E hene, 09.12.2024, 05:14 PM (GMT)

Kulturë

Prend Buzhala: Një kundrim në ditëlindjen time të 70-të

E hene, 01.11.2021, 07:19 PM


NJË KUNDRIM NË DITËLINDJEN TIME TË 70-të

Përsëri e përsëri: e çka tjetër mund të numërosh në këto çaste?

Cilat momente?

Cilën rrjedhë kohe mund ta zësh?

Përsëri Një Sekondë Kohe të del përpara.

Dhe të thotë: hajt, numëroji furitë e stuhisë apo të erës

së fortë.

Dhe aty për aty jepesh në meditime.

1.

Ti gjendesh në rrugë.

Në një shtegtim pikësynimesh jetësore që nuk pushojnë asnjëherë.

Si në një pelegrinazh jete.

Ti ëndërron një Vit të Qetë. Dhe nuk ishte i qetë ky vit jete që e lashë pas.

Një Heshtje Olimpike. Si ajo Heshtja e Shenjtë biblike...

Karl Jaspers diku e ka thënë: "Njerëzit që nuk e njohin miqësinë në heshtje, nuk janë të aftë për komunikim të vërtetë."

Poetët thonë, ashtu si thotë Perëndia: Mos e vrit heshtjen!

E ti, ke të drejtë të aspirosh atë Qetësi të Shenjtë, kundruall zhurmës së përditshme...

Dhe përsëri koha numërohet para NJË VITI NË DITËLINDJEN TËNDE, koha gjendet në luftë me zhurmën dhe me ëndërrimin e qetësisë, heshtjes. Krijimit.

Vjen, pra, Ai Çasti, kur ti e drejton shikimin brenda vetes. Kushedi se kah të ka shpënë ajo stuhi, si stuhi kohe... kushedi se kah të ka bartë ajo erë, si një gjethe e rënë që e përplas rrugëve, shtigjeve, maleve, ujërave, hapësirave...

Gjethja, një gjethe është: era nuk ka ç'i bën më shumë, përpos ta bartë kah të dëshirojë....

Edhe njeriu qenka si një re që shprishet, humb, duket, zhduket, kot e godasin zhurmat politike a ekzistenciale, grushtet e jetës apo të socialitetit të rëndë...Si ai urtaku indus: Reja ekziston se ekziston. Zhduket e bëhet përsëri qenie...

2.

Ti mund t'i numërosh dekadat që kalojnë....

Mund të mendosh: ato rrjedhin natyrshëm...

Mirë: madje vitet i numëron më shpesh. Vitet që kalojnë e që hyjnë në rrjedhën e kohëve.

Dhe nga pak edhe të zë habia, mbase dhe sëkëlldia:

o Zot, si rrjedhin kaq shpejt?

Por të ka ndodhë edhe ndryshe, kur koha është e gjatë, e pafund: Ti ke mbetur gjallë, Si Dëshmitar Kohe, të paktën dikush të jetojë për të rrëfyer. "Rrno për me tregue", e shqipton

këtë urdhër të brendshëm etik e ekzistencial At Zef Pllumi. Rrno për me e përmbysë heshtjen prej varri të kohëve, që e mbulonin të vërtetën për ngjarje, njerëz dhe kohë.

3.

... Eh, sa shumë borxhe paska koha, Koha e Vuajtjeve dhe Mundimeve! Sa shumë i ke dhënë ti kohës e ajo krejt t’i ka rrëmbyer! Kohë e ngarkuar me borxhe. Ende Koha hamendet: nuk dëshiron ta shlyejë asnjë borxh. Vetëm të ngarkon barrë të reja!

Shpalle edhe këtë vit: Vitin Tënd, sido që të jetë... Shpalle secilën ditë, Ditën Tënden...

E pra, gëzuar!

(Prend Buzhala, rishkrime nëpër vite , 1 nëntor 2021)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora