Mendime
Mehmet Kraja: Sfidat e bashkëpunimit ekomomik Kosovë-Shqipëri
E premte, 06.10.2023, 07:37 PM
Fjalë e mbajtur në konferecën për sfidat e bashkëpunimit ekomomik Kosovë-Shqipëri
Nga
Mehmet Kraja
Të
nderuar miq, akademikë, pjesëmarrës të konferencës shkencore për bashkëpunimin
ekonomik Kosovë-Shqipëri.
Më
lejoni të them që në fillim se unë i takoj atij rrethi njerëzish, atij brezi,
të cilët integrimet e ndërvetshme, përfshirë edhe bashkëpunimin ekonomik, si
një komponentë themelore e këtij integrimi, i konsideroj me prioritet kundrejt
të gjitha integrimeve të tjera, madje si pararendje në integrimin e rrëmujshëm
europian.
I
takoj, gjithashtu, atij rrethi njerëzish, atij brezi, të cilët kanë besuar se
një situatë ideale siç kjo, kur Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete më vete,
integrimi i ndërvetshëm nuk është vetëm idealitet, është imanencë, është
domosdoshmëri.
Pse
nuk po ndodhë kjo? Pse kemi ende ngecje në bashkëpunimin politik, ekonomik dhe kulturor
Kosovë-Shqipëri?
Duhet
t’i heqim disa tabu dhe të flasim hapur, sepse kemi nevojë që nga kjo foltore
t’i quajmë me emrin e vërtetë disa faktorë, disa zhvillime që e pengojnë këtë
integrim.
Pra,
duhet ta themi qartë se është politika ajo që bën pengesa, që iu fut shkopinj
nën rrotë integrimeve shqiptare. Në këtë pikë mendoj se do të pajtoheni të
gjithë se Shqipëria do të duhej të ishte promotori i këtyre integrimeve dhe i
këtij bashkëpunimi. Por, është duke ndodhur e kundërta: Shqipëria ndonjëherë me
shumë agresivitet, i jep vetes rol paternalist, ndonjëherë duke cenuar
interesat vitale të Kosovës dhe herë të tjera duke margjinalizuar fuqinë
vendimmarrëse të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
E
them këtë vetëm për të bërë me dije, duke menduar se ju, ekspert të ekonomisë,
do ta thoni qartë se nismat si “Ballkani i hapur”, pavarësisht sa kanë qenë
nisma ekonomike, ose politike-ekonomike, ato kanë qenë thellësisht politike dhe
kanë dëmtuar substancialisht marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri. Të besosh se
Shqipëria mund të flasë sot në emër të Kosovës, duke mos marrë parasysh
interesat e saj; njësoj sikundër që të besosh se marrëdhëniet e Shqipërisë me
disa fqinjë ballkanikë dëmtohen për shkak të Kosovës, është naivitet politik.
Është po ashtu naivitet politik të besosh se marrëdhëniet Tiranë-Beograd mund
të zhvillohen në harmoni të përsosur, jo më duke anashkaluar Kosovën, por duke
prekur në substancë interesat e saj. “Ballkani i hapur” i ndihmoi Serbisë ta
anashkalonte dhe ta margjinalizonte Kosovën në të gjitha marrëdhëniet rajonale.
Po
ashtu mendoj se duhet thënë me qartësi se në bashkëpunimin ekonomik
Kosovë-Shqipëri janë krijuar disa parakushte të mira, siç është komunikimi dhe
qarkullimi i papenguar i mallrave, i njerëzve dhe i kapitalit, por duhet evituar
të gjitha pengesat e paarsyeshme.
Këto
janë çështje që besoj se do të trajtohen gjerësisht në këtë konferencë.
https://www.facebook.com/mehmet.kraja