Mendime
Enver Bytyçi: Serbia e Aleksandër Vuçiç dështoi
E merkure, 27.09.2023, 07:25 PM
Enver Bytyçi:
Serbia
e Aleksandër Vuçiç dështoi të dielën e kaluar, me 24 shtator, të destabilizojë
Kosovën, veriun e saj dhe ndoshta edhe rajonin! Qëllimi i tij ishte kthimi i
katër komunave të Veriut de facto në tokë serbe! Vuçiç nuk e kishte parashikuar
dështimin! Ai besoi se strukturat e krimit shtetëror serb, ushtria, BIA,
policia, forcat speciale, kisha do ta kryenin me sukses aksionin e aneksimit de
facto të veriut. Kështu ai do të shkonte në dialogun e Brukselit si triumfator
dhe do të thoshte se “Serbët e Kosovës nuk duan të jetojnë në shtetin e
Prishtinës”! Pra presidenti i Serbisë provokoi situatën, të cilën Vladimir
Putin e provokoi në Krime dhe në Donbas! Por dështoi!
Dështimi
është zhgënjim. Por edhe parathënia e një hakmarrjeje tjetër dhe rritje e dozës
së urrejtes ndaj “armikut”! Aleksandër Vuçiç nuk është nga ata që heq dorë nga
qëllimet e tij. Madje ai e tha hapur: - Mund të na vrisni të gjithëve, por ne
Kosovën nuk e njohim! Më troç se kaq nuk thuhet asgjë! Do të thotë se ai do të
luftojë për Kosovën. Do të organizojë të tjera sulme terroriste. Do të paguajë
më shumë dinarë, euro e dollarë për shërbëtorët e tij në Kosovë, në Shqipëri e
kudo që ata gjenden! Do të instruktojë shtabin e përgjithshëm, shefin e BIA-s,
Vulinin, kreun e Kishës Ortodokse, Radojçiçin ekzistent ose të ri, që herën
tjetër të kenë kujdes e të mos gabojnë në sulmet terroriste kundër shqiptarëve
dhe policisë së Kosovës.
Në
këto kushte euforia është armiku kryesor i shqiptarëve, i qeverisë dhe
institucioneve të Kosovës. Nuk ka rrugë tjetër, përveçse rritjes së
gatishmërisë dhe përgatitjeve intensive për të përballuar provokacione e sulme
të reja nga ata që nuk dinë të ndalen në aktet terroriste. Kosova i ka të
gjitha kapacitetet që të parandalojë çdo akt terroist serb në territorin e saj.
Por qeveria dhe presidentja duhet të kërkojnë urgjentisht jo vetëm lejen që
ushtria dhe forcat e sigurisë të kenë akses në të gjithë territorin e vendit,
por edhe pranimin në NATO. Çdo vonesë është e dëmshme për Kosovën, rajonin e
vetë strukturat euro-atlantike.