Mendime
Llesh Ndoi: Kur s’ke by…, kacavirresh pas karrikes!
E premte, 10.11.2023, 07:00 PM
Kur s’ke by…, kacavirresh pas karrikes!
NGA
LLESH NDOI
Skenat
e javëve të fundit në Kuvendin e Shqipërisë (që s’e meriton aspak të quhet i
tillë!) janë dëshmia më e qartë e sentences, se ai që s’ka by…, i duhet doemos
të kapet pas karriges, ndryshe ndjehet i pafuqishëm, apo ndoshta më keq se kaq:
mosekzistues! Është një situatë që, më shumë se kujtdo tjetër, duhet t’na bëj
ne votuesve t’i vemë gishtin kokës e të mendojmë fort kur të hedhim votën tonë,
të vetmin pushtet, që fatmirësisht, akoma ne e zotërojmë edhe pse të deformuar
qënësisht! Pra, t’a peshojmë mirë rëndësinë e votës e t’a përdorim atë, jo për
t’u dhënë karrige të pabyth…, por për t’u deleguar fatet tona atyre që realisht
kanë by…, t’u dalin zot e t’i çojnë përpara aspiratat tona evropiane. Skena si
aëto që ndodhën pak ditë më parë, janë trishtuese e të turpshme njëkohësisht,
ato nuk shihen për herë të parë në vendin tonë. Madje, guxoj të them se nuk i
përkasin vetëm të ashtuquajturës periudhë demokratike, por vijojnë që nga koha
e shtetit monopartiak. Natyrisht me forma e metoda të ndryshme, e me të njejtën
përmbajtje: përfaqësues pa by…, që fuqinë e marrin nga karriga e dhuruar nga
partia e jo nga morali i përfaqësuesit të popullit. I njejti film, si ata të
kinostudios “Shqipëria e Re”, restauruar në kohët aktuale, e që na serviret me
ngjyra. Natyrisht që dhuna ka ndryshuar kahe. Deri në nëntëdhjetën e gjithë
dhuna ushtrohej nga presidiumi, tash ajo ushtrohet dukshëm nga salla, bile nga
një pjesë e saj, pjesa që është minorancë numerike, por qëllimi mbetet i
njejtë: të na mbushin mendjen ne popullit, se ata sakrifikojnë shumë për ne,
bëjnë gjithshka, veç karrigen s’e lëshojnë…
Edhe
pushteti, por në një formë më “soft”, ushtron të njejtën dhunë e me të njejtat
qëllime. Është e qartë se të dyja palët e kanë humbur “çelësin” e fuqisë, atë
të të qënit përfaqësues të popullit. Për më keq se kaq, një pjesë kanë humbur
edhe shpresën e durimin, për pasojë, të dyja palët politike kanë zgjedhur rrugë
e mjete të ndryshme nga ato për të cilat paguhen, deri edhe parapolitike për
t’i dhënë vetes fuqinë e munguar dhe janë kapur qartësisht pas karrigeve të
atij që duhet të ishte Kuvendi i Shqipërisë, por s’kanë by… të rrinë në to!
Mazhoranca, e dehur nga mbipushteti dhe e lodhur nga sukseset, disa herë
imagjinare, e disa që ngjajnë si një rreze e vogël drite në terrin e madh që
gjendemi, qartësisht e ka humbur durimin. Mirë që me përfaqësuesit politikë të
opozitës, së shumti jo për fajin e saj, nuk dialogon dot, por edhe me
zgjedhësit e saj ka kohë që monologon dhe thuajse pak, për të mos thënë aspak,
duke u paraqitur si përfaqësuese e shumicës. Ndërkohë që shumica nuk gjen akoma
arësye pse vazhdon t’i votojë ata, me të cilët ndodh pikërisht kështu: sapo
hipin mbi kalë, të parin vrasin kalin, duke harruar se pa të s’kanë gjunjë për
të shku askund…
Arroganca
e tyre është e kudondodhur, epidemike, uluritëse e vrastare! Jo vetëm në Qeveri
e Kuvend, ata flasin me vete, pyesin e përgjigjen po vetë, por edhe në çdo
hallkë të administratës publike të pushtetit vendor, mendjemadhësia, arroganca,
nënvleftësimi i njerëzve të thjeshtë dhe i halleve të tyre janë shumë prezente.
Dhe kanë dy herë “të drejtë”: një se i kemi votuar pa kushte dhe dy se i ka
zgjedh partia, jo ne!
Minoranca,
e dobësuar nga kohëqëndrimi i gjatë pa karrigen e pushtetit, tash e sheh veten
pa shpresë e by… për të ardhur në pushtet. Bile u ka mbetur “me një këmbë” edhe
karriga e vogël, ajo e pushtetit brenda shtëpisë së tyre, gjë që i ka angazhuar
gjatë në atë hall të madh. Edhe këta perendimorët, si gjithnjë, ua kanë me
hile. Ata nuk i duan komunistët e komunizmin, e për këtë shkak e kanë shpallur
udhëheqësin e tyre shpirtëror non grata…
Hallet
s’mbarojnë këtu. Tashmë thuajse mbaruan edhe kursantët 6 - mujorë të drejtësisë
e një filiz, edhe pse akoma i dobët, SPAK - u, po duket se disave prej tyre po
u siguron hijen e gjatë të birucave të burgjeve. Është hall i madh ky, ndaj
janë egërsuar e po përdorin gjithçka për t’u ngjitur me karriget… madje, lideri
suprem propozoi edhe shpikjen e një lloji “ngjitësi”, që kush ulet në ato
karrige të mos ndahet më prej tyre, por t’i marr me vete ngado. Është e gjitha
një situatë paradoksale, komike e njëherit tragjike e njëkohësisht, që kërkon
zgjidhje të menjëhershme e të pranueshme. E kur them të pranueshme, kurrsesi
nuk kam parasyshë një marrëveshje të re zhvatëse mes mazhorancës e minorancës.
Asnjë hajr nuk vjen prej këtyre marrëveshjeve dhe kjo, jo se marrëveshjet në
vetvete janë të këqija, por se palët ushqejnë keqdashje e shpesh keqbesim të
hapur.
Po
si mund të dalim nga kjo situatë? - mund të pyes dikush pa të keq!
Thjesht
fare: Duhet rithirrur në skenë çelësi: Populli që delegon pushtet, e jep fuqi!
Qartësisht,
këtë çelës e ka mazhoranca. Le t’a përdorë atë sa më shpejt, duke ndjekur dy
hapa:
-
Hapi i parë, të ftojë minorancën për të përcaktuar rregullat e lojës. Bile le
t’i delegojë asaj më shumë pushtet se numrat në këtë çeshtje, me kusht që kodi
i ri zgjedhor të bekohet pa vërejtje nga organizmat dhe partnerët
ndërkombëtarë.
-
Hapi i dytë, zgjedhje të reja të përgjithshme e pas 1 viti dhe ato vendore.
Nëse ndjehen përfaqësues të popullit, siç pretendojnë se janë, asnjëra palë nuk
ka pse frigohen nga “ky çelës magjik”. As hallin e shpenzimeve le t’mos e kenë
fare! Paratë tona ka kohë që shkojnë në “drejtim të paditur”, kështu që le të
shkojnë edhe këto. Partitë politike në fushatë, të angazhohen seriozisht e
qartësisht, së paku në disa drejtime, si:
-
Rikthimin e fuqisë masës së popullit përmes referendumeve e mënyrave të tjera
të llogaridhënies;
-
Reformë të plotë kushtetuese, duke shkurtuar numrin e deputetëve e dhënien fuqi
më shumë Presidentit;
-
Shkurtimin e anëtarëve të Qeverisë e sidomos të administrates publike. Jemi më
pak se dy milion frymë e administrata, edhe sikur të jetë e ndershme dhe e
aftë, gjë që s’dëshmohet aspak, është gur i rand në qafën e lodhur të këtij
populli;
-
Një qëndrim të qartë e të prerë ndaj administrimit të pasurive kombëtare, aq sa
kanë mbetur;
-
Një strategji të qartë në përballinin e krizave që trokasin ne derë, nga plakja
e popullsisë, mungesa e fuqisë punëtore, skemave të pensioneve, shëndetësisë,
arsimit etj,
-
Shprehje e qartë për ndarjen përfundimtare të pushteteve, jo vetëm në letra.
Ndërkohë
uroj që “çelësi tjetër ”, SPAK e organet e Drejtësisë së Re, të mos humbin si
“gjilpëra në kashtë”, duke vrarë kohën me “cironka”, por të guxojnë të venë në
zgarë e zjarrin e tyre “peshqit e mëdhenj”. Nuk ka pse lodhet për t’i zgjedhur
majtas e djathtas, sepse i ka me bollëk e gjysëm të gatshëm, në të dy krahët.
Guxoni,
se kurrë s’keni patur aleatë kaq të mëdhenj: SHBA, BE, si dhe etjen e madhe të
popullit për drejtësi!
Llesh Ndoi
Lezhë, më 9 nëntor 2023