E marte, 03.12.2024, 02:13 AM (GMT)

Mendime

Enver Bytyçi: Pse presidenti i Serbisë e sulmoi Vjosa Osmanin për anti-serbizëm?!

E enjte, 05.10.2023, 06:54 PM


Pse presidenti i Serbisë e sulmoi Vjosa Osmanin për anti-serbizëm?!

Nga Enver Bytyçi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka sulmuar ashpër Vjosa Osmanin gjatë një interviste që ai ka dhënë për një gazetë boshnjake. Sipas tij, presidentja e Kosovës është më e rrezikshme sesa Kurti. Dhe këtë rrezikshmëri e lidh jo rastësisht me pjesmarrjen e zonjës Osmani në Nju Jork me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. “Por për këtë ishte në Nju Jork presidentja Vllosa Osmani. Ajo është edhe më keq se Kurti kur është fjala për qëndrimin e saj ndaj serbëve dhe Serbisë. Kurti i tërheq të gjitha fijet, por Osmani është më i rrezikshëm se ai”.

Ishim mësuar me atë Alekdandrin e para 24 shtatorit, kur një në dy fjali e adresonte kundër Albinit. Ndërkohë që ky sulm i presidentit të Serbisë është i pari në llojin e vet që prej më shumë se dy vitesh, kur ajo u zgjodh presidente e Kosovës. Vuçiç vazhdimisht kishte marrë në shënjestër kryeministrin Kurti, por jo edhe presidenten Osmani. Fakti që ai e konsideron kryetaren e shtetit të Kosovës „më të rrezikshme se Kurtin për serbët”, dëshmon se ai synon të arrijë disa objektiva:

Së pari, të krijojë ose të nxitë një lloj gare në lidershipin e Kosovës, se kush do të dëshmohet më së shumti anti-serb. E nëse nxit garën, atëherë është e sigurt se Osmani dhe Kurti do të gabojnë. Kësisoj presidentit serb i vjen shansi për ta rikthyer sërishmi situatën në favor të tij. Pra të sigurojë epërsi politike e diplomatike mbi Kosovën, duke adresuar gishtin te ajo që „Problemi është Prishtina”! Dhe anasjelltas se “Beogradi është normal”!

Së dyti, ai beson se mund të nxitë gjithashtu xhelozi midis presidentes dhe kryeminisrit të Kosovës. Për pasojë edhe konflikt midis tyre. Më tej, përmes aksiomës “Përça e sundo”, të mbizotërojë situatat që zhvillohen për shtetin e Kosovës! Kosova është në fakt deri diku e përçarë. Ramush Haradinaj mbron hapur opsionin Rama-Vuçiç të vënies së veriut nën protektoratin ndërkombëtar. Skënder Hyseni merr në mbrojtje kriminelin e Beogradit, arkitektin e terrorit në Kosovë, Aleksandër Vuçiç, kur thotë se “Me mua ai nuk është sjellë me arrogance”! Duke mos u pajtuar kështu me deklaratën e zotit Kurti, për arrogancën me fyerje të presidentit të Serbisë në ballafaqimin e palëve në dialog. Ndërkaq media të caktuara vazhdojnë edhe në kushtet e tilla të mbrojnë tezën se “Akti terrorist në Zveçan ishte i drejtuar jo vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër presidentit të Serbisë”! Pra, përçarja është sponsorizuar fuqishëm nga ana e Beogradit. Por kjo përçarje, përfshirë dhe atë që shkaktojnë qëndrimet e kryeministrit të Shqipërisë, nuk i mjafton presidentit të Serbisë. Ai synon një përçarje të brendshme në institucionet qeverisëse të Kosovës!

Së treti, Vuçiç, duke u thënë serbëve se edhe “Vjosa Osmani është e rrezikshme për serbët, madje më e rrezikshme se kryeministri Kurti”, hedh në tregun mediatic, sidomos atë të brendshëm, idenë se të gjithë në Kosovë janë të ngarkuar me “urrejtje” kundër serbëve. Atë që ai e ndjen në shpirtin e tij kundër shqiptarëve, beson se e manifeston edhe kundërshtari i tij kundër serbëve. Por kryesore për të është homogjenizimi i serbëve kundër shqiptarëve. Këtë mësim ai e ka marrë nga ideatori i luftës për asgjësimin e shqiptarëve, akademiku, Vasa Çubrilloviç, i cili ka formuluar modelin e urrejtjes deri në vdekje kundër shqiptarëve. Por që të funksionojë ky model, atëherë duhen bindur ata se të gjithë shqiptarët, përfshirë dhe presidenten e jo vetëm kryeministrin e Kosovës, „i urrejnë serbët për shfarosje“! Është kjo një strategji e njohur e ultra nacionalistëve serbë. Strategji, e cila është shoqëruar me valë të shumta të asgjësimit fizik të shqiptarëve në Kosovë e ish-Jugosllavi. Është aplikuar me vrasje e masakra pa fund, me djegje dhe dëbime masive e permanente, me grabitjen e pasurive e dhunë fizike të vazhdueshme.

Së katërti, deklarata e Vuçiç se „Vjosa Osmani është më e rrezikshme se Albin Kurti “për serbët, synon të krijojë armiqësi midis nacionalistëve ekstremë të drejtuar nga presidenti i vendit dhe serbëve lojal në Kosovë e në Serbi. Ngjarja e 24 shtatorit ka rritur numrin e serbëve, të cilët tashmë besojnë te institucionet dhe policia e Kosovës. Sipas ministrit Sveçla gati 34 përqind e serbëve në katër komunat e veriut e pranojnë shtetin e Kosovës dhe për pasojë këta shihen si kërcënim për dështimin e plotë të politikës së Vuçiç për aneksimin e këtij territori dhe pasurive të mëdha aty. Nëse serbët e Kosovës, sidomos ata në veri, rritin besimin te bashkëjetesa me shqiptarët, atëherë Beogradi nuk do të ketë më asnjë rol, alibi dhe fuqi të realizojë projektet e veta në këtë vend dhe pavarësia e shtetësia janë të garantuara.

Për këtë arsye disa herë kam sjellë në vëmendje domozdoshmërinë që qeveria e Kosovës të investojë në veri të vendit. Ta përmirësojë e ta bëjë më të mirë jetën e banorëve të veriut, ku shumicë dërmuese janë serbët. Të jenë prezentë me projekte të shumta aty. Buxheti i shtetit duhet të adresohet pikërisht te infrastruktura dhe mirëqenia e këtyre banorëve, jetën e të cilëve e kanë kontrolluar bandat dhe kriminelët. Vetëm në këtë mënyrë forcohet besimi. Dhe sado që presidenti Vuçiç të përpiqet ti hemogjenizojë ata kundër shqiptarëve, e vërteta nuk mund të tjetërsohet!

Dhe së fundmi, Vuçiç i druhet përballjes me Vjosa Osmanin në marrëdhëniet ndërkombëtare. Nuk e pranon rolin e saj në kontaktet me SHBA-të dhe përfaqësuesit europianë. Xhelozon kur e sheh atë në krah të presidentit amerikan e të sekretarit të Shtetit. Kur presidentja e Kosovës vihet në tavolinat e takimeve ndërkombëtare në krah të kancelarit gjerman. Të gjitha këto e bëjnë atë të ndjehet i pavlerësuar, i padobishëm, i injoruar! Ndaj dhe e bëri atë objekt të një akuze të pabazë, pa asnjë fakt, pa asnjë provë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora