E merkure, 04.12.2024, 05:41 PM (GMT)

Mendime

Florim Zeqa: Lehtë për ta fituar, e vështirë për ta mbrojtur lirinë!

E merkure, 04.10.2023, 06:50 PM


Lehtë për ta fituar, e vështirë për ta mbrojtur lirinë!

Shkruan: Florim Zeqa

Ngjarjet e fundit në veri e shtrojnë nevojën e unifikimit të skenës politike, por edhe të gjithë shqiptarëve në trojet etnike dhe në diasporë. Nuk ka vend për vetëkënaqësi, pasi një betejë e fituar nuk është një luftë e fituar. Duhet të kemi kujdes nga ndjenja e fitores dhe patriotizmi i shfrenuar, por të tregohem akoma më syqelë e më të vemëndshëm se asnjëherë më parë.

Fiksionet e gabuara politike shndërrohen në mashtrime dhe iluzione për qytetarët

Të qënurit në shërbim të tadheut dhe popullit tënd është ndjenja më e lartë shpirtërore e njeriut i cili e do me zemër dhe shpirt vendin e vet.

Jo të gjithë politikanët dhe liderët shtetërorë e kanë provuar një ndjenjë të tillë!

Prandaj sillen si pula pa kokë, herë andej e herë këndej duke mos i zgjedhur rrugët e duhura për zgjidhjen e problemeve politike. Njerëzit e mençur tre herë matin e një herë prejnë. Që i bie se mendohen mirë paraprakisht derisa ta zgjedhin rrugën e duhur.

Njeriu duhet të mendohet mirë në përcaktimin e rrugëtimit jetësorë, në veçanti në politikë duhet menduar akoma më shumë e më gjatë, për shkak se çdo gabim në politikë e ka koston e madhe dhe afatëgjate për gjeneratat që vijnë pas nesh.

Të flitet vetëm për luftën e jo për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenjen qytetare është gabimi më i madh dhe i pafalshëm i një klase politike.

T’iu thuhet qytetarëve të Kosovës, se shqiptarët janë në pozitë të volitshme dhe më të përgatitur se asnjëherë më parë gjatë historisë për të luftuar, është mesazhi më i keq dhe oguri më i zi për të ardhmen e vendit.

Nuk guxon të përseritet historia e luftërave në Ballkan

Ngjarjet e fundit në veriun e vendit duhet t’i shërbejnë klasës politike si moment kthese dhe reflektimi për unifikim të faktorit politik pa dallim pushtet dhe opozitë, pa dallim ngjyrimi partiak apo ideologjik.

Duhet shfrytëzuar maksimalisht momentumin politik kur e gjithë diplomacia ndërkombëtare është duke e dënuar sulmin në veri, që ky dënim të kthehet në ndëshkim për shtetin serb e jo ta humbim rrugën duke i thurur lavde një lideri apo subjekti të caktuar partiak duke sharë e fyer pjesën tjetër të spektrit politik.

Por duhet të shfrytëzohet ky momentum i krijuar nga e gjithë skena politike kosovare pa dallim, për tu bashkuar rreth një qëndrimi të përbashkët për të kërkuar ndëshkimin dhe izolimin e shtetit të Serbisë dhe për t’i kërkuar BE-së heqjen e sanksioneve ndaj shtetit tonë.

Në kohën kur diplomacia evropiane dhe ajo perëndimore e kanë vënë në shënjestër të kritikës dhe mbajtjes përgjegjëse Serbinë për eskalimin e dhunës në veri, politika jonë nuk guxon të jetë e përgjumosur, por të jetë e zgjuar dhe aktive 24 orë në ditë për të ndërmarrë veprimet e duhura politike për shtrirjen e sovranitetit në kuptimin e plotë të fjalës edhe në veri, në mënyrë që edhe atje të funksionojë rendi sipas ligjeve të Kosovës, që serbët e asaj pjese të detyrohen t’i kryejnë obligimet ndaj shtetit të Kosovës siq i kryejnë qytetarët në tërë territorin e vendit e jo të mbeten edhe më tutje konsumues të resureseve energjetike dhe ujore të shtetit të Kosovës pa e paguar asnjë faturë të energjisë elektrike tani e 24 vite më parë.

Lëreni lojën më fjalë, veprat flasin vet

Asnjë kuptim më nuk e ka fjalori politik i liderëve shtetërorë për shtrirje të sovranitetit në veri përderisa serbët nuk e paguajnë rrymën, ujin dhe tatimet ndaj shtetit të Kosovës!

Kur i kam treguar një zyrtari komunal në Itali për mospagesën e faturave të rrymës, ujit dhe tatimeve nga serbët e pjesës veriore për 24 vjet rresht, ai ma kthejë shkurt, fajtorë jeni vet, pse nuk ua keni këputur “telat” nga fillimi?!

Mirëpo, kur atij i tregova për implikimet ndërkombëtare në këtë situatë të krijuar, atëherë mbeti akoma më i befasuar për njëanshmërinë e faktorit ndërkombëtar.

Kjo ka ndodhur nga mungesa e trysnisë dhe insistimit të politikanëve tonë ndaj përfaqësuesve ndërkombëtar në Kosovë, me pyetjen: “Cili komunitet në vendet nga ju vini nuk i kryen obligimet ndaj shtetit?!”

Pas përgjigjes hipotetike të tyre, “asnjë komunitet nuk e ka një privilegj të tillë”, atëherë është dashur të kërkohet edhe ndihma e tyre për shtrirje të inkasimit të rrymës edhe në veri dhe kudo tjetër ku nuk paguhet rryma e harxhuar.

Deri më tani asnjë liderë shtetërorë dhe partiak nuk e mori guximin që ta bëjë një gjë të tillë, por secili kryeministër që erdhi në pushtet, e zbrazi arkën e shtetit duke paguar qindra miliona në vit për rrymën e shpenzuar në veri. Secila qeveri dhe secili kryeministër pa dallim deri tek ky i fundit, dështimin e mbuluan me afera skandaloze dhe spektakle televizive. E tani kur flasin vetëm për luftën, askujt nuk i bie ndërmend t’i permend faturat e rrymës në veri!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora