Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Atdheri
E merkure, 08.09.2021, 04:59 PM
Atdheri
Nga
Edison Ypi
Atdheri
është një vend banorët e të cilit nuk mburren me prezenca por me mungesa: Me
Historinë që nuk e njohin. Artin që s'ja kanë haberin. Lavdinë që nuk e
meritojnë. Trimërinë që nuk e kanë.
Atdheri
është vendi ku shtëpitë janë Kisha dhe Teqè, banorët janë murgj dhe dervishë që
gjithë kohës meditojnë për pandehma.
Në
Atdher, ku këndon bilbili, të deh parëvera, të rrënqeth vjeshta, të dalldis
Prilli, të sëmur muzgu, rritet një frut që po ta tymosësh të bën të ëndërrosh,
po ta shesësh nëpër botë mund të mbytesh në det ose mund të përfundosh në burg.
Atdheri
është një patate e zjerë, e nxehtë, që
nuk kafshohet, nuk gëlltitet, nuk hahet, vetëm rrotullohet nëpër gojë shoqëruar
me ulurima.
Atdheri
është një kazan pa kapak, se e kanë shitur për skrap, ku ditë e natë vlojnë
deliret dhe veset më të mbrapshta.
Atdheri
është një orë muri pa akrepa me një qyqe që del e bën ku-ku sa herë që i duket
se Atdheri ndodhet buzë humnerës dhe botës po i afrohet fundi.
Atdheri
do bëhet së afërmi vend pelegrinazhi që do mbledhi male me pare nga budallenj
kureshtarë që do vinë nga an' e anës për të marrë në Atdher përvojat e fitimit
pa punuar, diturisë pa e kuptuar, dashurisë pa e ndjerë.
Atdheri
është vendi ku nëse je mish por ndjehesh sallam, shndrrohesh në derr, dhe nëse
je derr por ndjehesh mish, shndrrohesh në sallam nga ai që po ta hash ndjehesh
i lumtur.