Mendime
Gjekë Gjonaj: Mosndëshkimi i kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe medieve në Mal të Zi është i papranueshëm
E premte, 10.11.2023, 08:57 PM
Mosndëshkimi i kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe medieve në Mal të Zi është i papranueshëm
Nga
Gjekë Gjonaj
Edhe
këtë vit ka pasur sulme dhe kërcënime
ndaj gazetarëve në Mal të Zi. Sindikata e Medieve gjatë këtij viti ka regjistruar 13 sulme dhe kërcënime ndaj
gazetarëve, gjë që tregon një tendencë
rënëse të numrit të sulmeve në
krahasim me vitin e kaluar, kur u regjistruan 28 raste. Vërehen përpjekjet
e kompetentëve dhe të gjithë
akterëve të tjerë të sektorit të medias për përmirësimin e pozitës së gazetarëve , por duhet të heqim
dorë nga fjalët e mëdha dhe të punojmë më shumë
në mënyrë që më në fund të rinjtë të mos e shikojnë me përçmim
profesionin e gazetarit. “Edhe pse ka
një progres të dukshëm në punën e institucioneve , kur flitet për reagimin ndaj
kërcënimeve të reja që kanë ndodhur në dy vitet e fundit, në rastet e vjetra,
të paktën duke u nisur nga ajo që dihet për opinionin, ende nuk ka progres.
Kujtojmë se rasti i vrasjes së Dushko Jovanoviqit në vitin 2004, është një nga vrasjet më të
vjetra të pazbardhura të gazetarëve në Evropë. Tani për tani i vetmi i dënuar
për bashkëpunim Damir Mandiq është duke vuajtur dënimin me 19 vite burg, ndërsa
ende nuk dihet porositësi dhe motivi. Ka pasur njoftime të ndryshme se ka
progres në rastin, por opinioni nuk ka marrë asnjë konfirmim. Po ashtu, rasti i
tentativës së vrasjes së Olivera Llakiqit nga viti 2018 është ende në proces e
sipër, pa asnjë veprim konkret tash e gjashtë vjet”, njoftoi Sindikata e Medias dhe i ftoi punonjësit e medias që të raportojnë çdo
kërcënim apo sulm.
Ministrja për
Kulturë dhe Media, Tamara Vujoviq, me rastin e 2 Nëntorit, Ditës
Ndërkombëtare të luftës kundër mosndëshkimit të krimeve ndaj gazetarëve, ka
thënë se reagimi i shpejtë dhe efikas i organeve kompetente është
jashtëzakonisht i rëndësishëm në të gjitha rastet e kërcënimeve dhe sulmeve
ndaj gazetarëve dhe me ndëshkimin e autorëve të atyre veprave dërgohet mesazhi
se sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave janë të papranueshme. “Rastet e
pazgjidhura të sulmeve ndaj gazetarëve dhe pronës së mediave hedhin një hije të
madhe mbi lirinë e medias në Mal të Zi, prandaj si ministre do të angazhohem me
këmbëngulje në monitorimin e punës së autoriteteve kompetente në procedimin e
atyre rasteve”, theksoi Vujoviq .
Për kërcënimet dhe presionet e gazetarëve ka reaguar edhe Qendra për Arsimim Qytetar , e cila vuri në dukje rëndësinë e krijimit të një mjedisi më të
sigurt për punën e të gjithë gazetarëve në Mal të Zi. “Strukturat politike në
pushtet duhet të përmbahen nga përpjekjet për të kontrolluar dhe influencuar
punën e gazetarëve dhe mediave, ndërsa institucionet kompetente janë të
obliguara që të ofrojnë kushte elementare për punën e punonjësve të medias,
duke përfshirë mbrojtjen e sigurisë së tyre”, nënvizoi Qendra për Arsimim Qytetar . Siç thanë ata, rasti ende i
pazbardhur i vrasjes së Dushko Jovanoviqit është përkujtues për të gjithë se sa
kemi përparuar si shtet në këtë drejtim.
Ndonëse
numri i kërcënimeve dhe sulmeve në vitin
2023 ka qenë gati dyfish më i vogël se në vitin
2022 çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik,
demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve. Për këtë duhet të
insistohet zbatimi i të gjitha masave
dhe veprimeve që garantojnë lirinë e medias. Është detyrë e vazhdueshme e
pushtetit që të hetojë dhe dënojë
ata që kërcënojnë
gazetarët në Mal të Zi dhe të
sigurojë të gjitha kushtet e
nevojshme për gazetarët që të kryejnë
punën e tyre në një mjedis të sigurt, me kushte të qëndrueshme ekonomike të
punës dhe status ligjor. Policia dhe
Prokuroria pritet të veprojnë më
shpejtë se deri më tani, sepse veprimet
e tyre të ngadalta ose mosveprimet e
tyre fare e rrezikojnë dhe e vështirësojnë klimën e gazetarëve. Po ashtu duhet theksuar se kemi një mungesë transparence të institucioneve qeveritare,
ndonëse kryeministrat e mëparshëm vazhdimisht kanë thënë se është rritur
transparenca. Nga ana tjetër gazetarët
duhet të kryejnë punën e tyre me përgjegjësi dhe profesionalizëm , duke
respektuar gjithmonë Kodin e gazetarisë
dhe të drejtat e të gjithë njerëzve për të cilët shkruajnë.