Mendime
Ndue Dedaj: Artistë dhe amatorë
E merkure, 18.10.2023, 07:57 PM
ARTISTË DHE AMATORË
(ose
rënia e profesionistëve dhe “shkëlqimi” i diletantëve)
NGA
NDUE DEDAJ
Tapeti i kuq, apo
triumfi i mediokritetit?
Gjithnjë
e më shumë ka filluar të fshikullohet ajo që mund të quhet maskarada
“artistike” shqiptare e tranzicionit, me programe që “mbërthejnë” shikuesit
ditë-natë, kinse duke zbrazur rrugët e sheshet në mbrëmje!? Po kush janë ata
artistë që e kanë këtë fuqi magjike? Robert Ndrenika? Reshat Arbana? Tinka
Kurti? Margatita Xhepa? Roza Anagnosti? Zef Deda? Timo Flloko? Yllka Mujo,
Bujar Asqeriu? Enver Petrovci? Ndriçim Xhepa? Luiza Xhuvani? Rajmonda Bulku?...
Për të përmendur vetëm disa emra të gjallësh, pa shkuar më tej, tek ata që nuk
rrojnë, mjeshtrit e papërsëritshëm të skenës dhe ekranit që nuk e panë tapetin
e kuq as pas rënies së dikaturës. Sigurisht, askush nuk thotë të jenë vetëm
këta, padyshim dhe të rinjtë, po jo që artistët e sprovuar në dekada të thirrën
vetëm për “garniturë” në shfaqjet kinematografike që bëjnë disa çuna të
shkathtë, të zotët për të gjitha, sidomos për afrinë me politikën. A thua të
bërit art të mirëfilltë në skenë e ekran - teatër e kinematografi, nuk është më
në modë, përderisa dhe disa aktorë të rinj të talentuar të humorit i kanë lënë
trupat ku luanin role mjeshtërisht dhe njëri pas tjetrit po krijojnë si
moderatorë emisionet e tyre televizive, që ngjyrosin me humor të çastit, por
nuk janë humori vetë.
Mjafton
përformanca e Shkurte Fejzës në stadiumin kombëtar të Tiranës “Air Albania” në
ndeshjen Shqipëri - Çeki për të treguar
se tapeti i kuq është shtruar me meritë, dhe kur ai është një tapet i blertë.
Por nuk janë rastet që duhet të na ngazëllejnë. Shoqëria jonë lundron në anormalitet,
ngado që ta zësh. Ka një rënie të profesionistëve, ndërkohë që po “shkëlqejnë”
për herë e më shumë diletantët. Ata tashmë janë të zotët e punës. Arti
bashkëkohor kinse popullor ka vulën e tyre, ai është mbytur nga populizmi.
Tallavaja është në kulmin e lulëzimit. Askush nuk e ndalon. Artistët
profesionistë rrojnë në shtëpi të thjeshta dhomë e kuzhinë, kurse
tallavabërësit në vila. “Kështu e do publiku”, të thonë këta të fundit. Vërtetë
këto të jenë shijet e publikut shqiptar, në rastin e muzikës? Asnjë gjurmë nuk
ka lënë ndër ne Tefta Tashko Koço e Nexhmije Pagarusha?... Artistët nuk e
durojnë tallavanë, ata nuk mund të përzihen në shfaqjet e saj, as dasmat ku
hidhen paratë në këmbët e dasmorëve dhe të orkestrës. Ata e kanë odeonin e tyre
aty ku bëhet art i vërtetë, i mundimshëm, në opera, koncerte, orkestra
simfonike, teatro, mbrëmje gala etj., por për këto nuk ka buxhet, projekte,
donacione. Teatrove profesionistë në qytete u ka mbetur vetëm emri dhe godinat
e amortizuara. Producentët e rinj nuk i ftojnë aktorët e njohur për të luajtur
role. Atyre nuk u kërkohet më të recitojnë De Radën, Naimin, Fishtën, Migjenin,
Lasgushin e poetë të tjerë të mëdhenj. Teatri i tyre poetik duket jashtë kohe.
Ishte emocion i veçantë të dëgjoje kohë më parë recitimin e vjershës “I
tretuni” të Mjedës nga aktori i njohur shkodran Ymer Bala.
Thuajse
është hequr fare nga ligjërimi i sotëm fjala amator. A mund të jenë artistë të
gjithë amatorët që mbushnin dje ansamblet popullore të rretheve? Kaq shumë
artistë ka një vend i vogël si ynë? Sado që fjala artist nuk është eksluzivitet
vetëm i profesionistëve, atyre që rrojnë me artin e tyre, prapë dallimi është
esencial. Artistët gjithmonë janë pak. Amatorët janë shumë. Sa pak artistë
tanë, që nga Aleksandër Moisiu, kanë bërë emër në botë. Është dhe ky një
tregues. Jeta nuk mund të kuptohet vetëm me yje të skenës, por dhe me
interpretues amatorë, që këndojnë e kërcejnë për qejfin e tyre në skenat
lokale, dasma etj. Sa hokatarë takojmë përditë që bëjnë humor më mirë se në
disa variete televizive, ku më shumë flitet se sa aktrohet. Kjo mani për
madhështi të rreme është shtrirë gjer tek artistët e vegjël, ku një emision
kushtuar tyre quhet “Gjeniu i vogël”. Pse patjetër gjeniu, kur gjenitë janë aq
të rrallë? Ka amatorë dhe profesonistë në të gjithë botën dhe në të gjitha
kohët. Ne nuk bëjmë përjashtim nga rregulli. Me qenë amator nuk do të thotë se
nuk je dikushi, përkundrazi je i vlefshëm në atë çka bën me pasion. Teksa një
amator me shkollim e punë mund të ngrihet në nivelin e profesionistit. Si
amatorë e kanë nisur: Fatime Sokoli, Hazis Ndreu, Ndue Shyti, Demir Zyko, Laver
Bariu, apo Ramazan Njala, Gjosho Vasia, Gëzim Kruja, parodistët e Vlorës etj.
derisa u ngritën në majat e artit shqiptar. Pa folur për polifoninë e famshme
labe, sazet e Korçës e formacione të tjera tradicionale, u bënë aq të njohur
dhe grupet amatore si “Pleqtë e Krujës”, “Grupi i Burrave” i Mirditës etj.
Kemi
pasë fjalët e bukura zonjë dhe zotëri, që më pas u zëvendësuan me shoku e
shoqja, kurse tashti mos u habisni që gjithnur amatorësh i thërrasin njëri -
tjetrit jo në emër, por “artist”, “poet” etj. Në të vërtetë këto epitete i
praktikojnë ata që dyshojnë se janë të tillë, dhe mendojnë se duke ia
përsëritur vetes apo miqve, kjo do të ngjisë në publik. Dikur jo çdo punëtori i
thuhej usta, por vetëm atij, lë të themi, që kishte kategorinë e shtatë. Partia
të bënte brigadier, përgjegjës e drejtor, por jo dhe mjeshtër. Bëhej dallimi sa
u përket zanateve e tash nuk bëhet as në art?!
Kënga popullore, aty ku
“lulëzoi” së pari tallavaja
E
para që e pësoi nga tallavaja ishte kënga. Ajo iu dorëzua e tëra
komercialitetit, që i ka varfëruar shijet artistike dhe vetë artin. Tekste
këngësh kot. Orkestra që mblidhen sa me akordue veglat muzikore. Kompozon
kushdo. Këndon teknika. Rroftë superpozimi. Live s’ka. Ansambli i Këngëve dhe
Valleve Popullore “konkurohet” edhe nga amatorët e dorës së fundit. Duke parë
katrahurën e gjithanshme kinse artistike shkrimtari Stefan Çapaliku ngre
shqetësimin: “Në kushtet kur edukimi artistik ndër shkolla ose ka dështuar
plotësisht ose ka qenë një projekt me të meta të mëdha, na duhet urgjentisht të
veprojmë pa mëshirë kundër ndotjes estetike, që vjen më së shumti nga e
ashtuquajtuna muzikë, që ka shpërthyer si gjiriz, nëpër të gjitha plazhet tona
e kudo, aq sa gjendja paraqitet si apokaliptike...” Mirëpo kush e dëgjon këtë
kambanë dhe të tjera si kjo. Po ashtu akademik Ardian Ndreca: “Kush asht ai që
mbërrin me riprodhue fillim e mbarim nji kangë të këtyne yjeve të showbizit të
sotëm? Pa pasë nevojë me qenë nostalgjik, por brezi jem asht ende sot në
gjendje me riprodhue motivet e Vaçe Zelës, Gaqo Çakos, Tonin Tërshanës që janë
këndue jo dje e pardje por nji gjysëm shekulli ma parë. Sot muzika e showbizit,
tallavatë laramane, reduktohet vetëm tek pjesa ritmike, ndërsa poezia dhe
melodia janë zbehë (e ky asht nji eufemizëm). Vendin e tyne e ka zanë kryesisht
pamja e jashtme, markat e veshjes, grimi, protezat e silikonit, ndërhymjet e
kirurgjisë plastike që s’mbarojnë kurrë pse sa rregullohet nji anë prishet nji
tjetër...”
Liria
e tregut muzikor është një gjë dhe tallavaja, apo shpërdorimi i muzikës është
një gjë tjetër. Si mund të qendrojnë pranë klipeve të mjeshtërve të mëdhenj të
muzikës shqiptare, të ashtuquajturat klipe të qindra diletantëve, që u bënë
këngëtarë më lirinë e tregut, në vend që t’i trembeshin pikërisht asaj,
individë që deri dje kishin qenë pjesëtarë të formacioneve të ndryshme vokale
të grupeve asmatore (kor, kompleks, kuartet, trio etj.), por jo solistë.
Ndërkohë
na bajnë nder evente si festivali ndërkombëtar operistik “Marie Kraja”, inicuar
në vitin 1999 nga Zana Çela, me pjesëmarrjen e artistëve nga e gjithë bota,
spektakle televizive si “Kënga magjike”, “Këngët e shekullit”, “Këngë moj” etj.
Kompozitori Zef Çoba, në vitin 1999, themelon në “kryeqytetin” e muzikës
qytetare, Shkodër, shoqatën muzikore “Rozafa Expression”, me korin e të
rriturve, grupin e këngëtarëve popullorë, grupin vokal të fëmijëve, miqtë e
muzikës, ku merr pjesë në veprimtari artisike kombëtare e ndërkombëtare. Po
ashtu, sa i përket arsimimit muzikor, është për t’u përmendur Lezha, ku dhjetë
vjet më parë, me nismën e drejpërdrejtë të drejtorit të DAR-it Bardhok Pulaj,
krijohet një “shkollë muzike” brenda shkollës 9-vjeçare publike “Besëlidhja”
dhe një talent i saj, vogëlushja me emrin Ana Maria, sot mëson në Londër në një
kolegj muzike. Aty u thirrën për të dhënë mësim mësues specialistë muzike nga
Shkodra dhe Tirana. QKF-ja e këtij qyteti me tradita kulturore kishte dhe
rrethin e instrumentistëve të vegjël që i binin çiftelisë, por nuk kishte
mbetur vetëm aty, tek vegla e “gjyshërve”.
Gjirokastër, festival
folklorik pa folk! Këngë kurbeti, si në shekullin XIX!...
Në
pamje të parë ku është problemi që nga Ministria e Kulturës zhvillohet një
festival folku mbas tetë vitesh, aq më tepër që kemi një traditë të gjatë në
këtë lëmë? Apo që bashkitë organizojnë periodikisht panaire të prodhimeve
artizanale në qendrat e qyteteve? Që shkollat e kanë kthyer në rregullsi që çdo
vit të përformojnë shfaqje dhe panaire popullore? Asgjë të keqe, përkundrazi,
problemi është gjithnjë tek teprimi me gjënë, “folklorizimi” i krejt jetës
shqiptare, a thua se jemi gjithë vitin në stinën e turizmit, ku të huajtë mezi
presin të veshin kostumet tona kombëtare e krahinore, që nga ambasadorët. Kanë
lulëzuar si kurrë më parë shoqatat folklorike, këngët dhe videoklipet me
“taban”, ndërkohë që folklori si i tillë për vetë natyrën e tij arkaike është
dobësuar aq shumë, sa në Gjirokastër më shumë mund të kenë shkuar improvizime
folklorike bashkëkohore se sa bardje autentike burimore. Ky lloj shpëthimi
folklorik nuk ka kursyer as fushën e fundit elektorale, ku ministrat,
deputetët, kandidatët për kryebashkiakë kërcenin valle fshatçe me popullin, një
festë tallavaje akapelo, që të kujtonte shfaqjet e dikurshme “Dilni se erdhi
Enveri”. Pse gjithë ky folklorizim kudo? A kemi ne dhe muzikë klasike, opera,
balet etj. Ne vërtetë kemi shkëlqyer me foklor dhe kemi rrëmbyer “Gjerdanin e
Artë” në Dizhon më 1970, ama ka dekada që bota artistike na njeh përmes artit
të Ismail Kadaresë, Bekim Fehmiut, Angelin Preljocajt, Inva Mulës, Agim Hushit,
Ermonela Jahos etj.
Nuk
është e rastit që Festivali i Gjirokastrës këtë vit nuk kishte risi, por
bluante miellin që kishte bluar prej një gjysmë shekulli. Tek e fundit ai ishte
në njëfarë mënyrë pasqyrë e folkut të sotëm pa palcë folklorike. Si mund të
jetë ndryshe, kur rrjeti është mbushur me këngë për kurbetin, si këtu si në
Kosovë, njëlloj si në fillimet e shekulliut XX, i njëjti leksik, i injëjti
intonacion i dhimbshëm, a thua se emigrimi i sotëm, ku shkohet e vihet më
avion, është si te nizami i papshpresë i Urës së Qabesë. Por sot nuk ka më
kurbet dhe kurbetlinj, që “thyejnë qafën, kah sytë këmbët” dhe nuk dihet a
kthejnë apo jo. Sot “kurbetliu” flet me kamër me njerëzit e shtëpisë sa herë të
dojë. Emigrantët e sotëm kanë bërë biznese të tyre në Romë, Berlin, Nju Jork
etj. Kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur plagë emigrimi i tridhjetë viteve, apo
i shtatëdhjetë viteve, drama sociale etj., por pamja e sotme e emigracionit
shqiptar nuk është kurrësei ajo e kurbetlinjve të një shekulli më parë.
Emigrantët tanë sot janë me pasaportat e vendeve ku rrojnë dhe mburren më të
qenit europianë, amerikanë etj.
*
Së
fundi, fjalori e shqipes nuk lë vend për keqkuptim, sipas tij artist është ai
që luan me mjeshtri një pjesë teatrale a muzikore, një rol në film, cirk etj.,
që është krijues veprash arti në pikturë, skulpturë, muzikë etj. Amator është
dikush që merret me sport, me art etj. pa e pasur mjeshtri dhe pa përgatitje të
veçantë: piktor amator, grupet amatore etj., ndërsa diletant përdoret me kuptim
keqësues, është personi që merret me veprimtari në fushën e artit etj. pa pasur
përgatitjen e nevojshme, ndaj dhe thuhet: “Ra në duar diletanti”.