Kulturë
Zejnepe Alili - Rexhepi: Agim Mato - Lundrimet
E marte, 02.11.2021, 06:59 PM
RIGJETJE METAFORASH SI NË DRITË SIRIUSI
Vëllimi poetik “Lundrimet” - Agim Mato
Them
se nuk ishte rastësi nderimi i poetit sarandiot, Agim Mato, me çmimin më të
lartë - Mjeshtër i Madh, vlerësim nga presidenti i Shqipërisë!
Nga
Prof. Dr. Zejnepe ALILI REXHEPI
Ishte
(20) qershor kur më ra në dorë ky libër, vlerat e të cilit me shumë kënaqësi do
të përpiqem t’i shpalos edhe para jush, lexues.
Titulli
i librit “Lundrimet...” është i thellë, përmbledhës i disa simbolikave që në çast
të kthen në lundrimin metaforik të jetës së poetit..., atij pelegrini që nuk
lodhet kurrë së kërkuari lirinë, edhe kur ajo dergjej nën grilat e viteve të
mbrapshta. Një libër i vogël, i këndshëm në dukje, botuar nga “Milosao”,
Sarandë 2014..., por që të duhet mjaft kohë po ta lexosh me vëmendje, madje një
udhëtim i tërë si ato lundrimet e ngadalta të anijeve në kohët e largëta.
Kishte
ca kohë që kishim arritur në Restorant “Dunavë”, në Gjilan, ku do të mbahej
Manifestimi poetik “Trekëndëshi Poetik i Paqes” dhe pritej që çdo çast të
arrinin poetë nga trevat mbarëshqiptare. Për pak çaste drejt tavolinës sonë, të
vendosur pranë dritares, prej ku shiheshin pamje të mrekullueshme të natyrës,
ishin drejtuar Agim Mato dhe Pandeli Koçi (Sazan Goliku), dy njerëz të
mrekullueshëm, poetë të çmuar...., përderisa dëgjova zërin e Matos, me atë
urtësinë që e shquan atë si njeri e krijues:
-
Keni të fala nga Timoja!
-
Faleminderit shumë, janë kujtime të bukura ato të “Takimit Poetik Jonian”, ia
ktheva!
E
pasi shkëmbyem ca fjalë mirësjelljeje, më ofroi një libër...
Sapo
doli nga shtypi - më tha!
Po
të hedhësh një vështrim mbi ballinën e librit “Lundrimet...” vë re që është
vendosur një ilustrim tejet i thjeshtë..., por që të rikujton shprehjet: “E
bukura fshihet në thjeshtësinë e gjërave, sikurse madhështia në vetë
modestinë”. Në ca vija të thjeshta ilustrohet deti me dallgët e tij që
përshkohen nga fluturime pulëbardhash..., pastaj varka në ardhje e vajtje, më
shumë në vajtje mërgimtarësh, njerëzish me fate të mohuara dhe aty pranë një sy
pulëbardhe ndoshta..., mbase ai Diell që nuk e braktisi kurrë shpresën për
mbijetesë, as ëndrrën e poetit Agim Mato. As atëherë, kur ai i jetonte vitet më
të errëta të jetës! Në brendi të vargjeve do të gjesh një inventar të tërë
ballafaqimesh emocionale, si rishfaqje e ngarkesave shpirtërore dhe
preokupimeve shoqërore. I këtillë është vëllimi më i ri poetik “Lundrimet”.
Në
këtë vëllim vërtet e gjen atë zërin e thellë sa vetë thellësia e detit, e tok
me zërin e poetit edhe mendimtarin a njeriun e vetëdijshëm për ecurinë e jetës,
me tërë realitetin e hidhur, pse jo edhe të bukurën si perceptim?! Kahe këto,
nëpër të cilat ditë për ditë rrjedh koha, jeta në Shqipëri, fati i shqiptarit
mbetur si i ngujuar midis kohës dhe vendit, e që pavarësisht se si të trajton,
nuk guxon ta braktisësh kurrë... Aty ke gjakun dhe erën e tokës që do.Nisma e
librit na bën pjesë të një monologu ideo-përçues tejet të ndjeshëm për një kohë
trazimesh emocionale, shprehur me atë të pakrahasueshmen metaforë “Detin”. Deti
del një simbol shumë i qartë dhe me madhështinë e tij e përvetëson poetin: “Më
mbuloje atëherë me shkumë/ dhe lëpija kripën tënde/ së bashku me lotët”...
“Isha mësuar me shijen e tyre, mësuar me hidhërimet,/ të cilat më dukej se
kurrë nuk do të më ndaheshin” (5). Një fat i përbotshëm ky, parë si dallgëzim
detesh, që e trazon jetën dhe me vete bart të shumtat ëndrra.
Poeti,
jep mesazhe jetike, me anë reflektimesh përsiatëse lirike të disa cikleve:
“Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti”, “Shtëpia ime prej deti”, “Kryqëzimi
im”, “...Dhe prisje lejlekët”, për ta
përmbyllur te “Cikli i fundit”... Në to, ndihet se “ndryshimi duhet ndodhur
këtu në këtë tokë”, jo gjetiu duke u vendstrehuar larg pulsimeve të këtij dheu.
Ndonëse, dilemat bashkëjetojnë me ne, poeti sjell një dozë optimizmi, që edhe
errësira të zbehet nga cazë dritë xixëllonjash: “Ti më pyete: ka ende
xixëllonja tek atdheu ku rron” (27)... I këtillë është lundrimi shpirtëror i
poetit Agim Mato.
Në
poezi, vihet re po ai guxim krijues që i përmbush poetët e mëdhenj: Bodler,
Alan Po, Lorka... që do t’i përvijonte shprehja: “frikë nuk pata më, se mos më
dëgjonin të tjerët”. Këtu shpaloset shpirti poetik i një poeti të distancuar
nga maniret dhe luksi i kohës... Po a nuk e pohon këtë vetëdijshëm vetë poeti,
në përkufizimin titullor të ciklit -I “Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti”,
përderisa shkruan: “U frenua verbimi brenda meje/ dhe një puhizë e lehtë
shprese/ filloi të shtyjë dy vela të bardha/ për të mbërritur në farin e
vetmuar/ ku rroja si një eremit deti i harruar/ nga lutjet dhe blasfemitë e të
tjerëve” (11)?! Me gjuhën e veçantë të shpirtit të krijuesit, ai e sfidon kohën
“e lig”, sepse furtunat s’duhet qenë të përhershme me goditjet e tyre mbi jetën
e akëcilit.
Në
leximin e poezive të Matos, domosdo përfytyron një kritikë filozofike, ku
ndërlidhen përvoja jetësore dhe ajo letrare, si pështjellime të hovit jetësor e
letrar. Kjo filozofi, është si të thuash, dhe vetë nisma e strukturimit poetik
që ndiqet më pas, jo vetëm nga individualiteti shpirtëror, por edhe nga raporti
universal i vrojtimit mbi letërsinë dhe njohjen mbi artin. Diapazon i gjerë
njohjesh dhe temash e përcjell atë.
Identifikimi
i vërtetë i poetit, përkapet në strofën: “Ç’dramë? - të them unë. Pa shikomë,/
nuk të dukem si një pyll i djegur nga rrufetë e fatit/ A nuk e sheh se përditë
mbledh hirin tim/ dhe ua hedh sërish shpresave për t’i rritur nga e para” (12).
Si mesazh më vete, një hidhërim që ngërthen dhjetëra pyetje retorike, ndodhet
në poezinë me titullin e njëjtë që përmban cikli i parë “Lundrimet e mëdha
fillojnë nga shpirti” (16).
Gjakimi
për qetësinë parajsore e bën poetin që të pyesë: “Kur do të lundrojë i qetë
shpirti im?”, sado që poetët janë të butë në shpirt, por të rrufeshëm në fjalë,
sikurse në vargun “A flasim për rreziqe?” ku poeti sajon këtë pyetje retorike,
teksa unë po në këto vargje do kërkoja lidhjen e poetit me yjet, këtë dritë
universale që nuk njeh shuarje si vetë Siriusi, megjithëse në zërin poetik
sikur ndihet një drithërimë e llojit: “Planeti me dritë të zezë” - ku ndodhet?!
Pse ndihej gjëmimi i Osumit, pse flurudhat mateshin me zogjtë?”. Përgjigja del
vetvetiu. Sipas poetit, ajo vjen për një “Asgjë” vetëm. Çudi, shkruan poeti:
“Si rroje kështu mes asgjësë...?! (24).
Një
tjetër ndjesi e bën të veçantë emocionin dhe vargun e Matos: “Të thashë:/
ndihem si gjysmëperëndi/ nga përkujdesja,/ nga drita e syve të tu/ dhe tërë
qenia jote!” Është ajo ndjesi që pëshpëritet nën hiret e magjisë së Erosit,
mjafton një fije shprese, sado e vogël të jetë, për ta frymëzuar që të
shkruajë: “Ti erdhe!/ Një himn oshëtiu brenda meje/ dhe bëri që Fenksi të
ringjallej,/ të përplaste krahët, të shkundte hirin prej tyre/ dhe të kapte
kuotat që pata dëshiruar” (29). Po nga
kjo magji, poeti lidh ura përjetimesh me përzierje ëndrrash: “Zotat deshën të
ishim larg/ dhe derdhën energjitë mbi mua/ të ngre këtë urë qiellore të
poezisë,/ që përshkëndit hapësirat deri te metropoli ku rron/... Vete e vjen ti
nëpër atë urë drite/ ku bien gjethe hëne e luspa yjesh”. Janë vargje tejet të
ndjeshme, ku arti gjen shkrirje në ndjenjën e poetit sikur vetë Zotat deshën të
ngrenë po ata altarë poetikë. Po, jo gjatë, sepse para dashurive të mëdha poeti
ndihet si “zog i tretur” (34) dhe ashtu i plogështuar shkruan: “Zëri yt u derdh
si një shushurimë valësh./ Mund edhe të mos kishe ardhur/ dhe gjërat mund të
kishin mbetur si më parë” (35).
Rikthimi
i poetit te deti, “me një libër të vogël për mitet e udhëtarët e mëdhenj të
detrave” arrihet përmes ciklit “Shtëpia ime prej deti”, në të cilin thuren me
dhjetëra ëndrra perëndish, si: Tetis, Poseidon, Odiseu, Simbad Detari,
Polifemi, Kolombi e Magelani..., e shumë të tjerë për të cilët deti ishte selia
e ëndrrave të tyre.
Poeti
i rritur në qytetin e vogël me palma, me bukonvile dhe shkallë që të shpien
drejt detit njihte magjinë e mistereve, frymëmarrjen e pashterur të valëve
dhe... ndiente se si Trëndafili i Erërave lulëzonte brenda tij. Bota e
panjohur, anijet e lashta, kohërat..., ia mbushnin jetën plot bredhje të
ëndërrta. Sigurisht, edhe kur ndeshte në “Varrezat e anijeve të mbytura” (53)
dhe e pushtonte dhimbja, ishte sërish deti - magjia që e përmbushte
shpirtërisht dhe ai thotë: “Jam biri i brigjeve të gjelbra, biri i rërës dhe i
detit” (50).
Një
kthjelltësi mendimi mbi dhembjen dhe sakrificën e gjen në ciklin “Kryqëzimi
im”, ku me nota përjetimesh të dhimbshme shkruan për Kryqëzim - Gozhdimin në
Golgota, kur: “...pikat e gjakut, ringjallja/ ishin një provë e vështirë,/ në
kohën kur parimet klonoheshin me shiringat e ideologjive”. Një varg që të dhemb
më shumë se një mal i tërë dhembjesh është: “Tej kryqit, tej vetmisë
hamendësoja botën” (71). Distancimi i një bote të tërë ndodh atëkohë kur poeti
mbetet në vetminë e drurit të kryqëzimit të tij.
Ky
mohim shpirtëror, tok me mohimin e lirisë së ëndërruar i ndodhi poetit edhe
atëherë kur trokiti në dyert e Komitetit Ekzekutiv për t’i kërkuar poezitë, një
libër vetëm... e Ata qeshën me ironi dhe e dërguan në zyrën e Rekrutimit. Pra,
kjo ishte bibla e vuajtjeve të poetit, 30 vjet i mohuar, pa lirinë e fjalës, pa
librin e poezive, pa dinjitetin njerëzor, i lënë në harresë, i vetmuar mes një
drite të verbër në majëmale mjegullash. E kur t’i ndëshkojnë ëndrrat dhe udhët,
kush mund të të rinjohë vallë..., përpos nënës: “Nëna si një e verbër më
hetonte mes cipës së lotëve,/ prekte mbresat e vuajtjeve, të çarat brenda
meje,/ zërin e tjetërsuar nga kalvari i parë i jetës” (75)?!. Ikja nga kujtimet
e tilla ishte çmallja me detin, meqë vetëm aty i mbushte zgavrat e zbrazura të
shpirtit.
Lexues
i devotshëm, Agim Mato nuk është poet i mesazheve të përcipta, andaj ndalo pak
frymën mbi gjuhën poetiko - artistike të poemës “Spektakli i luleve”, për të
njohur një fjalor të tërë mitologjik derdhur përmes fjalësh si grimca
enciklopedike..., ndryshe nuk do të depërtosh kurrë në esencën e vargëzimit të
Matos, nuk do të njohësh kurrë rigat e mallit të tij. Fjalët e tij janë si
“lule radhiqe si bojë shkrimi, janë vula e një shpirti të ndjeshëm, teksa
shkruan: “Ëndërrza të mia që çelni në hone.../ - ka kohë që nuk rroj më pranë
jush.../ Më është rënduar hapi. Nuk ua shoqëroj dot si dikur/ spektaklin
madhështor të ringjalljes biblike,/ nuk bares më në kopshtet e lulëzuara...”
(85).
Sot,
poeti nuk rron më pranë luleve..., ndonëse një avlëmend i tërë lulëkuqesh,
luleshqerrash, manushaqesh, po aty edhe Ylli i Alpeve, Fillikatja e Pyjeve,
Adonisi i Verës..., e sa e sa të tjera lule që vetëm i stolisin përmendoret
prej bronzi të qyteteve. Për këto, për këto vetëm e zë meraku poetin...,
“...për brishtësinë e linjave që e fisnikërojnë dheun,/ për bukurinë e
heshtur...” (86).
Në
ciklin “...Edhe prisje lejlekët”, do të pasqyrohet edhe një stinë vjeshte që
nuk do të mungojë në përjetimet e poetit. “Në qiparisin e natës, me foletë e
zbrazura të lejlekëve,/ lëkundej shalli yt ku sapo ishin vetvaruar ëndrrat”
(89). Poezia e Matos krijohet nga thelbi i jetës, sepse në to gjendet epopeja,
drama... Vargjet: “Të ecë në ty,/ qelqe ëndrrash më shpojnë tej e tej/ dhe unë
e humb orientimin” (91). Asgjë nga këto nuk është e proftisur, por vetëm
përjetime të vështira që i kanë pamundësuar poetit ta ëndërrojë të nesërmen.
Atë vetëm se e shqetësonte morali qytetar dhe ideologjia e kohës, siç do të
shprehej Françoise Sagan: “Ekziston një censurë ku dëshiron të japësh imazhin e
vetes. Mirëpo shkrimtari është dikush që do të dijë. Ai e nis një rrëfenjë dhe
ia ka ënda të mësojë se çka do të ngjasë të nesërmen...”
Kjo
grishje e guximshme shpërfaqet në dy poezitë “Në vjeshtë, ndarja” dhe “Në
pranverë, shpresa”, të cilat ngrihen si antiteza stinësh jetësore që vënë
përballë kujtimin, dhimbjen, mëngjeset dhe buzëmbrëmjet e stërmbushura me
mallin e pritjes e që pasohen nga dy poezi tjera: ”Trëndafil i hershëm” dhe
Vajza e dashuruar”. Janë këto si pohim ndaj vetes se poeti e pranon se i vetmi
moral të cilit i beson është bukuria, estetika... Mirëpo, tërë brishtësia e
vargëzimit, për të sjellë një shpërqendrim të lexuesit nga dhimbja, më duket si
gjë e pamundur, përderisa cikli përmbyllet me rapsodi të reja mbi një “Pranverë
të asfiksuar”.
Në
“Cikli i fundit” i gjejmë si në korpuse të gjera tematike: mitet, lashtësinë
ilire, kulturat krahasuese, thjesht në poezinë e tij gjen Anatominë e kulturës
së lashtë. Megjithëse, vihemi para dilemës se si duhet vepruar pas kësi
përjetimesh...?!
Si
mund t’u shmanget poeti gjëmave?!
Është
vizion i poetit apo kërshëria e tij shprehur haptas me vargjet: “Erëra që
s’kanë fryrë, ke, dheu im;/ udhë që s’janë shkelur/ pyetje që s’kanë lindur,/
dëshira që s’kanë mbirë” (Dheu im, 131). Dhe sërish rikthim, sërish pasiguri...
për rrugën që duhet të bëjë Dheu im!
Agim
Mato është nga ata poetë që rihap Un-in tonë kulturor dhe ideologjik, duke mos
e kursyer simbolin për t’iu shmangur aludivitetit të kohëve të errëta, por na
befasojnë këndshëm tani më, ndonëse të pritshme nga një poet erudit, veprat e
përvitshme që botohen, të cilat janë si rezultat i rizbulimit të papiruseve të
mendjes, të ndrydhura për 30 vjet në thellësitë shpirtërore të tij, i pati
strehuar vargjet, si në një minierë ku ishte arkëzuar dashuria për artin
letrar.
Ç’mbetet
tjetër për të thënë, përpos se, ai poet që është i vendosur për të shkruar të
vërtetën, nuk ka forcë që e ndalon, ai vetvetiu do ta ndiejë çastin vendimtar
për të reflektuar mbi historitë e errëta...