Mendime
Llesh Ndoi: Partia ime është…
E enjte, 26.10.2023, 07:58 PM
Partia ime është…
NGA
LLESH NDOI
Jemi
në Rubik të Mirditës, qytetin e dikurshëm të shkrirjes bakrit dhe prodhimit të
floririt. ështe 25 tetor 2023, që për mua dhe për
shumë të tjerë si unë, ishte një ditë e veçantë. Edhe pse një ditë plot shi dhe
e errët nga natyra, për mua ishte plot dritë. Një dritë që tenton të ndriçoje
të nesërmen e brezave dhe jo vetëm të sotmen. Asnjë dallim partiak, krahinor,
profesional e fetar nuk vihej re mes pjesmarrësve jo të pakët në një takim në
këtë qytet thuaj se të heshtur, pranë ambienteve të Infokullës “Mirdita”, një
institucion i rrallë në llojin e vet, që promovon vlerat ambientale, kulturore,
historike dhe turistike të krahinës, takim që vijoi në Katundin e Vjetër,
njërit nga fshatrat e përfshirë në projektin e “Njëqind fshatrave turistike” të
vendit, me një drekë të pasur, që na ushqeu më së shumti nga ana shpirtërore.
Ishin prezentë njerëz, që ndoshta as në dasma nuk mund të ishin kaq shumë
bashkë.
Takimi
u mbajt në kuadër të projektit “NGO - s for biodiversity conservation”, një
projekt i shoqatave mjedisore Eco Albania, Res Publika dhe AOS, të mirënjohura
në mbrojtjen e Vjosës, Zall Gjoçajt etj. Nderuan takimin edhe kryetarë
shoqatash ambientaliste dhe përfaqësues të shoqatave të mbrojtjes së ambientit
dhe ekosistemit në shkallë kombëtare. Po çfarë ishte ajo “forcë magjike” që na
bashkoi të gjithëve, që kur u ndamë uruam: Sa më shumë takime të tilla! Pa
asnjë notë superlative, ishte meraku për të mbrojtur mjedisin, ambientin,
bimësinë, lumenjtë e Mirditës sonë, Shqipërisë sonë, vendlindjes së secilit nga
ne, që shërbeu si një “forcë” që na bashkoi të gjithëve e askush nuk vuri re
diferencat arsimore, kulturore, politike a fetare mes nesh, për më tepër asnjë
diferencë që lidhet me ofiqe pushteti. Të gjithë në një mendje (perifrazoj
fjalët e pedagogut Pjetër Ndreca, dr. i shkencave!): Toka s’na përket ne! Ajo
vjen si trashëgim nga brezat e kaluar dhe u duhet trashëguar brezave të
ardhshëm. Shoqatat mjedisore në Shqipëri janë zgjuar e fatmirësisht po bëhen
një zë i fuqishëm në mbrojtjen e mjedisit nga makutëria e orekseve të
shfrenuara për fitime të shpejta e “të pastra” në kuptimin e rendimentit apo
normës së fitimit, por të pista gjer në kupë të qiellit, pasi pasuria e brezave
kalon në duar të pak njerzve që i shfrytëzojnë ato në dobi të tyre.
Nuk
është se ka veshtiresi për t’a kuptuar këtë. Sido që të jetë ndjekur procedura
ligjore, sado që biznesi i përfituar prej tyre mund të kontribojë në ekonominë
kombëtare, kushdo ndjen dhimbje kur sheh dy lumenjtë me të njejtin emër, Fan i
Madh e Fan i Vogël, që jeta u dha liri mes atyre maleve të bashkëjetojnë me
njerëzit, sot i sheh “të dhunuar” dhe të “denuar” të burgosen nëpër tuba që
kalojnë malet, ndërsa krejt ekosistemi i zonës ku ata kanë kaluar
tradicionalisht “në të drejtën e tyre”, e ku njerëzit patën ndërtuar jetesën e
tyre ndër shekuj, sot kanë ndërruar pamje. Ato kanë mbetur pa njerëz, e pa ujë.
Si dy fanat e sipërpërmendur, ka shumë prrenj më të vegjël, apo më të mëdhenj,
në Mirditë, Veri e gjithë Shqipërinë që po pësojnë të njëjtin fat. Këto manovra
fitimprurëse me pronën e të gjithëve, e të askujt vazhdojnë të praktikohen
aktualisht edhe në Thirrë, Kaçinar, e kudo nëpër Mirditë dhe mbarë Shqipërinë.
U ngrit zëri për shfrytëzimin barbar të burimeve minerare, sidomos në dy krahët e Munellës nga firma turke, demtimi e keqperdorimi i rezervave kombetare, demtimi i ekosistemit nga punimet e sidomos nga ujerat e fabrikes në Fushë – Arrës (dama), për më tepër pa asnjë investim dobiprures për komunitetet lokale. Në këtë aspect, gazetari Aleksandër Ndoja gjatë fjalës së tij, i bëri me dije takimit disa fakte i teresante në këtë aspekt. Për këtë arësye ju kërkua shoqatave të të mbrojtjes së mjedisit të ngrenë zërin, e të bëhen promotore të ripyllëzimit të Munellës e Zepës, e jo vetëm të evidentimit të mëtejshëm të florës e faunës në rrezik, ku u ripërmend rrqebulli i Ballkanit, por edhe gjeli i egër, apo ndërthurja e zonave të mbrojtura me sitet kulturore e arkeologjike të shumta, siç i theksoi gazetari e kulturologu Gjergj Marku etj.
Banorët
e fshatrave Thirrë, Sang e Hebe në Njësinë Administrative Fanë, të Bashkisë
Mirditë dhanë një shkëndijë, e cila duhet t’na ndriçoje mendjen të gjithëve, jo
vetëm për vendosmërinë me të cilin i mbrojtën burimet e tyre ujore dhe
ekosistemin në tërësi, por edhe për rrugën e zgjuar që zgjodhën për zgjidhjen e
këtij problemi. Shumë prej nesh i kujtojmë protestat tek tuneli i Kalimashit me
ditë të tëra, protesta të cilat sollën edhe vëmendjen e ndihmën e shoqatave
ambientaliste e ndihmën e tyre të specializuar, që e kërkoi triumfin mbi të
keqen sa me protestë, po aq edhe me rrugë ligjore, duke arritur jo pak.
Pikërisht kjo ishte edhe pikënisja e takimit të sotëm në Rubik, ku shoqatat
mjedisore të mirënjohura si: AOS, Eco Albania, Res Publika etj, bashkuan në një
pushtetarët vendorë, personalitete publike, banorët, studjuesit e dashamirët e
mbrojtjes së mjedisit, për të njejtin shqetësim, e jo vetëm për Mirditën.
Në
thelb, vlerësohet zgjerimi i të ashtuquajturave zona të mbrojtura por, si kanë
thënë gjithmonë, në detaje fle djalli: Zgjerohen në total sipërfaqet, një ilaç
i bukur për të mpirë mendjet tona, por lihen jashtë hartës pjesë të
rëndësishme, e për interesa okulte ekonomike, bëhen vendime e zhurmë për të
shpallur në letër zona të mbrojtura, por asnjë masë për to. E këtu ka vend për
zgjimin e pushtetit vendorë. Pa vullnetin e tij asgjë s’mund të ndodhë, por
edhe të banorëve. U tha bukur në takimin e sotëm: Protestoni! Shteti i sotshëm
do të rezistojë, por nuk të eleminon! Disa nisma të Bashkisë Mirditë e
drejtuesve të saj aktualë, ardhur në takim edhe përmes fjalës së mjekut
Aleksandër Picaku, Kryetar i Këshillit Bashkiak, apo drejtuesve të njësive
vendore si ajo e Kaçinarit, janë premtuese, e sollën frymë pozitiviste në
takim. Në vijim, fjala e profesorit domgjonas Pjetër Ndreca, të moshuarit Ndue Prenga, bisnesmenit Preç Ndoja, pronar i restorantit “Hylli i Dritës”,
përfaqësuesëve të Shoqatës së Gjuetarëve, si dhe drejtuesëve të shoqatave të
ndryshme, të cilët shpalosën vizionet e tyre, ishin të mirëpritura nga
pjesmarrësit.
Ndonse
ishte një takim lokal, mori përmasa kombëtare, me përgjegjësinë e të
përgjithshmes. Jo vetëm në një rast e nga një person i vetëm, u vu theksi tek
nevoja e ekulibrave të qëndrueshëm mes interesave personale të një grupi, e
atyre të përgjithshme shoqërore. “Ne duhet të përkrahim investimet që sjellin
zhvillim ekonomik e punësim në rajon, ashtu siç do të na duhet t’a shohim veten
e vendin si pjesë e ekonomisë kombëtare”, - u tha në takim.
Gjithë
organizimin e moderimin e takimit e mori përsipër një djalë që të frymëzon me
përgatitjen, oratorinë, shkathtësinë dhe vendosmërinë e qëndrimet e tij. Është Besnik Paci, djaloshi nga Domgjoni, pasardhës i at
Gjergj Fishtës, një pasionant i “pandreqshëm” i punëve me interes komunitar. E
gjitha sa tha Ai në këtë takim duhej konkretizuar. E ku më bukur se në luginën
e Katundit të Vjetër, ku turizmi ka marrë zhvillim të pa parë në vitet e
fundit, por pa ndërhyrë në prishjen e natyrës e të ekosistemit të zones në
tërësi. Ndërtime në harmoni me natyrën, ushqime bio vendase, ambiente të
thjeshta e të hijeshme për të kaluar kohë e për t’u relaksuar mirë. Tek “Oazi”,
tavolinat plot u shoqëruan me oshëtimen e prroit ngjitur, me gjelbërimin e
begatë vjeshtorë, si dhe kangën e mrekullueshme mirditore, të qendisur bukur në
gojën e grupit të burrave të Mirditës, ardhur enkas për të mbështetur nismën
mjaft të rendësishme për të mbrojtur natyrën dhe ambientin e vendlindjes. Pa
planifikim, por pjestarë të ansamblit “Mirdita”, si këngëtari i njohur Kolë
Zefi, legjendari Fran Preçi, këngëtari i shquar Kastriot Kola, kompozitori
Mark Gjonaj, Kol Beci, Paulin Filopati, Ndrecë Buraku, vëllezërit Shqalshi, apo
artisti Agim Picaku, krijuan një atmosphere të ndezur festive duke treguar se
këta artiste të njohur, mund të mbajnë me muzikë pa asnjë vegël shtesë, veç
zërit të tyre edhe një dasëm. U kënduan këngë të vjetra e të reja, ndonjë edhe
për herë të parë, si një përfundim i bukur i një takimi modest, me dëshira e
objektiva të mëdha, për të mbrojtur natyrën tone, truallin tone, atdheun tone.
Në
këtë takim të bukur dhe rezultativ nuk pati asnjë ngjyrim partiak, krahinorë,
ideologjik e fetar. U thanë për pushtetet, qendrore e lokale, fjalë të mira për
çka konsiderohet punë e mirë e fjalë kritike për çfarë konsiderohet punë e pa
menduar mirë, se sot ishim të pa parti ose të bashkuar rreth një partie, asaj
që vendlindjen e ka të shejtë, atë qe na e lanë brezat, duhet t’ua transmetojmë
përseri brezave të ardhshëm.
LLESH NDOI
Rubik - Lezhë 25 tetor 2023