Mendime
Florim Zeqa: Pse politikanët nuk e duan bashkimin e Mitrovicës!?
E marte, 10.10.2023, 07:52 PM
Pse politikanët nuk e duan bashkimin e Mitrovicës!?
Shkruan:
Florim Zeqa
Të
nderuar liderë shtetërorë dhe partiak, të zgjedhur të popullit, të dashur
deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, tani është momentumi më i
përshtatshëm kohor për bashkimin e qytetit të Mitrovicës dhe pjesës veriore në
përgjithësi. Leni ndarjet dhe pikëpamjet ideologjike, leni akuzat ndaj
njëri-tjetrit, mos u merrni me gabimet e të tjerëve, por merruni me riparimet e
dëmëve, në të kundërtën, nesër edhe ju mund të akuzoheni për mosveprimet e
duhura në çastin më të përshtatshëm historik nëpër të cilin po kalon Kosova.
Andaj, pa humbur kohë bashkojeni Mitrovicën si parakusht për integrimin e
pjesës veriore.
Liderët partiak iu
gëzuan lirimit të Radojqiqit
Me
këta rreshta e përfundova shkrimin e datës 05.10.2023, drejtuar liderëve
shtetëror dhe partiak, si dhe deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
në ditën kur mbahej Seanca e Kuvendit.
Nuk
prisja përgjigje nga lidershipi shtetëror dhe partiak, por kam pritur reflektim
të deputetëve për trajtimin e kësaj teme në Parlament. Kam pritur që kjo letër
e hapur të lexohej nga ndonjëri prej deputetëve, jo për t’më nderuar mua, por
për ta nderuar veten dhe parlamentarët (të zgjedhurit e popullit) në
përgjithësi. Ngase nuk ka qytetar të këtij vendi i cili nuk e dëshiron
bashkimin e Mitrovicës me përjashtim të ortakëve dhe bashkëpunëtorëve të Millan
Radojqiqit dhe Aleksandër Vuqiqit.
Arsyeja
pse liderët shtetërorë e partiakë dhe shumica e politikanëve nuk e duan
bashkimin e Mitrovicës janë lidhjet kriminale me oligarkët në veri të vendit.
Argumenti
shtesë për këtë që e themë është shënjestrimi i shkëlqyeshëm i Millan
Radojqiqit i shfaqur me qindra herë në mediat tona, porqë mbeti i paprekur nga
shënjestari anonim!
Siq
duket, më shumë se vet Vuqiqi, i janë gëzuar shpëtimit dhe lirimit të
Radojqiqit një pjesë e liderëve partiakë dhe mafio-oligarkët ekonomik, të cilët
ushqehen nga kontrabandimi i produkteve serbe pikërisht nga i njëjti njeri në
veri të vendit.
Prandaj,
arsyeja kryesore pse nuk u qëllua Radojqiqi pas shënjestrimit, është lidhja e
fuqishme e klasës politike në pushtet dhe opozitë me të, pa të cilin nuk do të
kishim më përseritje të epizodeve të Bajnska. Për këtë arsye klasës politike
nuk i konvenon përfundimi i filmit, por vazhdimi i tij në trajtën e telenoves.
Përseritja
e vazhdueshme nga liderët shtetërorë e refrenit për vazhdimin e skenarit të
Banjska e vërteton atë që ceka më sipër, se dikujt vërtetë i konvenon vazhdimi
i telenoveles kriminale në veri të vendit tonë.
Andaj,
sa më shumë flitet nga liderët shtetëror për luftën, aq më të vogla do të jenë
mundësitë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e vendit tonë dhe rajonit në
përgjithësi.
Kosovës
jo lufta, por nuk i konvenon ta humb asnjë qytetar të vetin, e aq më pak
zyrtarë policorë në veriun e vendit. Kosova nuk ka djem për të humbur në veri
dhe as nuk ka nevojë për heronjë të rinjë. Mjaft kemi derdhur gjak për lirinë e
vendit tonë. Deklaratat e Albin Kurtit se duhet të përgatitemi për agresione të
ardhshme të Serbisë, në mënyrë që ato të dështojnë përsëri. Kjo deklaratë
luftënxitëse sa e papërgjegjshme politikisht, është edhe kërcënuese për
qytetarët e Kosovës.
Qytetarëve
të mbetur në Kosovë duhet dhënë shpresa për jetë, garanci dhe siguri në shtetin
e tyre e jo paralajmërime për luftë! Qytetarët i duan kushtet elementare për
jetë, të sëmurët duan shërim në shtetin e tyre e jo luftë!
Në
rrethanat nëpër të cilat po kalon Kosova, një lider i përgjegjshëm assesi nuk
do duhej të deklaronte për mediumet e huaja, se Kosova po përgatitet për luftë,
por do ta bënte të kundërtën siq e kishte bërë lideri historik Ibrahim Rugova
përgjatë viteve të ’90-ta, duke e kërkuar ndihmën e miqve ndërkombëtar, në
mënyrë të veçantë SHBA-ve, aleatit tonë kryesor dhe jetik për ekzistencën e
shtetit tonë.
Mafia ushqen partitë,
mjelë pushtetin në të dyja nivelet
Nga
paslufta e deri në ditët e sotme pothuajse të gjitha partitë, në momentin që
marrin pushtetin, qoftë në nivelin qendror apo atë lokal, sillen sikurse
pashallarë, si shefa dhe sundues të këtij populli duke iu përafruar edhe
diktatorëve më të urryer të shekullit XX.
Si
të tillë duan të mbeten përgjithmonë në pushtet. Në pushtet apo opozitë, që 24
vite i kemi të njëjtat figura në skenën politike-pashallarët e shekullit XXI.
Partive
politike shqiptare, kur është në pyetje korrupsioni, asnjëherë nuk u bëhen
pëngesë vijat programore, qofshin ato të kaltra, jeshile apo të kuqe. Pra kur
është në pyetje korrupsioni dhe krimi i organizuar s'ka "semafor" që
i ndalë të bëhen bashk për të "mirën" e qytetarëve.
Pushteti
i ëmbël i bënë të shkrihen shpejt "bakllavat e ngrira", i bënë të
dashurohen aq shumë në njëri-tjetrin, saqë nuk pyesin për qërshitë e
"lagura", i harrojnë të gjitha "vijat e kuqe", programet,
konceptet ideologjike premtimet elektorale, duke e harruar edhe elektoratin e
përçarë paturpërisht gjatë fushatave zgjedhore.
Në
anën tjetër, mafio-oligarkët ekonomik, përveqse i bashkon financimi i partive
politike, të përbashkët e kanë edhe importimin e mallrave, kryesisht nga
Serbia, ku kjo e fundit përmes mafio-oligarkëve të vet ekonomik në bashkëpunim
me politikanët e shantazhuar dhe mafio-oligarkët shqipfolës nga Kosova,
përveqse dominon me produktet e veta në tregun kosovar, e kontrollon shtetin
tonë edhe në aspektin politik.
Në
fund, e ndjejë për obligim t’i themë edhe dy-tre fjalë. Unë shkrimet nuk i bëjë
për vete, por i bëjë për lexuesit dhe për sensibilizimin e opinionit të gjërë,
i bëjë për ndërgjegjësimin e politikanëve të fjetur në luksin përrallor të
pushtetit apo të atyre në opozitë që luksin ua solli pushteti, që mos ta marrin
në qafë një popullatë të tërë për interesa meskine personale e klanore.
Sa
më shumë flitet e shkruhet për luftën e tradhtinë, urrejtjen dhe xhelozinë, për
vrasjet dhe hakmarrjet, jo vetëm që nuk do të bëhemi unik asnjëherë, do të
katandisemi akoma më keq në humnerën e popujve më të pacivilizuar. Aq më shumë
që ju gëzohemi sukseseve të njëri-tjetrit aq të respektuar do të jemi nga të
tjerët.
Florim Zeqa
09.10.2023