Mendime
Florim Zeqa: Imazhi i shtetit!
E shtune, 21.10.2023, 09:25 PM
Imazhi i shtetit!
Shkruan:
Florim Zeqa
Politikanët
e pasluftës, me paaftësinë dhe papërgjegjsinë e tyre e lënduan rëndë lirinë dhe
demokracinë, shkatërruan çdo gjë vetëm për të mbushur thasët me paratë e
vjedhura nga arka e shtetit. Me gënjeshtra e mashtrime, me korrupsion e krim të
organizuar forcuan pushtetin dhe shtuan pasuritë e tyre duke nëpërkëmbur popullin
dhe drejtësinë.
Qytetarët e pakënaqur
janë fytyra e shtetit
Këto
fytyra të politikbërjes gjysëmshekullore i urren jo vetëm populli, por i
urrejnë edhe drurët dhe gurët, fushat dhe malet, lumenjët dhe përrockat e këtij
vendi.
Njerëzit
e zakonshëm çdo ditë i mallkojnë politikanët duke ju thënë nga thellësia e
shpirtit, shkoni e mos u ktheni më o të pabesë dhe tradhtarë, mashtrues dhe
kusarë që nuk u ngopet asnjëherë së zhvaturi pasuritë e këtij vendi!
Kosova
e rrezikuar sot nga një qeveri e ligjshme, e dalë nga vota popullore, në këtë
gjendje ka ardhur edhe nga qeveritë paraprake, me vendime dëmshme për vendin.
Veriu
i vendit, nga rruga e integrimit rrëshqiti në burim tensionesh dhe
konfrontimesh të rrezikshme për të ardhmen e shtetit të Kosovës.
Kemi
ardhur në këtë situatë, pasi intelektualët e kalibrit dhe atdhetarët u injoruan
me përbuzje nga sharllatënët e politikës, kurse njerëzit e ndershëm u detyruan
të largohen nga vendi shkaku i mungesës së përspektivës zhvillimore dhe
pabarazisë sociale.
Politikanët
që morën 51 % të votave, thirren në votën ‘plebishitare’ me 45 % të elektoratit
të dalë në zgjedhje, kurse 55 përqindshin e injorojnë sikur të mos ekzistonte
fare, duke harruar qëllimshëm se vota e 45 %-shit është fitore me 25.5 % të
qytetarëve të vendit që i mbështetën me votë!
Bazuar
në këto përllogaritje, fitorja e 14 shkurtit 2021 e partisë në pushtet vetëm sa
e ka thelluar hendekun mes subjekteve politike dhe qytetarëve të ndershëm të
këtij vendi.
Vota
e marrur nën premtim, kur ai premtim nuk mbahet kthehet në mashtrim për
qytetarët!
Edhe
përkundër votës “plebishitare” përseri po vazhdon fryma e konfrontimit me
rivalët politikë, po vazhdon gjuha e urrejtjes patologjike ndaj kundërshtarëve
politikë. Pra, partitë në pushtet mbeten në rrugën e vjetër politike, të
autoritarizmit dhe të konfrontimit me alternativat e tjera.
Konfrontim mes dy
kauzave të kundërta
Është
hera e parë në historinë e parlamentarizmit kosovarë, kur shumica parlamentare
në pushtet i bojkoton Seancat e Kuvendit. Kjo përveqse papërgjegjësi, paraqet
paaftësi qeverisëse dhe mungesë guximi për t’u ballafaquar me problemet madhore
që kanë qytetarët e vendit.
Vërtetë
është paradoksale, kur i sheh pushtetarët duke i thurur lavde policit të vrarë
ditë më parë në veri të vendit, kurse, kur janë në pyetje diskutimet për të
drejtat dhe kushtet e Policisë së Kosovës, të njëjtit i bojkotojnë Seancat e
Parlamentit!
Ky
avaz i bojkotit të shumicës parlamentare po vjen si kundërpërgjigje ndaj
opozitës për mosvotim të marrëveshjeve ndërkombëtare!
Ky
konfrontim mes dy kauzave të kundërta, po shkon në dëm të vendit dhe
qytetarëve, të cilët janë duke e pritur me padurim 1 Janarin e vitit 2024 për
t’ikur drejt vendeve të panjohura në kërkim të një jete më të mirë, për shkak
se kjo klasë politike pa dallim, pozitë dhe opozitë e sollën shtetin buzë
greminës!
Shkaku
i kusarëve të politikës, jeta e qytetarëve të ndershëm është kthyer në ferr të
vërtet në shtetin e lirë!
Dëmi
që e kanë shkaktuar kusarët e politikës është i pallogaritshëm, sikurse që
është e pallogaritshme pasuria e politikanëve që i shijuan majat e pushtetit.
Të korruptuarit dhe i korruptuari u pasuruan skajshmërisht, kurse qytetarët e
ndershëm u varfëruan pafundësisht!
Me
një fjalë, krimi ka lëshuar rrënjë të thella në tokën dardane. Mashtruesit dhe
injorantët uzurpuan zyrat e shtetit, kurse intelektualët dhe profesionistët e
lëmive të caktuara bredhin rrugëve duke e pritur me gëzim 1 Janarin e vitit
2024, nëse BE-ja nu kua prish ëndërrat për largim nga vendi!
Krim
nuk është vetëm me vrarë njerëz me plumb, por krim akoma më i rëndë është me ua
prishë ardhmërinë gjeneratave të reja dhe me i thyer shpirtërisht ajkën e
kombit-intelektualët e kalibrit, të cilët, në zyrat e shtetit hyjnë vetëm për
të nxjerrur ndonjë dokument apo pasaportë për t’u larguar nga vendlindja e
tyre!
Degradimi
i institucioneve publike dhe sistemit politik në përgjithësi e kanë ulë imazhin
e shtetit në raport me bashkësinë ndërkombëtare. Kurse gjendja e rënduar
ekonomike, padrejtësitë dhe diskriminimi social, janë pasqyra e vërtetë e
shtetit para syve të qytetarëve.