Elitat
nuk janë një nocion abstrakt, por forca vetëvepruese, kur organizohen për kauza
publike. Veçori e tyre themelore është se ato kanë parime dhe jo interesa.
Vijnë në politikë për të shërbyer dhe jo për të mbushur “duçët” dhe kur i zë
halli me ligjin, marrin avionin për në shtete ku nuk kemi marrëveshje
ekstradimi. Ka njerëz që përdorin të tjerët, siç ka njerëz që pranojnë të
përdorën. Të dy palët e bëjnë me kënaqësi, përfshi dhe të dytët, pasi e kanë në
dorë të largohen në çastin që shefat duan t’i përdorin. Nuk është se përdoremi
vetëm ne, në këtë anë të Adriatikut, por dhe ata matanë Atlantikut. Për fat të
keq kemi të bëjmë me një marramendje planetare, që shkon deri te kamikazët
islamikë, apo paramilitarët serbë në Banjskë të Kosovës të dielën, mjerisht
duke përdorur një manastir ortodokës, ku besimtarët kishin shkuar për t’u
lutur. Pa folur për gjeneralët e “padishahut” rus që urdhërojnë sulmet mbi
Ukrainën, duke vrarë dhe civilët e paramatosur, nuk mund të kuptosh se si
militantë republikanë të Presidentit Trump i vënë flakën Shtëpisë së Bardhë në
Amerikën e demokracisë!? Ata marrin mbi supe nga 11 vite a më shumë humbje të
lirisë, kurse shefi i tyre vete deri te dera e burgut të Xhorxhias sa për një
foto, ndërkohë që në zgjedhjet e ardhshme presidenciale synon sërish tempullin
që vetë e përdhosi. E përdorja nuk është vetëm te të mëdhenjtë e rruzullit, aq
më shumë përdorën të vegjëlit, të varfërit shpirtërisht, njerëzit pa parime, që
shiten e blihen për “një thes miell”. Siç shihet, këndej nga ne, udha
postqeverisëse për disa ministra e funksionarë të tjerë të lartë shtetërorë po
kalon gjithnjë e më shumë nga SPAK-u. A duhet më shumë se sa kaq për të mos u
përdoruar, as nga halli e as nga qejfi?…
Elitat
dhe politika! Është një temë që i rikthehemi pas dhjetë vitesh, po nëse atëherë
gjenim ndonjë shembull se si politika pëthithte dhe nga elita individë të
shquar për t’i bërë ministra, si nga e djathta, ashtu dhe nga e majta, sot nuk
e kemi as këtë mundësi. Prandaj elitat e reja politike, o sot o kurrë, mund ta
rithemelojnë politikën shqiptare, ndryshe nga kjo e sotmja që kontrollohet nga
të fortit e veshur me pushtet, oligarkët, nepotizmi dhe krimi gjithfarësh.
Veçse kjo mund të ngjasë vetëm nëse politika shihet si mision nga
intelektualët, që dalin para njerëzve më programe vizionare, alternativa
zhvillimi, aksione politike që e shkundin përgjumjen tonë endemike dhe jo me
“fjalime” patetike opozitare nëpër
televizione, kush i reciton më me pathos sloganet e demokracisë auro -
atlantike etj. Shqiptarët janë çbesuar nga politika e tranzicionit, ndaj duhet
një tjetër gravitet politik që t’i bëjë ata të besojnë. Politikanët
tradicionalë nuk shporrën vetë, dhe pse marrin shuplaka sa herë votohet. Ata
janë koha e shkuar. Po e ardhshmja?...