Kulturë
Albina Idrizi: Bleona Arifi - Dhembjen lerma mua
E diele, 31.10.2021, 01:11 PM
STUHIA POETIKE E NJË
BASHKËBISEDIMI METAFIZIKË
Nga
Albina Idrizi
Pas
leximit të përmbledhjes me poezi "Dhembjen lerma mua" të Bleona Arifit, me kthime të herëpashershme
nëpër tituj poezish e vargjesh, ndjehesh e përmbushur artistikisht sepse ke të
bësh me një libër të arrirë duke harruar se
autorja është e re dhe ky ishte libri i parë i saj. Ky libër i saj , për
të kushedi të satën herë me radhë, na bind se dhuntia e të shkruarit nuk ka të
bëjë me moshën as përvojën. Burimi i saj
është në metafizikën e qenies të pamoshë e të pakohë.
Mbi
pesëdhjetë poezi, sa përfshihen brenda kopertinave të këtij libri, mahnisin me
pjekurinë e vargut, thellësinë e mendimit dhe artilkulimin e veçantë të
emocionit. Subjekti lirik i këtyre poezive, që në të vërtetë autoreferon
autoren meqë poezitë janë të shkruara në veten e parë, kundron dhe kupton
njëkohësisht veten e vet karshi realitetit ku jeton.
Poezia
e Bleona Arifit absorbon me një gjuhë të zgjedhur e të matur dezintegrimin e
zhgënjimeve e mëdyshjeve deri tek një integrim plot vullnet e shpresë në një
hapësirë, qoftë ajo edhe imagjinare, më të bukur e më të denjë: Isha dje kjo e sotmja/ me buzëqeshjen
e heshtur që zhagit veten buzëve tua? (Unë dhe Ti)
Libri
fillon me kanonizimin e një lutjeje në tri vargje, që vjen edhe si hyrje e
përmbledhjes:
Po ndërrova jetë e
dashuruar,
më varrosni pa pikë loti
në shpirtin tim binjak.
Autorja
rrëfehet tek lexuesi përmes vargjeve të lira të librit sa krijohet bindja se
ajo gjatë gjithë kohës ka bashkëbiseduesin përballë në një dialog imagjinar e
që nën stihinë emocionale që reflekton poezia bashkëbiseduesi është vetë ai,
lexuesi: Për ty i fola diellit,/ luleve, pemëve, natës skëterrë,/ valëve,
vetëtimës, yjeve vezullues, qiellit. (Erdhe bashkë me pranverën)
Ajo
madje edhe përgjigjet, po me varg, pyetjes së bashkëbiseduesit të heshtur:
....Thjeshtë shkruaj
për t’iu treguar se kjo
që shihni
Nuk jam
Por ajo tjetra që po e
kërkoj
(Amshueshmërisë së
fjalëve)
Të ikësh nga tymi i
krijuar
dhe të përfundosh
në avullin e mefshtë mbi
fletë
do të thotë të shkruash
(Të shkruash)
Doza
e melankolisë që përfshinë pothuaj pjesën më të madhe të poezive nuk thyen as
dobëson vrullin e dashurisë dhe
vetëbesimit të subjektit lirik:
...e tillë jam, njeri
jetoj si dua vetë
jo si do ti, ti, ti,...
(Un’i)
Edhe
akrostiku pesëvargësh që nisë me mallin dhe pritjen duke zgjuar kështu një
ndjenjë pesimizmi tek lexuesi, në të vërtetë metatemë e saj është dashuria, gjë
që e tregojnë qartë shkronjat e para të vargjeve në vertikale.
Shpirti
i poetes është i madh. Shqetësimi i saj rreth ngjarjeve nëpër botë, gati se i
prekshëm. Rrezatues.
O mik,
bota është fundosur,
thellë në shpirtrat e
trazuar.
Në më faltë mua syrin e
saj
unë kam për t'u bërë
diell
t'ju ngroh,
e t'ju falë lumturi
pa fund.
(Në një tjetër shikim)
E,
Zoti qan atëherë kur përfundojnë dashuritë, thotë autorja.
Ndahemi
nga përmbledhja me poezi ‘Dhembjen lerma
mua’ mbase për t'iu rikthyer përsëri, më të pasur në ndjenjë, më të thellë në
mendime, me bindjen e plotë se kjo përmbledhje
e vargjeve të lira, me semantikën e fjalëve, melodinë dhe rrjedhshmërinë e
shprehjes, emocionin sublim që përshkon ato si rezultat i eklplorimit të thellë
shpirtëror, është kontribut në poezinë tonë bashkëkohore.
_____________
( Ky vështrim letrar është lexuar dhe në hapjen e
Manifestimit tradicional "Vjeshta
letrare e Gjilanit", më 16 tetor 2021, në Bibliotekën e Qytetit të
Gjilanit, ku u përurua ky libër )