Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Zotniu
E merkure, 06.10.2021, 06:52 PM
Zotniu
Nga
Edison Ypi
Zotniu
nuk është ky legeni që mbahet për serioz dhe rren në Fejsbuk.
Zotniu
i vërtetë pëlqen ose nuk pëlqen, komplimenton ose refuzon.
Zotniu
që shpif, intrigon, trillon, nuk është Zotni, është llum, është pështirosje.
Zotniu
që është Zotni, i di mundësitë dhe aftësitë e veta, është i vetmjaftueshëm,
është i durueshëm, nuk ankohet për asgjë.
Zotniu
që rënkon e ofshan ose zgërdhihet e gajaset, është një kërrmill, një butak, një
qurre, që fajin për paaftësinë e vetes kërkon t’ja hedhi të tjerëve.
Po
ja talle Atdheun dhe Flamurin, Zotniu t'i ngul thonjtë në fyt ose ta plas kokën
pas murit.
Nëse
Zotniu nuk mbron Atdheun dhe Flamurin, nuk ke të bësh me një Zotni por me një
flliqsir.
Zotniu
nuk është gdhë.
Zotniu
është i sofistikuar.
Zotniut
që i duket këngë e bukur “O violino cigano” është një trashanik i pavlerë.
Zotniu
dëgjon muzikë serioze në sallën e koncertit.
Zotniu
është modest, është altruist.
Zotniu
ka turp të flasi për veten e vet.
Zotniu
që dërdëllit për veten, nuk është Zotni, është zorraxhi.
Zotniu
e fal jetën për Atdhe', Fe’, Dashuri. Mashtruesi hileqar që Atdheut i fal
llafet, nuk është Zotni, është zagar.
Zotniu
mund të jetë edhe tifoz. Por kjo nuk e lartëson. Futbolli nuk është për
zotnilerë. Futbolli është për proletarë. Zotniu ka një mijë gjëra të tjera për
të bërë para tifozllëkut. Zotniut që mburret me tifozllëkun, i raftë damllaja.
Zotniu
nuk përdor kurrë pseudonim, por emrin dhe mbiemrin e plotë të shkruar korrekt
që nuk i prek asnjë gërmë mishin t’ja presësh me gërshërë. Zotniu që fshihet me
pseudonime mburracake dhe mbështillet me flamuj dhe shkaba që nxjerrin zjarr
nga goja, është një ndyrësirë që i vë shkrepsen Shqipërisë për pes lek.
Zotniu
shkruan Shqip me ë dhe ç. Në mos, nuk është Zotni, është injorant.
Zotniu
rrëfen shkurt e qartë me fjalë të zgjedhura e të kursyera.
Zotniu
i rrejshëm i bie nga Kina me stilin e soc-propagandës me partizanë, gjermanë,
diversanta, heronj të stisur.
Zotniu
del në fotografi me prapa shpinës portretin e Skënderbeut, Ismail Qemalit,
Ahmet Zogut etj.
Zotnijtë
kallpa dalin në fotografi me mishra përpara, mëlçira, tava.
Zotniut
që nuk i rrëshqet 1 pik lot për Dashurinë apo Fatet e Atdheut, nuk është Zotni,
është spurdhjak.
Kush
nuk ka parë në jetën e vet një fshat internimi, nuk është Zotni, është plehër.
Zotniu
nuk kullot nëpër fast fuda sa herë e merr uria.
Zotniu
ha në shtëpi ose në restorant.
Zotniu
për së mbari lexon libra sa më të vjetër.
Zotniut
për së prapi i ka mbetur ora te gazeta "Puna".
Zotniu
i rrejshëm, është një meskin, një mizantrop i ngutur, një zevzek që merret me
gjëra atypëraty dhe tanipërtani.
Zotniu
i vërtetë është serioz, solemn, shpirtmadh, zemërgjerë, bartës dhe përhapës i
principeve milenare.