E merkure, 04.12.2024, 07:25 PM (GMT)

Mendime

Florim Zeqa: Bashkojeni Mitrovicën

E premte, 06.10.2023, 06:50 PM


Bashkojeni Mitrovicën

Letër e hapur presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti, kryeparlamentarit Glauk Konjufca, të gjithë liderëve partiak dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës

Shkruan: Florim Zeqa

Mitrovica nuk ka qenë e ndarë as në kohën e Krajlit, as të Titos dhe as të Millosheviqit, por u nda pas rishpalljes së pavarësisë së Kosovës. Siq dihet Mitrovica gjithmonë ka qenë qytet i bashkuar me lumin Ibër në mes të qytetit. Mitrovica Veriore ose Mitrovica e Kosovës Veriore është themeluar në vitin 2013 pas krizës në pjesën veriore përmes të ashtuquajturit proces i decentralizimit!

Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, përligjje e marrëveshjes së Kumanovës

Marrëveshja e Kumanovës ose Marrëveshja Ushtarako-Teknike në Kumanovë i dha fund dhunës serbe në Kosovë si një parakusht për ndaljen e bombardimeve të NATO-s mbi caqet strategjike serbe.

Marrëveshja e Kumanovës, ndërmjet NATOS dhe Serbisë, u nënshkrua më 9 qershor 1999, e cila hyri në fuqi më 11 qershor 1999. Atë e nënshkruan General Sir Michael David Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së Havijer Sollana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimeve ndaj Serbisë dhe në të njëjtën ditë Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Pra ndarja faktike e Mitrovicës dhe e pjesës veriore në përgjithësi ka ndodhur në Kumanovë më 9 qershor të vitit 1999, me marrëveshjen politiko-ushtarake mes gjeneralëve të NATO-s dhe atyre të ushtrisë serbe. Për çka ish presidenti i Serbisë, Slobodan Milosheviqi, asokohe kishte deklaruar, se Serbia ka fituar me këtë marrëveshje, dhe jo rastësisht KFOR-i ruso-francez u vendosën mbi Urën e lumit Ibër pas tërheqjes së forcave pushtuese serbe nga Kosova në qershorin e vitit 1999.

Marrëveshja e Brukselit të vitit 2013, është vetëm përligjje e marrëveshjes së Kumanovës, në të cilën janë dakorduar që komuna e Mitrovicës veriore të jetë qendër administrative e Asociacionit të Komunave Serbe.

Ndarja “De Jure” u shfrytëzua si pretekst i krizave të njëpasnjëshme në veriun e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia më 17 shkurt të vitit 2008. Komuna Veriore e Mitrovicës u njoh nga Qeveria e Kosovës në vitin 2013 para zgjedhjeve lokale të këtij viti.

Nga ajo kohë qyteti është i ndarë në dy pjesë: Mitrovica Veriore dhe Mitrovica Jugore e cila ndahet në lumin Ibër, por tensionet etnike në atë pjesë mes serbëve dhe shqiptarëve jo vetëm që nuk u ndalen asnjëherë, u përshkallëzuan në vijimësi me barrikadime të kohëpaskohshme deri në përleshje të armatosur e cila ndodhi më 24 shtator të vitit 2023.

Edhe përkundër tensioneve dhe krizave të njëpasnjëhsme politike, Mitrovica në veri të shtetit më të ri në Evropë ende është e ndarë dhe e acaruar mes shqiptarëve dhe serbëve edhe 24 vite pas përfundimit të luftës.

Moment i papërseritshëm për bashkimin e Mitrovicës

Pas ngjarjeve të 24 shtatorit 2023 është hapur rruga për bashkimin e qytetit të Mitrovicës. Për këtë hap ‘Qeveria e Kosovës’ kësaj radhe do ta ketë mbështetjen e plotë të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, të cilat jo vetëm që nuk do ta pengojnë, do t’i gjejnë modalitet e duhura për bashkimin e qytetit për të ruajtur më lehtë shtetin unitar të Kosovës. Pasi nuk mund të ketë integrim të pjesës veriore pa bashkimin e qytetit të Mitrovicës.

Bashkimi i Mitrovicës është i lehtë dhe i thjeshtë, ngase asnjëherë gjatë historisë nuk kanë qenë dy Mitrovica, por vetëm një, anipse serbët disa herë kanë manipuluar me emërtimet si, Mitrovica e Kosovës, Mitrovica e Titos, etj.

Bashkimi i Mitrovicës është “Alfa dhe Omega” e zgjidhjes së problemit të veriut dhe pamundësimi i krijimit të Asociacionit me kompetenca ekzekutive.

Përderisa 33 vjet më parë u bashkua Gjermania e ndarë gjatë luftës së dytë botërore, pse të mos bashkohet Mitrovica e ndarë 10 vite më parë!?

Kjo është e mundur me vullnet, vendosmëri dhe pragmatizëm politik. Mbase është edhe koha më e duhur për bashkimin e qytetit të ndarë, kur e tërë bashkësia ndërkombëtare tashmë janë bindur për politiken agresive dhe orekset hegjemoniste të Serbisë.

Përveq aspekteve historike të cilat e favorizojnë bashkimin e qytetit, janë edhe resurset natyrore dhe pasuritë nëntokësore që e shtrojnë nevojën e bashkimit të shpejtë të Mitrovicës.

Mitrovica është vet historia, është uji dhe drita, është kristali dhe ari, është shpirti i Kosovës.

Pas 24 shtatorit, me Serbinë nuk duhet diskutuar për ndarjen territoriale të Kosovës, por duhet kërkuar asaj që të bëjë kërkimfaljen për krimet gjenocidale ndaj popullatës civile, duhet kërkuar zbardhjen e fatit të 1617 të zhdukurve shqiptarë gjatë luftës së fundit, duhet kërkuar pagimin e dëmeve të luftës, kthimin e pensioneve, kthimin e librave kadastral, kthimin e librave të regjistrimit civil si dhe ndarjen e hises që i takon Kosovës pas shpërbërjes së ish Federatës Jugosllave.

Kur kjo të ndodhë, do të ndodhë edhe njohja e ndërsjellë si proces i natyrshëm politik.

Me këngë e çifteli nuk bashkohet Mitrovica

I kaluam 24 vite nga ndarja faktike e pjesës veriore dhe mbi 10 vite të ndarjes “De Jure” të Mitrovicës në dysh, i kaluam kaq vite duke ëndërruar, duke kënduar e vajtuar, duke gënjyer e zhgënjyer veten tonë se një ditë do të bashkohet qyteti i Minatorëve.

Përgjatë këtyre viteve i "provuam" të gjitha mundësitë tona për të bindur (frikësuar) pushtuesin tonë verior të na lë Mitrovicën, por kot!

Atë që nuk mundi ta bëjë shumë vite më parë ylli i muzikës shqiptare, e madhja Shkurte Fejza me këngën; "Jo nuk ndahet Mitrovica", provuan ta bëjnë edhe liderët tonë përmes fushatave zgjedhore disa herë dhe në vijimësi, përderisa në zgjedhjet e viteve të fundit as që humbën kohë të merren me Mitrovicën, jo shkaku i kohës së shkurtër të fushatës, por shkaku i konsumimit të kësaj çështje në fjalorin e tyre politik.

Ashtu sikurse ndarja e Mitrovicës që nuk ishte e rastësishme (e planifikuar), edhe veprimet e mëpastajme të pasluftës në pjesën veriore ishin mirë të planifikuara dhe të koordinuara nga Serbia, Rusia dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare për zbrazjen e pjesës veriore nga shqiptarët. Sipas të dhënave, përgjatë 24 vjetve të fundit janë dëbuar mbi 15 mijë shqiptar në pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës dhe gjithandej Kosovës.

Heronjët e vetëm të gjallë të asaj toke janë ata pak banorë shqiptar të mbetur në pjesën veriore, të cilët me prezencen e tyre fizike janë duke u munduar t'i dalin zot trojeve te veta stergjyshore, përderisa liderët politik u sillen me hipokrizi ndaj tyre duke ju thënë "Jo nuk ndahet Mitrovica", duke mos e bërë as hapin më të vogël politik dhe juridik për ri-bashkimin e qytetit.

Të nderuar liderë shtetërorë dhe partiak, të zgjedhur të popullit, të dashur deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, tani është momentumi më i përshtatshëm kohor për bashkimin e qytetit të Mitrovicës dhe pjesës veriore në përgjithësi. Leni ndarjet dhe pikëpamjet ideologjike, leni akuzat ndaj njëri-tjetrit, mos u merrni me gabimet e të tjerëve, por merruni me riparimet e dëmëve, në të kundërtën, nesër edhe ju mund të akuzoheni për mosveprimet e duhura në çastin më të përshtatshëm historik nëpër të cilin po kalon Kosova. Andaj, pa humbur kohë bashkojeni Mitrovicën si parakusht për integrimin e pjesës veriore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora