Mendime
Xhemal Ahmeti: Gjykata e Teheranit!
E enjte, 26.10.2023, 07:58 PM
GJYKATAT E TEHERANIT
Nga
Xhemal Ahmeti
Po
të lexoja se në Iran ndonjë Gjykatë kërkon elemente për padi ndaj ndonjë
lëvizjeje anti-islamike (në këtë rast ndaj një aksioni kundër një islamizmi
politik agresiv me tendenca difamimi e urrejtjeje ekcesive të Tjerëve ndryshe)
nuk habitesha. Sepse atje feja është shteti. Por se kjo ndodh në një shtet me
kushtetutë sekulare, demokraci liberale dhe atë pikërisht në Kosovë nuk do ta
besoja. A e di Gjykata e Pejës se RK nuk është shtet islamik? As teokraci? Ajo
në bazë të ligjeve është e detyruar të mbrojë para se gjithash të drejtën e
qytetarit për të qenë apo mos qenë religjioz dhe del jashtë ligjit nëse bëhet
sherbetore direkte e kësaj apo asaj feje. Të fundit janë shoqata jo
institucione shtetërore. Pse nuk kërkojnë elemente inkriminiuese te socialistët
që luftojnë kapitalizmin liberal dhe anasjelltas? Ose pse nuk hetojnë BIK e
Islamin që quan homoseksualët si sëmundje që duhet braktisur/çrrënjosur? Ose
pse nuk hetohen xhamitë që përdhunojnë të drejtën e atyre që duan të jenë
shqiptarë? Sepse e drejta e tubimit qytetar dhe mendimit të padhunshëm është
çështje private dhe nuk disponon me garancitë e shtetit në rast të
kundërshtimit, respektivisht shteti nuk mund të ndalojë as shoqatën për
mbrojtjen e derrave as atë të gjuetarëve e as atë të natyralistëve. Pse i jepni
diplomë juristi çdo infantili që i ka do qindra euro në xhep? Nëse dikush duhet
hetuar janë ata që thonë se gjithë ata që nuk u nënshtrohen janë për në
xhehnem, se duhet përjashtuar, zhdukur, pasi nuk pranojnë të vërtetën e tyre
absolute kozmike - e cila për gjykatat në fakt nuk ekziston, ngase gjykata
kosovare janë kompetente vetëm për në Tokë e jo edhe për çështje
pseudometafizike hordhish paramesjetare që duan të zhdukin gjithçka që nuk
duket si ata.
__________
Tash
doli e qartë se kush ishin akterët e infiltrimit të radikalëve islamik në LVV.
Të njejtë tentojnë sot shpërdorimin e tyre ordiner për të fituar vota - me një
tjetër flamur partie. Nganjeherë njeriut i duhen vite për ta konsideruar një
analizë si të mbyllur.
Historia
dhe politologjia janë shkenca e jo fjalime ditore politikanësh lokalë, prandaj
mos u besoni kur llapin, sidomos kur sheshazi janë ideologjik të koktejit të
njohur ruso-islamik.
__________
„Lista
Serbe“ si organizatore, promovuese dhe glorifikuese e terrorizmit është organizatë
që i duhet ndaluar veprimtaria politike. Përveç kësaj ajo prononcohet hapur se
është parti politike e Serbisë, ku edhe duhet të marr pjesë në zgjedhje, por jo
në Kosovë. Serbët e Kosovës duhet të distancohen nga terrorizmi ruso-hamasik i
Beogradit dhe të militojnë në parti tjera vendore.
__________
Në
vend të sanksioneve shkojnë me pako tek Vuçiçi. Personalisht, pas Kongresit të
Berlinit nuk njoh ndonjë instancë tjetër ndërkombëtare më të padrejtë ndaj
shqiptarëve dhe Kosovës se sa BE kësaj radhe e asistuar nga SHBA. Zvarritja e
sanksionimit pas sulmit terrorist si dhe bindja se Serbia destabilizon dhe
plagos ushtarê të KFOR -it është dëshmia e gjithë kësaj. Ai nuk nënshkruan,
kërcënon, sulmon këta ndëshko Tjetrin. Spanjolli e sllovaku vihen në krye të
normalizimit - që s’e njohin vendin. Çfarë potezi cullak e i pandershëm. Server
dhe Bugajski kanë të drejtë: Kosova duhet të qëndrojë në diplomaci mbi këmbët e
veta. Shpresoj që pushteti dhe opozita ta dinë si.