Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Nga bundrrat e Tiranës tek Majlinda e punës
E hene, 01.11.2021, 07:51 PM
Nga bundrrat e Tiranës tek Majlinda e punës
Nga
Edison Ypi
Ta
pranosh ftesët për të vajtur në promovimin e njërit nga librat e shumtë që ka
autor, kopertinë, çmim, por s'ka energji, s'ka magji, s'ka asgjë - je aq
budalla sa më mirë gjej një çengel, ngule në tavan, merr një litar, lyeje me
sapun, dhe gjithçkaje jepi fund.
Ta
pranosh ftesën që të vjen me rastin e hapjes së një butiku - je aq bosh, jeton
aq kot, sa më mirë merr një gotë uji, mbushe përgjysëm, mbytu në të.
Ta
pranosh Ftesën që të vjen për të marrë pjesë në Festën e përvjetorit të
Brigadës X apo Regjimentit Y gjatë asaj luftës inekzistente - veten s'të lypset
ta vrasësh, veten e ke vrarë me kohë.
Ama
të erdhi një Ftesë të shkosh te
"Festa
e Ullirit", pamja ndryshon rrënjësisht.
Le
pastaj kur kjo Ftesë të njofton se ajo Festë bëhet në një fshat që quhet Luar,
e për më tepër që Ftesën ta ka bërë me firmë e me vulë e famëshmja, e
palodhura, e papërtuara Kryetare e Roskovecit Majlinda Bufi, me ma pre mishin
me gërshërë me ma bo kukurrec, këtë Ftesë e atë Ftesë nuk i refuzoj, nga varri
ngrihem shkoj e respektoj.
E
sheh atë Ftesë, dhe syve nuk u beson.
Nga
ora 9 paradite deri në mesditë, pra brenda 3 orësh, maratonë vrapimi, vizitë në
parkun agro-turistik, vizitë në Pyll, Panair me gatime të zonës, bimë
medicinale, objekte muzeore, ekspozitë me aktivitete argëtuese sportive, fjala
e hapjes e zonjës Majlinda Bufi si në filmat kolosalë ku titulli dhe infot
jepen pasi filmi ka filluar, ndarje çmimesh për fituesit e maratonës, ndarje
çertifikatash për prodhuesin më të mirë, të vajit të ullirit më të mirë, rakisë
më të mirë, verës më të mirë, dhe në fund koncert festiv.
Tërë
këto mrekullira, vërtet do ndodhin brenda 3 orësh ?
Nuk
do marr në telefon. Nuk do pyes njërin e tjetrin. Do iki ta verifikoj vetë.
Isha
dhe e pashë.
Gjithçka
më se e vërtetë.
Kanë
ardhur me makina. Ndoshta dyqint a treqintë makina. Dhe çfarë makinash. Nga më
të mirat.
Djem,
vajza, banorë, bujq, fermerë, të gjithë në ekstazë.
Roskovecarët
dhe mysafirët nuk kanë kohë për të humbur, kohën e kursejnë, nguten të
festojnë.
Duke
i parë aq energjikë, kupton se Kryetarja menunë e Festës e ka bërë të ngjeshur
ngaqë roskovecarët princër e mbretër kohën e kanë të racionuar.
Gjëmon
zëri i Kryetares: Nuk na duhen emrat e rrugëve si "Rruga e Ferrave"
apo "Rruga e Plepave". Tu vemë rrugëve emra të individësh aktivë dhe
pozitivë me kontribut në komunitet.
Rrugë
të asfaltuara. Vila gjithadej. Lokale të pastra. Fushë për aktivitete. Fushë
sporti. Luari duket si fshat zviceran.
Rresht
mbi bankarela prodhimet bujqësore dhe blegtorale. Secili prodhimin e vet, ta
jep edhe ta shijosh paraprakisht.
Pranë
mbishkrimeve që tregojnë llojin e produktit të ekspozuar, në një fletë të
veçantë falenderimi i Kryetares për pjesmarrjen në Panair.
Majlinda
Bufi nuk falenderon me llafe që i merr era.
Kryetarja
falenderon me firmë dhe vulë që mbeten përgjithmonë. Prodhuesi i vajit të
ullirit, rakisë, verës, etj, falenderimin e Kryetares e var në mur si
fotografinë kur ka qënë vetë ushtar, djalit apo çupës në universitet, nipit në
kurbet, dhe me atë falenderim mburret me plot të drejtë.
Mesditë.
Festa
dhe Panairi po mbyllen.
Ca
janë shtruar në restorant. Ca bëjnë muhabet. Ca po kthehen.
Pa
ti biem një herë rrotull Luarit duke kaluar nëpër pyllin e famshëm.
Nga
"Pylli i Luarit" duket në pëllëmbë të dorës Myzeqeja si qiell i
blertë me serra si re të bardha.
Shtëpitë
s'janë të ndara me mure të turpshme dhe të frikshme si në ca vende të tjera.
Kanë vetëm gardhe simbolikë që shënojnë kufijtë e pronës.
Në
Luar të gjitha shtëpitë janë vila.
Të
gjitha oborret janë plot e përplot me pemë frutore dhe gjela deti që çukisin
ç'u hedh amvisa.
Tu
thuash luarasve: Më jep një gjeldet, ose 1 litër raki, a 1 kilogram mollë, ti
paguaj sa bëjnë, të thonë: Më vjen keq, i kemi të gjitha bio, dhe të gjitha të
shitura, gjelat e detit, rakinë, verën, frutat, të gjitha.
Duhet
me u kthy.
Nuk
bën mirë për shëndetin psiqik të kthehesh befas nga Parajsa në Ferr.
Iki
në Kurjan.
Ndërsa
nga Luari që sheh nga veriu duket Myzeqeja, nga Kurjani që sheh nga jugu duket
Mallakastra me qindra kodrat e malet e saja.
Bukuria
e Kurjanit është fërgëlluese.
Katër
gjimnaziste maturante mallakastriote po kthehen nga shkolla.
Niagarë
të qeshurash.
Të
katra perrira.
Të
katra me plane, idera, alternativa.
Njëra,
ajo më e bukura, thotë:
-Do
studjoj për ekonomi. Do i vë syrin një djali vendali që do mbarojë agronomi. Do
dashurohemi. Do kthehemi në fshat. Do fejohemi. Do martohemi. Do ngremë Fermë
gjigande. Do bëjmë një tufë kalamaj.
Pyes
një kurjanas me motoçikletë:
-A
jemi në Mallakastër këtu ?
Thotë
mallakastrioti,
-Hiq
një vizë me shkumës përgjatë asfaltit të Bulevardit të Roskovecit. Këndej është
Mallakastër. Andej është Lalëri'.
Liqenin
e Kurjanit, po ta shoh sot kam frikë se çmendem. Po e lë për një herë tjetër.
Kalon
me uturimë një Toyota gjigande. Brenda nja katër a pesë buçko të fuqishëm
turista gjermanë, ose polakë, ose çekë.
-Cilët
janë ata që kaluan ? pyes një mallakastriot me cfurk në sup.
-Janë
puntorë të fermës, thotë mallakastrioti.
Fshatra
me rrugë të asfaltuara. Shtëpitë vila. Kopështije si të qëndisura. Prodhime bio
të gjitha të shitura. E të tjera e të tjera.
Mund
të thotë ndonjë skeptik se e paraqita shumë rozë.
Jo
shoku Skeptik. Nuk e teprova aspak. Vërejtja jote ka gojë për të llapur, por
nuk ka bythë ku të rrijë. Po të ishte si thua ti, pra që "katundet e sotëm
duken të bukur nga jashtë por janë tmerr nga brenda", i bie që
"katundet katastrofike të Diktaturës dukeshin të mjera nga jashtë, por nga
brenda buçiste kënga e shtrohej gostia, vlonte hareja dhe lumturia".
I
shijshëm si kafshimi i një molle plot lëng ky udhëtim i paharruar nga bundrrat
e kafeneve të Tiranës te Majlinda e punës.