Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Dy Nëna
E diele, 05.09.2021, 05:42 PM
Dy Nëna
Nga
Edison Ypi
Na
ishin dy Nëna shqiptare. Njëra nga Jugu, tjetra nga Veriu. Të dyja fshatarka.
Të dyja të ëmbla. Të dyja të urta. Të dyja të buta. Të dyja të bukura. Por edhe
të vrënjtura dhe të hidhura dhe me rrudha, sepse të gjalla.
Ajo
nga jugu ishte e zakonëshme nga jashtë, e jashtëzakonëshme nga brenda.
Tjetra
nga veriu, ishte e jashtëzakonëshme nga jashtë, normale nga brenda.
Të
dyja këto Nëna lindën secila në katundin e vet. Ku, pa kërthiza përjashta, pa
rroba të shtrenjta, dëgjuan përralla me perrira që krihen mbi ujëra si pasqyra,
zana të zbehta që dalldisin trima, princesha të bardha që presin princin e
kaltër në dritare të kthehet nga lufta, kuçedra që thajnë çezma, vampirë që vijnë
natën fikin kandilin, magjistarë që në çast të shndrrojnë në gur, e të tjera e
të tjera.
Kur
u rritën, të dy Nënat, i lanë ëndërrat, nisën punërat. Nuk ngritën Ato biznese
dhe grataçiela. Bënë punë më të vështira. Uruan, bekuan, zbutën, edukuan. Nga
gojët e tyre s’dolën kurrë broçkulla, por vetëm mjaltra dhe melhemra që
shërojnë shpirtëra.
Dy
nënat edhe udhëtuan. Pa u ndalur e pa u lodhur.
Ajo
nga jugu, udhëtoi sa më thellë brënda vetes.
Ajo
nga veriu, udhëtoi sa më larg jashtë vetes.
E
para u martua dhe bëri katër fëmijë; dy djem dy vajza në Shqipëri.
E
dyta, nuk u martua. Por fëmijë pati shumë. Në të gjithë botën miliona bij e
bija.
Preokupimet
e së parës ishin; Familja, Edukata, Krenaria, serioziteti, vetpërmbajtja,
dinjiteti.
Hallet
e së dytës qenë; Mbijetesa, Mëshira, Lutja, Nënështrimi, Lëmosha.
E
para ishte Nëna ime, Hasia.
E
dyta Shën Tereza.