Mendime
Florim Zeqa: E dua Mitrovicën sa tërë Kosovën!
E enjte, 21.09.2023, 06:56 PM
E dua Mitrovicën sa tërë Kosovën!
Shkruan:
Florim Zeqa
Qyteti i Minatorëve
Kështu
e quanin Mitrovicën e tërë Kosova në fund të viteve të ’80-ta, si sinonim me
Grevën e Minatorëve të shkurtit të vitit 1989. Greva e 1300 minatorëve të
Kosovës në vitin 1989 ishte një grevë urie e iniciuar nga punëtorët e Minierave
të Trepçës më 20 shkurt 1989 kundër heqjes së autonomisë së Krahinës së Kosovës
nga Republika Socialiste e Serbisë. Greva përfundoi më 28 shkurt pas shtrimit
në spital të 180 minatorëve dhe dorëheqjes së krerëve të Lidhjes Komuniste të
Kosovës Rahman Morina, Ali Shukriu dhe Husamedin Azemi.
Greva
e vitit 1989 ishte shndërruar në rezistencë paqësore mbarë popullore për të
mbrojtur Kosovën nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar njëherit
edhe fillimin e zhbërjes së Jugosllavisë.
Histori e vjetër
dashurie për Mitrovicën
Me
të arritur në qytetin e Mitrovicës, objekti i parë që bie në sy është
Përmendorja e lartë e Minatorëve, në një kodër, herë të gjelbëruar, herë të
tharë e herë të mbuluar me borë buzë pjesës urbane të qytetit. Në kujtesën e
secilit qytetar dhe vizitor, emri i Mitrovicës korespondon me këtë objekt, që
shihet nga të gjitha pjesët e qytetit. Ky monument ka nisur të ndërtohet në
vitin 1959 në vendin e quajtur “Kodra e Minatorëve” dhe është përfunduar në
vitin 1973.
Janë
shumë pika turistike dhe monumentale në Mitrovicë, por Monumenti i Minatorëve,
Kalaja e Zveçanit dhe Kulla e Isa Boletinit ishin ndër vendet historike më të
vizituara gjatë kohës së studimeve në ‘Qytetin e Minatorëve’.
Përderisa
dy të parat, Monumenti Minatorëve dhe Kalaja e Zveçanit janë të pandryshuara që
nga vitet e ’80-ta, kurse Kulla e Isa Boletinit asokohe ishte e rrënuar, ku
vetëm një gurë vertikal i shtëpisë i kishte mbijetuar kohës. Për fat të mirë
sot Kulla është e rindërtuar dhe e kthyer në Muze Kombëtar për vizitorët.
I
ndava këto tre pika orjentuese të ish qytetit të bashkuar të Mitorvicës me të
cilat ndërlidhet edhe dashuria e jetës ime, e cila më bën ta dua Mitrovicën sa
tërë Kosovën.
Si e mësova historinë e
vërtetë të Isa Boletinit
Ndjenjë
e mirë është kur e sheh origjinalin, e krejt ndjenjë tjetër kur e sheh kopjen e
atij origjinali!
Ndjenjë
e mirë është kur historinë e heroit kombëtar e mëson nga historianët, por krejt
ndjenjë tjetër kur atë e dëgjon dhe e mëson nga familjarët dhe pasardhësit të
heroit!
Ndjehem
me fat që historinë e vërtetë të heroit kombëtar Isa Boletini e mësova në fshatin
Boletin në pranverën e vitit 1983 gjatë vizitës me mikun Xhevat Zeneli në
konakun e profesorit Rrustem Peci-Boletini (dajë i mikut tim).
Më
shumë mësova për Isa Boletinin për një ditë të vetme në Boletin sesa për dekada
nga profesorët dhe historianët e kohës!
Më
shumë kam mësuar për Isa Boletinin nga libri KUJTIME i Tafil Boletinit (nip i
Isa Boletinit) sesa nga secili libër historie që kam lexuar deri më tani.
Vetëm
në librin KUJTIME të Tafil Boletinit i ndarë në dy vëllime; PRANË ISA BOLETINIT
& PËRBALLË SFIDAVE TË KOHËS, mund ta mësoni historinë e vërtetë dhe të
drejtë të Isa Boletinit.
Ju
bëjë thirrje publike gjithë opinionit të gjërë, shqiptarëve në trojet etnike
dhe diasporë që ta lexojnë këtë libër e të mos bien pre e pseudo-historianëve
të sojit të keq, të cilët me porosi të armiqve tonë shekullorë po trumbetojnë
të pavërteta për Isa Boletinin dhe Ismail Qemalin.