Kulturë » Kozeta
Kozeta Zylo: Agroni dhe Ylli dy artistë grykë argjendi të Tepelenës dhe Kombit
E merkure, 09.06.2021, 07:29 PM
Agroni dhe Ylli dy artistë grykë argjendi të Tepelenës dhe Kombit
Nga
Keze Kozeta Zylo
E ridëgjoj këngën e re “Miniera e Floririt” së bashku me Qemalin në këtë mëngjes me fllade
pranverore Nju Jorkeze dhe emocionohemi pamasë. Është një këngë që të ngacmon pejzat e shpirtit si me tekstin të shkruar mjeshtërisht nga Agron
Duka, muzikën nga Klodian Qafoku, po ashtu dhe me
intepretimin nga dy artistë grykë argjendi Agron Llaka dhe Ylli Baka, lindur dhe rritur në Memaliaj. Zërat e tyre vibrojnë në thellësi atje ku mund të gjendet pika e floririt, pikat e djersës dhe të gjakut të minatorëve që i jepnin qytetit aq gjallëri dhe dritë shpirtërore. Titulli
“Miniera e floririt” është shumë ngacmues, i
bukur, i dhimbshëm, trishtues si dhe me tinguj të përmallshëm që dalin nga shpirti
i dy artistëve të florinjtë Agron Llaka dhe
Ylli Baka i fundit me origjinë nga Arrëz e Madhe.
Tekstin e dëgjova me shume kujdes si e profesionit dhe ajo që më preku shumë zemrën time është togfjalëshi “O qyteti i pagjume”, se ç’më dha një ndjesi në miniaturë me Manhattanin,
kryeqytetin e botës që quhet ndryshe: “The City That Never Sleeps” që përkthehet: “Qyteti
që s’fle kurrë”…
Është një epitet i
njohur për qytetin e New York-ut. Ky
epitet u popullarizua nga artisti dhe aktori i famshëm amerikan botëror, i cili ishte një nga artistët muzikorë më të njohur dhe
me ndikim të shekullit të 20-të Frank Sinatra, në kengën si në vargjet: “Dua të
zgjohem në një qytet që nuk fle kurrë/ Dhe ta dini se unë jam numri një, në
krye të listës”...
M’u dukën kaq
tunduese këto vargje sa kur shikoja ato peizazhe
aq të magjishme të qytetit të Memaliaj në ekran
që ka një hapësirë dhe pozicion të pazakontë m’u shfaqën të dy qytetet shumë binjakë…
Rrallë të mos ketë tepelenas dhe fshatra përreth të mos kenë patur ose në familje ose të afërm që të mos kenë punuar në “Minierën e floririt”.
Rrallë ka tepelenas që s’ka kujtime me
qytetin e “floririt” të pagëzuar tashmë nga dy artistë, Mjeshtra të Mëdhenj: Llaka dhe Baka.
Kjo është një këngë qe më magjeps për disa arsye, por ajo më kryesorja është se këtë këngë nuk mund ta këndojë dot asnjeri në botë si Agroni dhe Ylli.
Dhe ja pse: do t’ju tregoj vetem një arsye: Agronin
dhe Yllin i kemi miq të familjes, por edhe të TV dhe Shkollës Shqipe “Alba
Life”, New York. E kemi thënë dhe derisa të kemi frymë do të vazhdojmë se Agron Llaka
mori rrugën nga “Miniera e floririt” dhe erdhi të puthte në ballë si Rilindasit e mëdhenj nxënësit e Shkollës Shqipe në 10 Vjetorin që organizuam në Manhattan në Simphony Space.
Ai ngriti peshë Diasporën me artin e tij në skenë. Kur e
intervistova në studio në New York ajo që më bëri më shumë përshtypje ishin currilat e lotit të tij kur përmendi Memaliaj,
“minieren e floririt” i cili ka punuar në moshë shumë të re etj. Edhe Ylli
Baka ka po aq dashuri për qytetin Memaliaj dhe gjithmonë e kujton me nostalgji, mallshëm fëmijërinë e tij. Kështu ka kënduar disa herë nëpër koncerte në Amerikë dhe në New York dhe ne na bënte të ndiheshim krenar.
Ata të dy s’mund ta harrojnë kurrë vendlindjen e tyre sepse siç dhe këndojnë e kanë si: “Miniera qyteti i zemrës ku hodha hapat e para, muzikë e ëmbël e Vjosës, sinfoni që ndjek nga mbrapa”.
Në shtëpinë tonë kujtonte me plot
nostalgji stacionin e Luftinjës që duhej të shkonte për në Arrëz të Madhe dhe që ishte aq afër me “Minierën e Floririt”, rrugët, gjallërinë e qytetit, varfërinë e tejskajshme, por dhe mikpritjen aq të çmuar.
Të dy artistët si me mushkëritë e qytetit të tyre vibrojnë me kordat vokale
dhe dinë mjeshtërisht të përdorin zërin e tyre nga
gryka e argjendtë si një instrument të florinjtë.
Ata i këndojnë ëmbëlsisht si: “O
qyteti i pa gjumë të këndoj me mall dhe
unë/ O minera e floririt je loti në dritën e syrit”.
Ç’mrekulli hyjnore
të jenë një binom i pandarë dy artistët e shquar me
“Minierën e Floririt”!
Zëri i tyre
udhëton, është unik, kapërcen oqeane dhe
dete dhe vjen më prek dhe mua një tepelenase me 9 male kaptuar nga Mezhgorani im… Zëri i tyre është i jashtëzakonshëm sepse jo vetëm dëgjohet ndër njerëz mbi tokë, por ka aftesinë të shkojë dhe nën tokë të sjellë verbimin dhe shkëlqimin e përjetshëm të “Minierës së Floririt”. E
florinjtë u bëftë Memaliaj sic dhe
e ka bekuar Zoti me peizazhe të hatashme, male,
lumi Vjosa, fusha të gjelbërta dhe floriri nën tokë që dy artistë grykë argjendi të Tepelenës dhe të Kombit i këndojnë me aq dashuri dhe
përmallshëm!
Për më shumë të interesuarit mund
ta dëgjojnë në këtë lidhje:
https://www.youtube.com/watch?v=odA6TRHMVA4
8 Qershor, 2021
Manhattan, New York