Kulturë » Kozeta
Kozeta Zylo: Lamtumirë Agim Krajka!
E hene, 08.03.2021, 01:08 PM
Agim Krajka është Dritë që s’do të fiket kurrë
Nga
Keze Kozeta Zylo
Me
hidhërim e morëm ikjen drejt parajsës të kompozitorit, artistit të shquar Agim
Krajkës , “Nder i Kombit”.
Brezi
im është rritur me këngët e muzikës së lehtë të kompozuara nga mjeshtri Agim
Krajka.
E
kush nuk i mësonte dhe këndonte këngët e Agim Krajkës, shumica e tyre u bënë
hite. Sa herë mblidheshim në mbremjet
tona festive me nxënësit shumë prej këngëve të tij këndoheshin dhe kërceheshin
me shpirt duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga artisja e madhe
e Kombit Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. Kënga
përshtatej shumë me rininë e tyre të hershme, me capkënllëqet e moshës, me
dashuritë e para dhe të fshehura, me ndonjë papërgatije në mësim. Le të kujtojmë dy strofat e para, në fakt unë
duke i shkruar po i këndoj si: “O ra zilja m'nisi frika/ kur mësuesi hyri në
mësim/ dhe në vend si s'më ra pika/
Kur
ai thirri emrin tim/ Unë asnjë fjalë s'kisha mësuar/ Se mbrëmë në takim isha me
ty/
Po
nisi lemza e bekuar/ Në d'rrasë të zezë shihja dy sy”…
Ai
solli emancipimin në art, në muzikën e lehtë, popullore, të përpunuar e
orkestrale. Kontributi i tij në art dhe muzikë përfshin një periudhë prej tri
dekadash. Ai është vleresuar me mbi 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe
vetëm një çmim të parë në Festivalin e vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të
kënduar nga motrat Libohova.
Agim
Krajka ishte dhe një idhull si fizarmonist. Ai luante me gishtat në tastierë
sikur bënte balet në ajër dhe pushtonte skenën duke sjellë emocione tek
dëgjuesit e shumtë.
Edhe
këtu në Amerikë në aktivitete të ndryshme i kam dëgjuar shpesh këngët të
kompozuara nga Agim Krajka.
Në
New York ku na hodhën fatet do të kishim shansin të takoheshim përsëri me Agim
Krajkën. Ai jo vetëm që ishte një
kompozitor i madh, por dhe njeri, patriot i shquar. Ai është në kujtesën tonë artistike dhe
njerëzore. Një ditë Agim Krajka na
telefonoi në kolegj në Brooklyn ku punonim të dy me Qemalin. Doemos e mirëpritëm me shumë gëzim
telefonatën e tij. Pasi na falënderoi
për organizimin me studentët për festën e Flamurit na tha se dëshiroj të vi te
marrë pjesë me grupin tim për t’ju përshëndetur ju dhe të huajtë në atë kolegj
me këngë shqiptare.
Ardhja
e tij në festën e Flamurit Kombëtar ishte shumë emocionante, i dha programit më
shumë gjallëri dhe art. Agim Krajka
shoqërohej nga bashkëshortja e tij, e ëmbla Ami dhe grupi i fëmijëve në violinë
dhe piano si motrat simpatike Alba dhe
Jona Çano si dhe Albert Stanaj me të motrën e tij të talentuar. Ata sot
janë rritur dhe integruar plot kulturë në botën amerikane. Kur artistët e vegjël filluan t’u binin
veglave muzikore nën drejtimin e Artistit të shquar Agim Krajka salla u elektrizua
dhe filluan të duartrokisnin papushim.
Agim
Krajka ishte dhe një orator i shkëlqyer, fjala e tij u dëgjua me shumë
vëmendje, mesazhet e tij ishin dritëza shqipërie. Takoheshim në aktivitete të
ndryshme me plot respekt dhe mirënjohje. Pas disa muajsh në emër të studentëve
të Kolegjit në Brooklyn Qemal Zylo i dha pllake mirenjohje në shkollën shqipe
që ishte e hapur në atë kohë në Bronx ku ata debutonin të dy me Amin. Çfarë mirësie buronte nga shpirti i tyre! Agim Krajka jetoi me familjen në New York për
16 vjet pastaj u kthyen përfundimisht në folezën e ngrohtë në Shqipëri që e
donte aq shumë derisa dha frymën e fundit.
Shpirti i tij do të behet dritë që s’do të fiket kurrë.
Artistët
e mëdhenj jetojnë përjetësisht me veprat që lenë pas.
Lamtumirë
Agim Krajka, artist i shquar i Kombit!
1 Mars, 2021
New York