Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Koka ime
E merkure, 13.10.2021, 05:53 PM
Koka ime
Nga
Edison Ypi
A
ka gisht koka ime në marrëzinë që më rrethon e më kërcënon ?
Kokës
i duhet bërë një kontroll.
Vajta
në laborator.
Më
thanë të heq nga trupi sendet metalike, çelsa, monedha, karta magnetike të mos
u fshihej memoria.
Si
mund t’u fshika në pak minuta karta e identitetit që e kam krijuar me një mijë
mundime e sakrifica në dhjetra vite ? mendova me kokën që pas pak do ta kontrolloja.
Mjeku
më pyeti a kisha probleme me ngushticat, a vuaja nga sëmundja e vendeve të
mbyllura, ashensori etj, pra nga Klaustrofobia. I thashë se sa kohë në këtë
botë ngushtimi dhe zgjerimi venë e vinë, koka ime me ngushticat, veçanërisht
ato të femrës, s'ka problem, përkundrazi i ka qef.
Të
mahnitur pas përgjigjes së dikujt që edhe është inteligjent edhe kokën e sjell
për kontroll, më shtrinë me kurriz mbi një shtrat të fortë.
Një
vajzë e sjellshme më vuri në vesh një palë kufje. Pse këto kufje ?! e pyeta i
habitur atë gocën. Në kohën e kurvit me kufje dëgjoja radio të huaja nga frika
e komshinjve që mos më spiunonin. Në demokraci vazhdoj të përdor kufje të mos
bezdis po ata komshinj spiuna sot të konvertuar në demokrata. Ta besoj, tha
vajza e sjellshme me flokët zift të zinj lëshuar sipër kokës time, por këto
kufje s’kanë lidhje me spiunat e popullit dhe as popullin e spiunave, por që ti
të mos shqetësohesh nga zhurma që do bëjë makineria e cila do gjenerojë valët
që do depërtojnë kokën tënde për ta parë çfarë problemesh ka, cilat vidha i
mungojnë.
Në
pallatin tim, i thashë flokzezës, dëgjohen aq zhurma, përplasje dyersh, britma,
klithma, sqepara, sharra, çekiça, borie, marangoza, duralumina, sa nuk i bën
dot kjo makineria. Në kushtet kur makineria juaj bën më pak zhurmë se koka ime,
më mirë vërja kufjet makinerisë tënde mos i çvidhosen vidhat nga zhurmat e
kokës time.
Pasi
i dëgjoi këto arsyetime gjeniale dalë nga një kokë ardhur për kontroll, ajo
goca që më rrinte sipër kokës si ëngjëll shpëtimtar, më dha këshillën e fundit;
Gjatë kontrollit, tha, sill në mendje pamje sa më të bukura.
Duke
rrëshqitur brenda një tuneli bashkë me shtratin ku isha shtrirë, u përpoqa të
kujtoj pamje të bukura; Parisin, Luvrin, Amerikën, Hollivudin, Las Vegasin,
gjysmën tjetër të Hënës, Unazat e Saturnit, shalët e Merilin Monrosë, sisët e
Monica Belluccit, që janë pamje të bukura, por halli se unë asnjërën nga këto
vende dhe këto shalë nuk i kam parë. Disa nga gratë e mia, Myzeqeja, Zadrima,
Vjosa, Sulova, Dumreja, Krraba, Puka, si dhe disa farefisër, Gramozi, Guri i
Miçanit, Përmeti, Devolli, Gjinari, Belshi, janë të gjitha pamje të bukura. Por
banorët e atyre nahive në vend të preferojnë ajrin e freskët të lëndinave,
mbyllen si uritha nëpër kafenera të tymta ku shetisin në Fejsbuk.
Prespa,
Voskopoja, janë të magjishme, por kishat dhe kumbanoret pakngapak po i varros
betoni i restoranteve dhe hoteleve.
Rruga
Gramsh-Maliq është përrallë. Po, por pas pak kur atje të ngrihen hidrocentrale
të tjera fati i asaj bukurie marramendëse nuk dihet.
Lugina
e Sarandaporit është aq e bukur sa po ta shohësh ngjallesh edhe po të kesh
vdekur, por nuk bën për kontroll koke. Është tepër e ngatërruar me mijëra
kufoma gjatë luftës italo-greke.
Gryka
e Këlcyrës është rrënqethëse. Por edhe ajo e ka një problem. Në atë fragment të
asaj gryke në të dy anët e Vjosës njerëzit janë llafazanë të papëmbajtur, dhe
grafomanë, shkruajnë libra të trashë të palexueshëm plot me rrena, me dajollarë
dhe xhaxhallarë të shpifur dhe për trimërira lokale inekzistente.
Duke
kaluar nëpër kokë këto pamje, kontrolli i kokës mbaroi.
Më
nxorën nga tuneli. Më hoqën kufjet. Më thanë: Të lumtë, qëndrove si burrat.
Me
duar të dridhura futa në xhep Kartën e Identitetit tim të lavdishëm që e
shpëtova nga fshirja, dhe u largova.
Pas
disa orësh mora përgjigjen, "Koka jote kuq si molla."
Nuk
i besova.