Mendime
Ndue Dedaj: PD nuk është 'kor' i Berishës
E marte, 07.11.2023, 07:55 PM
PD NUK ËSHTË “KOR” I BERISHËS
NGA
NDUE DEDAJ
Një
çështje në Prokurori është krejt problemi yt individual, pavarësisht retorikës
politike me të cilën kërkon ta mveshësh, duke shkuar deri aty sa ta quash SPAK
- un “organizatë kriminale”!? Njihet tashmë kjo mënyrë mbrojtjeje e Berishës,
duke sulmuar e akuzuar të tjerët pa kurrëfarë principi si kriminelë (individë,
institucione, qeveri etj.), mirëpo deputetët e opozitës ç’kusur kanë që duhet
t’i dalin në krah atij në rastin e akuzës për korrupsion pasiv? Është tjetër që
forumet politike të opozitës të mblidhen për të demaskur aferat e njëpasnjëshme
të qeverisë dhe tjetër t’i gjendesh dikujt, për një akuzë vetjake, që atij i
bëhet nga drejtësia, qoftë dhe e padrejtë. Sa njerëz me pushtet apo pa pushtet
janë akuzuar për korrupsion dhe më pas kanë marrë pafajësinë! Përfshi dhe ish –
kryeministrin Fatos Nano. Prandaj janë disa shkallë gjykimi. Bile deri në
Strasburg. Më e pakta, njerëzit pranë liderit të PD-së duhet të shprehën pa
paragjykim: “Doktor, të duam shumë, po drejtësia të bëjë punën e saj”, siç thonë
në të gjitha rastet e tjera. Thellë - thellë, Berisha nuk ka nevojë për
mëshirë, por për të drejtën. Dhe në këtë rast atë nuk ia sjell partia, sado të
përbetohet se ai nuk ka gisht në përfitimet e dhëndrit nga privatizimi i
kompleksit sportiv “Partizani”. Nuk i bëjmë moral askujt, por dinjiteti i një
ish - shtetari të lartë e do të përballet me ligjin pa hedhur tymuese dhe
shpulla në Kuvend. Nuk e meritojnë shqiptarët këtë agresivitet nga foltorja e
demokracisë, e cila nuk është foltorja e partisë, as e njërës e as e tjetrës.
Deputetët tanë mjeranë kanë tridhjetë vjet që thyejnë karriget e Kuvendit dhe
ne jemi këtu se këtu, në “parahistorinë” parlamentare. Berisha të shkojë për
vete në gjykatë, sipas masës që i është caktuar, “detyrim paraqitje” dhe pastaj
të flasë gjithë ditën për inceneratorët e qeverisë së Ramës! Vetëm atëherë
është i besueshëm. Po, zotërinj, përderisa vetë po shkoj para ligjit, kam
gjithë të drejtën ta kërkoj këtë dhe për qeverinë e korruptuar dhe ta vërë me
shpatulla për muri Kuvendin e telekomanduar nga Kryeministri, që të miratojë jo
8 komisione hetimore, por dhe 18 po të jetë nevoja.
Është
thënë që në kohen kur Berisha u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i
Shtetit, se ai duhej të përballej i vetëm me atë situatë të re për të, pa
përfshirë partinë e demokratëve, çka ai nuk e bëri. Nuk po e bën as tani, kur
ashtë akuzuar për krijim favoresh në sajë të pushtetit që ka pasur. Ai deklaron
se “nuk ka asgjë personale në qendrimet e mia” (!), gjë që as vetë nuk e beson.
Nuk mund të jetë çdo gjë vetëm sociale, kombëtare, “për qytetarët” e të tjera
slogane. Gjëja përsonale nuk është e përjashtuar nga askush dhe për asgjë. Sado që krahasimet çalojnë,
shumë mote më parë, ndodhi diku një ngjarje e shëmtuar dhe të “zotët” e së
keqes deshën ta ndanin fajin përgjysmë me “katundin”, por u ngritën pleqtë
(burrat e dheut) dhe i vunë pikat mbi “i”, kjo është përgjegjësia juaj dhe nuk
mund ta përgjysmoni me askënd. Kaq e thjeshtë është!
Kori
politik i rrjeteve sociale për hir të së vërtetës nuk i bën asnjë nder
doktorit. Nuk ia lehtëson pozitën. PD nuk mund të jetë një “repart i gatshëm”
për të dalë në shesh për fatin e tij dhe të familjes së tij. Nuk mund të
përzihen gjërat. Me SPAK ka punë vetëm qytetari Berisha, kurse me opozitëbërjen
të gjithë demokratët dhe ne qytetarët e tjerë. Kakofonia politike në këtë rast
nuk ngjit as te militantët. Kemi vite e vite që themi për organet e drejtësisë
se janë nën “pushtetin” e udhëheqësit të radhës, çka ka qenë e vërtetë jo pak,
por sa i përket Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të
Organizuar mund të jemi më të kursyer në deklarata, pasi dihet se investim i
kujt është. Institucionet amerikane ka vite që kanë kërkuar të ndëshkohen
“peshqit e mëdhenj”, kurse ne vazhdonim të merreshim me “cironkat”. Kur e panë
se ne nuk e bënim dot vetë, nxiten dhe mbështeten drejpërdrejt reformën në
drejtësi, që solli Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme, për të mos pasur më
pushtetarë të paprekshëm nga ligji. Ka një paradoks mes kërkesës së SHBA-së për
të dënuar të korruptuarit e Shqipërisë (dhe të gjithë rajonit) dhe mburrjes së
qeveritarëve tanë të djeshëm e të sotëm për ndershmëri proverbiale!? Në këtë
qasje, nuk dime nëse kreu i selisë blu ka të njëjtin etiketim (“organizatë
kriminale”) për SPAK edhe kur portën e tij e kalojnë ministra dhe kryebashkiakë
socialistë!?...
Ana
tjetër e problemit e presupozon, por dhe e tejkalon Berishën. Ajo e mitizimit
të figurave politike dhe jo vetëm. Ne nuk rrojmë dot pa mite të gjalla. Dje
mitizuam jo vetëm diktatorin e pesëdhjetë vjetëve, paçka modestisë së shtirur
të tij, po gjer individë të thjeshtë që ranë në krye të detyrës në punë të
ndryshme. Burgu e mitizoi dhe ish-liderin socialist. Vetë togfjalëshi “lideri
historik” është shfaqje e kësaj mendësie provinciale. Është vonë që Berisha të
mitizohet për shkak të një përballje me drejtësinë. Duhet thënë se miti i tij
tashmë ka rënë. Kjo nuk do të thotë se ai është i fajshëm. Nëse është i tillë e
vendos gjykata, ama shqiptarët nuk vënë më dorën në zjarr se doktori çdo gjë mund
ta ketë, por me korrupsionin nuk ka punë, ai vetëm kafe dhe ujë pin. Kurse një
“akuzë” për Berishën është e provuar e stërprovuar, gjuha e tij e shthurur ndaj
kundërshtarëve politikë, ambasadorëve e gjer prokurorëve, duke u tallur e vënë
etiketa personave dhe institucioneve prej 30 vjetësh, çka nuk ia kanë kursyer
as vetë atij. Shqiptarëve iu kujtohen etiketimet e tipit “Mark Avdia” apo
“Doktor Rrumpalla”. Kjo i bën aq më shumë qesharakë sot përdoruesit e kësaj
gjuhe batudash të rëndomta, që nuk i shkojnë as zhargonit të rrugës.
Edhe
shefi aktual i të majtës, është thënë sa herë, se dëshiron të shfaqet si një
lider ballkanik!? Me gjithë dëshirën e mirë të tij, si dhe të mbështetësve nga
selia rozë, shqiptarët vetëm njëherë kanë pasur një strateg të rangut europian,
në shekullin XV. Prandaj, le të heqim dorë nga mitet dhe butaforitë njëherë e
mirë! Nga të gjithë krahët e politikës. Nuk bëhesh lider europian, se pret në
rresht me regji, në derën e shtëpisë tënde, si në një “spektakël” mikpritjeje,
liderët Bashkimit Europian. Si ata bëhesh vetëm kur e çon vendin drejt Europës
me investime serioze, luftë kundër “kap ç’të kapësh” e sidomos duke i krijuar
të gjitha lehtësitë e duhura opozitës, që të bëjë detyrën e saj politike,
institucionale dhe atdhetare.
Sa
më parë të bien mitet bashkëkohore dhe legjendat urbane, aq më shpejt
shqiptarët do të shkojnë në Europë, pa pushtetarët e korruptuar të asnjë ngjyre
e zgjyre! Mos të krijojmë drama të paqena politike. Na mjafton kjo që kemi, që
nuk po arrijmë të bëjmë rotacionin politik! Kësaj si i bëhet? Ky është problemi
i shqiptarëve dhe i demokracisë. Të gjithë e dinë dhe e thonë, me zë e nën zë,
se me këtë opozitë të shkalafitur nuk ka dritë në fund të tunelit. Bisedat
sporadike të Bashës me nga katër - pesë vetë andej – këndej, nëpër qytete dhe
katunde, nuk prodhojnë kurrëfarë opozite për sot e nesër, për të ardhur e
djathta në pushtet. Shqiptarëve iu duhet ta bëjnë zgjidhjen, në radhë të parë
duke i lënë në shejtninë e vet mitet politike, liderit historikë, ata që realisht
nuk e bëjnë më ndryshimin e domosdoshëm, rotacionin e pushtetit! Kur zgjedhjet
e përgjithshme i kemi jo “vite dritë” larg, por veç dy vite kalendarike. A
është kjo deviza e demokratëve, do të thoshim të përbashkuar, apo
minikonferencat e shtypit për hallin e doktorit, i cili doli të hënën paradite
në njërën nga dritaret e Kuvendit, a thua se ishte vetë Papa?! Bash në kohën
kur duhej të ishte në Prokurori. Aksioni opozitar nuk besojmë se ka lidhje me
kapërcimin e kangjellave të Kuvendit, si dikur opozita e majtë që hidhej mbi
ato të KQZ-së. Kapërcimi tjegull më tjegull i deputetëve, apo duke hyrë nga
dritaret zor se mund të quhet betejë parlamentare! Përfaqësuesit e popullit
janë tjetër gjë nga ata që shohim. Ashtu siç nuk është Garda ajo që mund ta vendosë
“rendin” në Kuvend; as diktati në emër të pushtetit të pakufizuar të kreut të
qeverisë. Çfarë të qajë “vajtimorja” më parë nga marrëzitë e politikës shterpë,
që prodhon vetëm konflikte të panevojshme dhe absurditet?...
A
ka zgjidhje? Zgjidhja është vetëm një, opozita. Se si do t’ia zërë fillin kësaj
punës së rotacionit, vetëm ajo duhet ta dijë...