Mendime
Florim Zeqa: Kuvendi i Shtrigave!
E shtune, 04.11.2023, 07:46 PM
Kuvendi
i Shtrigave!
Shkruan:
Florim Zeqa
E
quajtja kështu seancën e fundit në Kuvendin e Kosovës tre ditë pas ‘Natës së
Shtrigave’ apo “Halloween”-it të shteteve perëndimore, duke ju sqaruar të
gjithëve, se emertimi i mësipërm nuk ka të bëjë fare me gjininë femrore në
Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili ngjau në gjithçka tjetër, por jo në
Parlament të një shteti demokratik.
Inate politike, ndarje
dhe përçarje qytetare!
Gjuha
jo parlamentare, fyese dhe denigruese e shumicës së deputetëve të pozitës dhe
opozitës në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës e krijuan përshtypjen e një
shoqërie mesjetare, ku secili grupim parlamentar e lëvdonte fisin (partinë) e
vet, duke poshtëruar dhe fyer fisin tjetër sikurse në kohën e fiseve dhe
bajraqeve mesjetare!
Është
shumë e vështirë të gjendet përkufizimi adekuat i kësaj legjislature të
Kuvendit, të degraduar në parime demokratike dhe vlera njerëzore, por akoma më
shumë të bastarduar në kulturë politike.
Sharje
dhe fyerje, mungesë respekti dhe inate politike, të cilat u shfaqen në seancën
e fundit të Kuvendit të Kosovës, saqë është e vështirë të zgjedhet, se cili
ishte më vullgari dhe më i pacipi, më shtrigani dhe më qyqari prej deputetëve.
Mbase,
më të ndershmit mbeten ata që heshtën dhe nuk e morën fare fjalën, pasi secili
deputet që e merrte fjalën shpërfaqej më i zi se tjetri.
Të
njëjtë në diskutime ishin pozita dhe opozita! Merre njërën e mshoj tjetrës dhe
anasjelltas, pa fije turpi dhe pa ju skuqur fytyra gënjenin ashiqare,
shtirreshin kinse e kanë hallin e shtetit dhe të qytetarëve!
Si
gjithnjë me kauza të rrejshme, pozita dhe opozita e përdorën Asociacionin
(“Zajednicën”) për mbajtjen dhe marrjen e pushtetit, duke i ndarë dhe përçarë
akoma më shumë qytetarët e vendit.
Rreziku i futjes nën
thundrën e pushtuesve
Na
doli të jetë e vërtetë thënja; “Në mesin e të vërbërve njeriu me një sy bëhet
mbret”. Kjo po vërtetohet në ditët e sotme, kur gjysëm intelektualët në mesin e
injorantëve po bëhen të madhërishëm pa i njohur "Katundi" i vet!
Nuk
ka gjë më tragjike për një shtet dhe për një komb sesa kur gënjeshtra dhe
mashtrimi bëhen standard i jetës. Kosova e pasluftës është bërë hapësirë e lirë
e zhvillimit të të gjitha veprimtarive të paligjshme, është bërë poligon i
gënjeshtrave dhe mashtrimeve, i hajnisë dhe korrupsionit, i nepotizmit dhe
krimit të organizuar!
Në
një vend ku dominon gënjeshtra dhe mashtrimi, thënja e vërtetës konsiderohet
akt revolucionar, mediat futen nën grilat e pushtetit. Mungesa e përspektivës
zhvillimore dhe mungesa e guximit për thënjen e të vërtetës nga intelektualët,
ka bërë që shumica e popullatës ta ndajnë mendjen për ikur nga vendi i tyre.
Në
një shoqëri ku dominojnë dukuritë e shumta negative, ku politikën e dominojnë
banditët dhe gorillat e natës, rrugët e ecjes përpara bëhen gjithnjë e më të
vështira, për shkak të frikës dhe pasigurisë për të ardhmen.
Për
politikanët sadist dhe gjakftohtë, ikja e qytetarëve nga vendi nuk paraqet
asnjë lloj shqetësimi. Sikur të ishte ndryshe do të organizonin fushata
vetëdijësuese dhe do të krijonin kushte të volitshme për qytetarët, për kthimin
e besimit për jetë në atdheun e tyre.
Mjegulla
dhe errësira e krijuar në Kosovë nuk është e këtyre ditëve, ajo ekziston prej
dekadash. Kjo mund të hiqet kur shumica e qytetarëve mendojnë pozitivisht dhe
levizin fuqishem përpara në bërjen e ndryshime pozitive.
E
vetmja gjë pozitive në Kosovën e pasluftës është që shqiptarët e robëruar ndër
shekuj nuk janë më nën thundrën e çizmës së pushtuesve serb, por jo edhe të
liruar plotësisht nga vargonjët serbosllav. Por, nëse nuk vetëdijesohemi,
rrezikojmë të futemi sërish nën thundrën e pushtuesve.
Përdorimi
i barbarizmave (fjalëve të huaja) në fjalorin parlamentor nga ana e disa
deputetëve, si psh. “Ambiguitet” (paqartësi), “Soluzion” (zgjidhje),
“Incentivo” (stimulim), etj., bëhet kinse për të dëshmuar se janë më të ‘knuar’
dhe më të mençur sesa të tjerët, por në fakt është e kundërta, pasi,
“Halloween”- et e politikës i përdorin fjalët e huaja pa ua ditur fare
kuptimin.
E
meqë është kështu, si do t’i marrin vesh qytetarët fjalimet e atyre që nuk dinë
çka lexojnë në referatet e përgatitura nga padronët partiakë!
Për
dallim nga shtrigat mitologjike, këta shtriganët e ditëve të sotme, po e
gëlltisin të sotmen dhe vrajnë të ardhmen e shumë gjeneratave në Kosovë dhe
trojet tjera etnike. Vallë a do të vie ndonjëherë dita kur do të pastrohet
skena politike nga shtriganët dhe mercenarët, nga pakurrizorët dhe mashtruesit
ordinerë?!