E marte, 10.12.2024, 05:06 AM (GMT)

Kulturë

Resmi Osmani: Gangsterët

E hene, 01.11.2021, 07:19 PM


GANGSTERËT

Tregim nga Resmi Osmani

Tringëlloi zilja e celularit. Numri i panjohur.

-Po, të dëgjoj. Ah, qënke ti!Po të pres. Si do më njohësh? Fare thjesht. Kam një kapele borsalinë tiroleze, të përhinjtë, xhup lëkure , xhinse blu dhe atlete Adidas. Për siguri po të postoj fotografinë. Të pres te veranda e Taivanit, me pamje nga Shallvaret, në ora dhjetë fiks. Okej? Hajd,hajd, mire ardhsh!

Djali i shërbimit pruri porosinë.Uiski me akull.

Gjerbi një gllënjkë. Uiski i shijoi, i ngrohu lukthin dhe iu përhap nëpër damarë. Në pritje të telefonuesit,vështroi kalimthi mjedisin. Një ves professional ky. Tryezat ishin të gjitha të zëna. Më së shumti zonja të vajtura, (që zonja u thënçin) dhe burra të mbaruar, para filxhanave    kafes dhe tirrnin llafe për të shtyrë kohën që mesa duket, e kishin me të tepërt dhe s’dinin ç’të bënin me të. Shtyje ta shtyjmë! Teksa atij gjithmonë i mungonte.Rreth e qark, asgjë e dyshimtë. Ai ua ndjente që për së largu me nuhatje erën spiunëve dhe hafieve .U kujdes që edhe tryeza ku kishte ndenjur, të ishte jashtë rrezes së kameras. Pritja po e mërziste. Pezulet e anës lindore, kuqëlonin nga lulemullagat, shatervani  lartësonte me shushurimë currilat e ujit, që ndrinin nën rrezet e forta të diellit. Rruga gumëzhinte nga makinat. Perballë ballinat e ftohta e te shëmtuara të shallvareve. Kishte vite pa ardhur në Tiranë.Qëndra s’i pëlqeu fare.Thuajse nuk njihej. Kullat e betonta i merrnin frymën dhe shtypnin me hijet e tyre sahatin dhe Xhaminë.

Personi që priste, u shfaq papritur si hije para tryezës dhe si me dyshim e pyeti, në mos gabohej, ishte Bosi, zoti Valter? Jo, nuk gabohej. Ai ishte dora vetë. Ti je ai robi që më telefonoi? Ai pohoi me një tundje të kokës. Shtrënguan duart. E ftoi të ulej kundruall.I sapoardhuri kërkoi ndjesë që e la të priste, por ç’ti bësh, ky dreq trafiku, ishtye krejt i pa parashikueshëm.- U shfajësua ai.

Bosi nisi ta zhbironte me sy, ngultas, aq sa tjetri  u ndje në silklet. Asgje e veçantë: shtat mesatar, twë lidhur mire, në mesmoshë, në pamje fare i zakonshëm, që nuk binte në sy, i rruar taze,  syzet fotokromatike, nuk ja fshihnin dinakërinë që i lexohej në sy. Kapele sportive rrasur deri mbi vetulla.Në kyç të dorës, një zinxhir i trashë floriri.

- Më thanë që jetoni në Zvicër.Keni dit që jeni në Tiranë?

- Ka ca dit. Erdha dhe u hodha një sy investimeve, kam aksione në një firmë  ndërtimi.Para se të iki, më ka mbetur edhe një punë. Një dele  ka dalë nga vatha e një mikut tim dhe dihet, delen që ndahet nga tufa e ha ujku! Më rekomanduan se ju jeni personi që mund t’ia dilni mbanë.

-  Nuk e di përse bëhet fjalë. Erdha  t’u dëgjoj.

- Atje ku banoj, një miku im, ka një biznes që shtrihet në tre shtete. Tregëtinë e miellit. Ka shitës me shumicë e me pakicë, një rrjet të organizuar e kontrolluar me dorë të fortë. Kaq sa për dijeni, të tjerat s’ka ç’të duhen. Sa për vete, merrem me sipërmarrje ndërtimi. Kësisoj, po i bëj nder një miku, që ma kërkoi kur mori vesh se po vija në Tiranë.

Biseda u nderpre, se erdhi djali i shërbimit per të marrë porosinë. Uiski për të dy? Jo. tjetri deshi një çaj të zi.

Bashkbiseduesi e kupti se bosi ruhej të zbulonte veten, po i broçkulliste se gjoja po i bënte nder një miku, teksa kishte bindje se ishte dora vetë. Por neise, punë e tij.

- Dhe ja se ç’farë më rrëfeu miku im: një ditë nga ditët,  i prunë një djalosh hallexhi që iu lut ta merrte në punë. Kuptohet, në atë biznes  s’merret ne punë kushdo, por djali iu bë rrodhe, u përqall e iu lut, u betua e stërbetua për besnikëri dhe, meqë ishte shqiptar e bëri zemrën gur.E vuri në prove. Punonte mirë dhe dihet,si në çdo punë kali i mirë ja shton tagjinë vetes. E mos ta zgjat e bëj tërkuzë, mori tridhjet mijë franga mall. Prit e prit se mos vinte e sillte fitimin, ai kishte fryer, si I thonë, u kishte lënë hijen. Miku im, ka ca djem që s’të falin , e kërkuan gjithandej të gjenin vrimën ku ishte futur dhe t’ia ndreqnin samarin e ta thyenin më dysh, por ai ishte zhdukur pa nam e nishan. Më pas, morën vesh se ka ardhur në Elbasan, prej edhe nga është, ku bën të fortin dhe ka hapur një biznes për shitjen e miellit dhe të barit.

Miku im e do të vdekur!

Sekseri u trondit sesi Bosi bëri kërkesën e fundit, aq qetë ashtu siç bëri porosinë për gotën e Uiskit. Por tekefundit, nuk ishte  kotnasikoti Bos. Guxoi dhe bëri një vrejtje.

-Për aq pak, për tridhjetë mijë franga. Kaq vlen jeta e njeriut?

-Mos bëj bythën e zgjuar. Aq para për ‘të s’janë as një qime floku.Më tha se po t’ia  kishte kërkuar, ngaqë ishte në hall edhe mund t’ia kishte falur aq para, por ai shkërdhata krisi e iku. Pandehu se ia hodhi E mësuan ngjarjen gjithë shpërndarësit. Kjo për të ështe e rëndë. Herë e parë që i ndodhte, e kujt? Atij që s’ka lindur bir kurve që t’ia  shkojë ujin nën rrogoz. E kupton se ç’farë ka ndodhur? Janë shkelur rregullat e lojës. Besnikëria. Kodi i nderit është ai që e mban në këmbë atë biznes. E kush e siguron se nuk do t’u ngjallen morrat edhe atyre të tjerëve dhe t’ia bëjnë po ashtu? Po nderi I tij? Ç’bëhet me emrin dhe nderin e tij? Në atë biznes  dihet, s’ka keqardhje, s’ka mëshirë, rregullat e lojës nuk duhen shkelur.Ky është poshtërim. Kush del nga vatha dhe shkel kodin e nderit e paguan me kokë. Është kaq e thjeshtë! Në s’guxon apo nuk di ta hedhësh atë valle, mos hyrë në ‘të. Nga ti , mor mik, kërkoj të më thuash: e bën dot apo jo, kaq. Në mos kam edhe adresa të tjera dhe po drejtohem gjetk.

Në pritje të përgjigjes, Bosi nxori nga kutia e argjendtë puron, i   preu majën me pincetë dhe i dha zjarr. Kishte folur si shumë, më shumë nga sa e kishte zakon.

Sekseri u mendua. Zogu i kishte ardhur në dorë. Dukej që Bosi, sido që fliste gjoja në emër të mikut, nuk i kursente paratë.

- Ti je dorërasi?

- Jo. Sekseri. Në Elbasan, kam ca djem që s’u dridhet qerpiku  të marrin gjak në vetull. Për para vrasin dhe të atin! Do ta bëjë njeri prej tyre, pa iu dridhur dora. Është profesionist. Vrasës me pagesë, i ka gjithë mjetet që duhen: pushkë snajper, kallashnikov, pistoletë me silenciator, bomba të telekomanduara. Syri si gabon dhe dora si dridhet, por çmimin e shërbimit e ka të lartë. Xhanëm për këtë duhet të llafosim.

- Sa kërkoni?

- Pesëdhjet mijë euro! Kaq e ka tarifën.

Bosi u ngërdhesh, dhe i hodhi një vështrim pyetës.

-Të duket shtrenjt?

As po, as jo. Ishte e kotë të bënte Pazar.

Në pritje të përgjigjes,  sekseri foli për rreziqet dhe vështirësitë, policinë që s’u ndahej, për ca pagesa për ata që do ta nxirnin gjahun në shteg, sigurimi i një makine që më pas do të digjej, e ashtu e kështu e tërci vërci e broçkulla sa të duash!  Teksa bosi tymoste qetësisht puron. Ishin gjëra që nga një vesh i hynin e nga tjetri i delnin. Për të kjo do të thoshte eja baba të të  rrëfej arat!

- Pranohet.

Sekseri frymoj thellë.Ia kishte dalë, por se dha veten. Por për të i shënjuari me vdekje ishte akoma një hije.

- Si e ka emrin?

- Në vend të emrit përdor nofkën Loni i Gjenës.

Bosi nxori në ekranin e celularit fotografinë e Lonit të Gjenës dhe ia tregoi sekserit.Tashti po ta postoj. Shihe, të erdhi? Po. E di ç’ke, fshije foton time që ta dërgova qëpar. E bëre? Po, e fshiva.

Bosi nxori një zarf.

- Është kapari. Në franga zvicerane. Gjysmën tjetër do ta merrni te firma “A.B.C. Konstrakshën”, te rruga e Kavajës, kur lepuri të ketë rënë në lak.

- Kjo gjueti do kohën e saj- vërejti sekseri- sa kohë na jepni?

- Sa më shpejt aq më mirë.

- Hele hele?

- Ta lemë nja një muaj, as një ditë më shumë.

- U tha, u bë! Por heshtje varri. Për ju, unë nuk egzistoj dhe ti s’më ke parë apo takuar kurrë. Mos t’u gënjejë mëndje të bëni dredha.Miku im, ka sy e veshë ngado dhe dorën të gjatë. Fundi, për ata që duan t’ia  hedhin, dihet.

- Pa merak.

U ndanë, morën  dy drejtime të ndryshme, të qetë, si të mos kishte ndodhur asgjë, sido që në mendjet e tyre ishte ukur galuc vdekja.

Koha ishte e bukur dhe dielli ndrinte.

*    *   *

Një të martë mbrëma, Bosi, ndenjur në shezlong, në verandën e vilës në breg të liqenit të Gjenevës, gjeti kanalin e Top-Chanel për të dëgjuar lajmet nga Tirana. U shfaq folësja. Nisi me kronikën e zezë: Ngjarje e rëndë në Elbasan, u godit për vdekje personi i njohur me nofkën Loni i Gjenës, i kthyer nga Zvicra para gjashtë muajsh. Vrasësi u largua në drejtim të pa ditur. Viktima njihet si person me precedent penalë. Mendohet se vrasja duhet të jetë bërë për larje hesapesh midis bandave te shperndarjes së drogës. Hetimet vazhdojnë.

Bosi mori frymë I lehtësuar.Porosia ishte përmbushur.Nderi i shkelur ishte vënë në vend. Do të kujdesej që lajmin ta mësonin edhe të tjerët. Le të bëhej mësim për gjithë  boyt e punësuar.

Tiranë, më 28.10.2021



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora