Kulturë
Albert Z. Zholi: Flet “Mjeshtri i Madh” Dhimitër Gjoka
E hene, 01.11.2021, 05:56 PM
Flet
“Mjeshtri i Madh” Dhimitër Gjoka:
-Ndihem
i vlerësuar për titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”
-Për
regjinë skenike do të kishim Piro Manin e famshëm, Gjergj Vlashin, Esat
Oktrovën
-Për
kinematografinë do të kishim pedagogë, korifejtë e filmit, Dhimitër
Anagnostin,Viktor Gjikën, Gëzim Erebarën, Piro Milkanin e Kristaq Dhamon
-
Si mësova si dëgjues në provat e tavolinës në disa seanca tek drama
“Komunistët” e Ruzhdi Pulahës
-Si
më propozoi Timo Flloko të drejtoja festivalin e nëntëmbëdhjetë të këngës në
Radio Televizionin Shqiptar
Nga
Albert Z. Zholi
Para
disa ditësh Dhimitër Gjoka mori titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti Ilir
Meta. Ky vlerësim vjen pas një pune 45-vjeçare në ekran ku ai me zërin e tij,
me korrektesën e tij ka marrë urimet e miliona shqiptarëve kudo në botë.
Si ndihesh tashmë që në gjoks mban titullin e
lartë “Mjeshtër i Madh”?
-Ndihem
i vlerësuar. Ndihem që njeriu me punë vjen një ditë dhe e merr atë çka meriton.
Në jetën time kam përcjellë lajme kryeminsitrash, ministrash, nekrologji,
presidentësh dhe as e mendoja se do vinte një ditë që edhe unë do merrja një
dekoratë të lartë nga një president dhe konkretisht nga Presidenti Meta.
-Të vijmë te momenti i
arsimit tuaj , konkretisht tek Akademia eArteve, si vijim kujtimet me
profesorët tuaj të nderuar?
Profesorët
tanë, ishin mjeshtrat e mëdhenj të
regjisurës shqiptare. Për regjinë skenike do të kishim pedagogë regjisorin Piro
Mani, i famshëm për vënien në skenë të veprave të mëdha shqiptare, por edhe
botërore, Gjergj Vlashin, regjisorin durrsak, të mirënjohur për vëniet në skenë
të shumë dramave dhe komedive të suksesshme, ashtu si edhe profesorët e shquar
Esat Oktrova, apo Vangjush Furxhi. Për kinematografinë do të kishim pedagogë,
korifejtë e filmit, Dhimitër Anagnostin,Viktor Gjikën, Gëzim Erebarën, Piro
Milkanin e Kristaq Dhamon. Për njohuritë ndaj skenarit do të kishim të
mrekullueshmin Vath Koreshi, ndërsa për njohjen e kamerës mjeshtrin Faruk
Basha. Për njohuritë e skenografisë do të kishim Shyqyri Sakon, ndërsa për
regjinë televizive, do të ishte një nga regjisorët e shquar të Televizionit
Shqiptar, Ylli Pepo. Ky staf i zgjedhur si trupë pedagogjike, përbënte në atë
kohë ajkën e profesionistëve që i përkisnin fushës sonë. Eksperienca dhe
përvoja e tyre do të na bënin të ishim shumë të vëmendshëm në atë çka ata na
komunikonin. Nuk linim leksion pa shkruar, madje ndiqnim me vëmendje edhe
fjalën e fundit. Ishim të detyruar të shkruanim dhe vetëm të shkruanim, sepse
nuk kishte leksione të gatshme. Çdo gjë ishte përvojë e punës së madhe në
karrierën e secilit prej tyre, ku kishin spikatur me shumë krijime të
realizuara në skenë dhe në ekran. E ndienim veten tepër të vegjël në krahasim
me çka kishin arritur ata me punën madhore dhe sa herë flisnin i shikonim në
dritën e syve, sepse, jo vetëm që i kishim idhuj, por nga mos njohja e shumë
gjërave, sidomos në fushën e kinematografisë, interesi ynë u zgjonte pedagogëve
dëshirën për të na i bërë leksionet edhe më të detajuara, duke na mbërthyer me
shpjegimet plot kulturë dhe të mbushura me shumë material ilustrativ. Të gjithë
e ndienim se përpara nesh, nëpër çdo leksion, na hapej një dritare e re, e cila
na mbushte me më shumë njohuri. Eksperiencat nga sheshet e xhirimit, puna me
aktorët si edhe organizimi i skenave nga njëra tek tjetra, apo ruajtja e
gjendjes së interpretimit të aktorëve apo edhe e dekorit nga një episod tek
tjetri, dhe pse mund të kishin kaluar disa ditë deri në xhirimin e rradhës na
fusnin në një imagjinatë të bukur. Për shembull, në një skenë të xhiruar, në
dekor pranë personazhit që interpretonte ndodhenj një çadër shiu që binte
dukshëm në sy. Pas disa ditësh kur rifilloi vazhdimi i atij episodi, por me një
plan marrje të ndryshuar, në dekorin e njëjtë, mungonte çadra, e cila gabimisht
ishte hequr për kushedi se çfarë arsyeje. Më pas gjatë montazhit kjo ra në sy
nga regjisori, por ishte e pamundur të rixhirohej sërish ajo skenë. Në dukje të
parë kjo mund edhe të mos thotë ndonjë gjë, por në rrjedhën normale të filmit
për një profesionist, ose për shikuesin e vëmendshëm bie shumë në sy.
Skrupuloziteti në kërkesat e duhura, për të qënë çdo gjë në vendin e vet, janë
domosdoshmëri e vëmëndjes regjisoriale dhe jo vetëm.
-Çfarë ngulite në mendje
nga kompozimet e planeve?
Unë
mësova dhe ngulita në mendjen time kompozimet e planeve klasike; “planin bust”,
“të mesëm”, “planin amerikan” si dhe “planin e madh”. Secili nga pedagogët
kishte karakteristikat e veta profesionale në punën me aktorët. Planet
mirëmendoheshin që me shkrimin e skenarit dhe më pas, ndërthurja e tyre ishte
pastaj ajo që i jepte së tërës, në montazh, harmoninë e vendosjes së tyre, e
cila ndikonte në rrjedhën logjike të zhvillimit të ngjarjeve. Mësova gjithashtu
se, si shkruhet një skenar dhe si realizohet një i tillë, jo vetëm në teori,
por edhe në praktikë në sheshin e xhirimit, si punohet me aktorët në atë se çfarë
kërkon regjisori prej tyre. Mësova për ndriçimin se si bëhej në skena të ndryshme në funksion
të ngjarjeve dhe se si regjisori e mendon një skenë për ndriçimin e saj
kundrejt personazheve, që veprojnë në të. Regjia e filmit ishte jashtëzakonisht
e bukur dhe i kushtova më shumë kujdes, pasi për regjinë skenike kisha njohuri
të mëparshme, të cilat i kisha fituar gjatë kohës kur aktivizohesha në teatrin
profesionist të Vlorës.
Dhimitër
Anagnosti ky mjeshtër i madh i regjisurës së filmit shqiptar na ilustronte
bukur deri në detaje mënyrën se si edhe një poezi mund të zbërthehej në imazhe
filmike dhe shembujt që na demonstronte s’ishin të paktë. Mbaj mend se si
zbërtheva një poezi në imazhe filmike. Mora poezinë“Vajzë e valëve”të Neço
Mukos të përmendur më sipër, të cilën në fantazinë time u zbërthye bukur
teorikisht në letër. Imagjinata që na mësoi Anagnosti të vinim në përdorim na e
bëri të thjeshtë punën. Çdo varg i saj më kalonte në mend një panoramë filmike
me plane të përzgjedhura nga portreti e deri në terenin ku vajza vepronte dhe
priste. Zbërtheva bukur edhe dialogun që ajo bënte me zogjtë. Fantazia jonë na
çonte larg, ku bukur dhe saktë në shumë mënyra shpërfaqnim mendimet tona të
thjeshta për çdo fjalë, varg apo strofë të poezisë. Kalonim orë shumë të bukura
dhe frutdhënëse, aq sa shpesh mendonim se përse mbaronte kaq shpejt leksioni.
Anagnosti dinte se si të na bënte për vete. Na mbërthente me aftësinë e tij
komunikuese me kulturën e madhe kinematografike që zotëronte. Veçova Dhimitër
Anagnostin, por për mua mbeten në lartësinë e mjeshtrave të padiskutueshëm të
kinematografisë shqiptare edhe regjisorët e tjerë të nderuar që pata fatin të
isha student i tyre dhe që i kam përmendur më lart.
Në
leksionet e regjisë skenike isha pjesë edhe e disa punëve në tavolinë në
Teatrin Popullor, kur shkoja në orët e lira, sidomos paradite, të regjisorit të
jashtëzakonshëm Piro Mani, energjik dhe zotërues i një kulture të madhe
skenike. Të gjithë aktorët që punuan me atë, por edhe ne si studenët të tij, e
shikonim si një idhull të pakrahasueshëm. Leksionet e tij ishin shumë të
veçanta, pasi eksperienca që mbartëte ishte jashtëzakonisht e madhe edhe për
faktin që kishte studiuar jashtë vendit, në Moskë, kryeqytetin e Bashkimit
Sovjetik. Mora pjesë si dëgjues në provat e tavolinës në disa seanca tek drama
“Komunistët” e Ruzhdi Pulahës, dramaturg
që di të gjejë detaje dhe të zbërthejë personazhe si rrallë kush.
-Çfarë mësove tek kjo
dramë?
Mësova
dhe pashë nga afër punën e jashtëzakonshme që bënte Piro Mani me aktorët. Pjesë
e trupës ishin aktorë të tillë të mëdhenj si Robert Ndrenika, Margarita Xhepa,
Reshat Arbana, Drita Haxhiraj, Viktor Zhusti, Anastas Kristofori, Andon Qesari,
Roland Trebicka, Edmond Budina, e plotë të tjerë. Provat në tavolinë janë një
shkollë e madhe për çdo të ri që aspiron të bëhet regjisor. Unë nuk dua të
sjell mesazhin që përcillte kjo dramë, por dua të theksoj interpretimin virtuoz
të kësaj kaste aktorësh të jashtëzakonshëm. Fantazia regjisoriale në zbërthimin
e dialogut ishte e pafundme. Puna përgatitore e Piro Manit i bënte aktorët të
ishin më rezultativ në trajtimin e rolit. Piro Mani kërkonte kulmet e dramës në
disa akte të saj. Dhe këtë e arriti bukur. Shpërthimet e aktorëve ishin kaq të
natyrshme dhe mjeshtërore, sa ngrinin peshë jo vetëm ne që ndiqnim nga afër
punën në tavolinë, por edhe më pas spektatorin në sallë gjatë shfaqes,si
asnjëherë tjetër. Ishte vërtet fat i madh të ndiqje nga afër provat me Piron si
regjisor në studion e punës. Qe një shkollë më shumë se leksionet që merrnim.
Kur gjërat i shikonim konkretisht nuk kishte kënaqësi më të madhe. Unë
mbushesha thellë në mendje dhe në shpirt me këtë profesion, të cilin e shikoja,
e prekja dhe jetoja fort me të.
Kush të propozoi dhe si
erdhi te ju prezantimi i Festivalit të 19 në RTSH?
Muaji
i parë i dimrit, dhjetori, erdhi shpejt. Timo Flloko, një nga pedagogët dhe
artistët e talentuar të filmit shqiptar, në atë kohë, një ditë, teksa mbaruam
orën e mësimit, do të më veçonte nga shokët e mi studentë, për të më propozuar
që të drejtoja festivalin e nëntëmbëdhjetë të këngës në Radio Televizionin
Shqiptar, që organizohej çdo muaj dhjetor. Bashkëshortja e Timo Fllokos ishte
Vera Grabocka, e talentuara e regjisurës televizive. Edhe pse kisha kohë që
isha bashkëpunëtor i jashtëm i Televizionit Shqiptar, nuk më ishte dhënë
mundësia të takohesha me Verën. Deri atëherë, pavarësisht angazhimit tim në
radio apo në televizion, me të ishim parë vetëm prej së largu. U takuam para
godinës së televizionit në ditën dhe orën e caktuar. Së bashku me Vera
Grabockën qe edhe një vajzë, e cila ishte përzgjedhur prej saj, për të qenë
kolegia ime e festivalit. Quhej Silvana Braçe.
Prej
asaj dite, për njëzet ditë e netë të tjera përveç mësimeve ditore, shkuarjes në
Radio dhe daljes në ekran për emisionin e lajmeve, m’u shtua edhe puna për
festivalin. Që në çastin e parë, vendosa të bëja të pamundurën për t’i
përballuar të gjitha. Më ishin dhënë shanset dhe si çdokush që vihet përballë
sprovave të tilla, sa të vështira, por edhe aq të bukura e me perspektivë,
dëshiroja që t’i kapërceja me sukses. U konsultova me drejtuesit e Radios dhe
njëkohësisht edhe me të Televizionit që të angazhohesha atë muaj disi më pak,
sipas mundësive që ishin. Nisa të shkoja në arkivin e Televizionit për të parë
ish-spikerët e festivaleve të kaluara, si e si, për të krijuar një ide më të
plotë rreth prezantimit të tyre. I kisha ndjekur festivalet në vite si gjithë
të tjerët pasi ishte aktiviteti më i rëndësishëm muzikor i vitit, por se kisha
menduar se një ditë do të isha edhe unë pjesë e një të tilli. Pavarësisht
daljeve të mia në ekran, festivali ishte jo vetëm një sfidë, por edhe një
shkollë profesionale më vete. Gjithnjë e kujtoj me admirim punën e madhe që
bëri me mua dhe Silvanën regjisorja Vera Grabocka, por edhe Timo Flloko, pedagogu
im, i cili na ndenji pranë, sidomos për lëvizjet skenike, ecjen, qëndrimin para
mikrofonit, por edhe se si do të prisnim këngëtarët në skenë.
Fytyrë
qeshur, me ecje të bukur dhe me vështrim të plotë tek spektatori në sallë –
ishin fjalët e para që na adresoi Vera Grabocka. – Është festa e këngës dhe në
festë njerëzit janë të qeshur e të dashur me njëri-tjetrin. E folura të jetë e
ngrohtë, magjike dhe kjo do të mund të krijojë një komportim të shkëlqyer me
spektatorin, teleshikuesit dhe këngëtarët që ftoni në skenë. Që të arrihet kjo
nuk ka vështrim në tekst. Çdo gjë duhet mësuar përmendësh dhe e thënë në
mënyrën më të mirë të mundshme para kamerës dhe spektatorëve në sallë. I
fiksova mirë në kujtesën time këto fjalë të regjisores dhe nga ai çast them se
i qëndrova besnik kërkesave.
Qysh
në fillim, më bëri shumë përshtypje kolegia ime Silvana me të mësuarit e
tekstit. Kishte aftësi që me një të lexuar të përvetësonte gjithë fjalët e
shkruara dhe të ishte në gjëndje t’i komunikonte bukur. Zhuliana Jorganxhi, kjo
femër e lartë, poete dhe redaktore e veçantë e teksteve te këngëve, pranë
redaksisë së muzikës në Radio Tirana, na solli skenarin e prezantimit të natës
së parë të festivalit, të ndarë, secilit nga një kopje. Provat kalonin shumë
mirë dhe me Silvanën arritëm të komportoheshim natyrshëm. Por problem do të
ishte veshja si e imja ashtu edhe e saj. Unë nuk kisha një kostum timin. As ajo
nuk kishte personale asgjë për natyrën e veshjes që kërkonte festivali. U
lodhëm shumë, sa në një garderobë në tjetrën dhe më në fund unë gjeta dy
kostume që më rrinin bukur në trup. Provat e lidhura kalonin shumë mirë. Bujë e
madhe siç bëhej rëndom kur vinte fund viti. Festivali ishte i vetmi argëtim
kombëtar i muzikës së lehtë në Shqipëri që organizonte Radio Televizioni
Shqiptar, ndaj edhe pritej nga të gjithë si festa më e bukur e këngës së lehtë
shqiptare.
Shpesh
herë, aty në skenën e festivalit që zhvillohej në Teatrin e Operës dhe Baletit,
gjatë provave më kujtohej koha e shkollës tetë vjeçare apo edhe e gjimnazit,
kur prezantoja koncertet që organizoheshin në Vlorën time të dashur. Këto
kujtime më shtonin forcën brenda vetes dhe më motivonin që t’i kaloja
prezantimet profesionalisht mjaft bukur, siç shpreheshin hapur regjisorja Vera
Grabocka, e po ashtu edhe pedagogu im Timo Flloko. U njoha nga afër me shumë
këngëtarë dhe këngëtare që deri dje i dëgjoja në radio, por me raste i shikoja
edhe në ekranin e televizorit. U njoha me këngëtarë të mëdhenj të skenës
shqiptare si me Vaçe Zelën, Gaqo Çakon, Ema Qazimin, Luan Zhegun, Tonin
Tërshanën, Lindita Sotën (Theodhori), Kozma Dushin, Myfarete Lazen, Bashkim
Alibalin, Liliana Kondakçiun, Petrit Lulon, Afërdita Laçin (Zonja), Parashqevi
Simakun, Irma Libihovën, e plot të tjerë. Njoha kompozitorë të shkëlqyer si
Pjetër Gacin, Çesk Zadejën, Agim Prodanin, Tish Dainë, Avni Mulën, Tonin
Rrotën, Limoz Disdarin, Agim Krajkën, Aleksandër Lalon, Vladimir Kotanin, e
Flamur Shehun. Në njohjet e mia krahas të sipërpërmendurve ishin edhe poetët e
njohur të këngës si Arben Duka, Agim Doçi, Jorgo Papingji, Betim Muço, apo
Gjokë Becin. Së bashku kaluam shumë çaste emocionale gjatë provave, por edhe në netët e
Festivalit. Më kujtohet si tani kur u bënë vërejtje për këngën që këndoi Eduart
Jubani gjatë provës gjenerale për natën e parë. Ndoshta kënga që ai kishte për
t’u paraqitur nuk ishin për karakteristikat e vokalit të tij. Atë këngë e hoqën
nga konkurimi dhe si rrjedhojë edhe këngëtari nuk do të ishte pjesë e
festivalit. Ai vinte nga qyteti i Shkodrës dhe dhimbja qe e madhe. Unë pashë se
ai u vra moralisht, por ndoshta qe ai festival, si shkak, që më pas Eduard
Jubani u bë një këngëtar virtuoz, jo
vetëm i këngës qytetare shkodrane.
Në
këtë atmosferë erdhi dhe ora e natës së parë. Nuk do të harroj kurrë fjalët e
hapjes, të cilat qëndrojnë gjithnjë të forta brenda meje:
-Të
dashur spektatorë, shikues të nderuar dhe dëgjues të radios, kudo që ndodheni,
mirëmbrëma! Po çelim natën e parë të Festivalit të Nëntëmbëdhjetë të Këngës në
Radio Televizionin Shqiptar!
Këto
fjalë u bënë edhe deviza e të tre netëve të festivalit.
Një
përvojë e madhe dhe eksperiencë e re, jashtëzakonisht e bukur. E bukur, sepse
ndodhesha në mes të korifejve të muzikës shqiptare. Më lumturonin pa fund,
urimet e përzemërta që merrja nga të gjitha anët; nga udhëheqës të lartë të
Komitetit Qëndror të Partisë, nga drejtuesit e Radio Televizionit, prej
këngëtarëve, spektatorëve, miqve e të panjohurve nga gjithë vendi. Mora urime
edhe nga kursi im i aktrimit, e në veçanti nga dy shokët e mi të pandarë Spiro
Duni dhe Zef Mosi. Telefonata të shumta vinin në redaksinë e muzikës në Radio
Tirana, ku kisha bërë një mik të mirë, kompozitorin e talentuar Gazmend
Mullain. Krahas përgëzimit për këngët, këngëtarët, kompozitorët, dirigjentët e
jashtëzakonshëm Ferdinand Deda dhe Eno Koçon, urimet shkonin edhe për ne
prezantuesit, mua dhe Silvana Braçen. Por urimin më të bukur e mora nga im atë,
Koçua:
-
Na mbushe djalooo! Na mbushe me gëzim! - më tha kur u lidha me telefon, pasi
mbaroi festivali.
Gjatë
muajve që kisha nisur të hyja në botën e regjisurës,e ndieja çdo orë dhe ditë
të rëndësishme, aq sa befas një hop vetja m’u duk si ata eksploratorët, që
vazhdimisht rendin drejt universit, në kërkim të kufijve, mistereve dhe
pafundësisë së tij. Regjisura ishte e tillë: një univers që nuk shteron. Lexoja
literaturë artistike dhe isha bërë një student i rregullt i bibliotekës të
Institutit të Lartë të Arteve. Lexova shumë nga Shekspiri e Molieri dhe po
ashtu faqe të shumta nga autorë shqiptarë dhe të huaj, poezi, tregime,
reportazhe e skica. Të gjitha këto lexime ishin jo vetëm për t’u mbarsur me
kulturë më të gjërë, por në rradhë të parë për të zgjedhur se kë poezi apo
tregim do të përcaktoja për interpretim, për t’u paraqitur në provimin e
“Fjalës artistike”. Planifikoja kohën ditore, aq sa pothuaj se nuk më mbetej
hapësirë për të pushuar. Para dite merrja leksionet e lëndëve profesionale, por
edhe të lëndëve të tjera që plotësonin formimin tonë si të detyrueshme. Në më
të shumtën e ditëve të javës bënim mësim edhe pasdite. Në mbrëmje përgatitesha
për të dalë në ekran, shpesh me dy edicione lajmesh, në edicionin kryesor që
transmetohet edhe sot në orën 20.00 dhe në edicionin e fundit, atë të orës
22.00.
Në
ditë të veçanta, për shkak të formimit profesional isha i detyruar të shkoja
edhe në ndonjë premierë në Teatrin Popullor, në Estradën e Shtetit apo edhe në
Teatrin e Operas dhe Baletit. Kur vinte ora për të fjetur, bija në shtrat i
këputur nga lodhja dhe çohesha të nesërmen me rrëmbim për të filluar një tjetër
ditë, i angazhuar nëpër çdo orë të saj.