Kulturë
Musa Jupolli: Dashuria si përkushtim
E hene, 01.03.2021, 09:18 PM
Dashuria
si përkushtim
Koha
mitike, hapësira shtegtimi, rizgjimi dhe kodi i shkrimtares Angjelina Marku
Nga
Musa Jupolli, shkrimtar, Francë
Bota
imagjinare rikthyer në botën e reales, imagjinata dhe realja në bashkëbisedim,
në kundërshtim, në pajtim, në luftë të ashpër, me një synim, me një ideal, me
një botë që kërkon jo vetëm logjikën, por edhe filozofinë e përjetimit,
përshkon romanin më të ri të Angjelina Markut “Shtyje hënën”. Pra vepra ka
kuptim vetëm atëherë kur i pranojmë të gjitha këto “kacafytje”, jetën në
udhëtim shekujsh dhe deri më sot. Udhëtimi është i gjatë… «mos më thuaj se dheu
të ka prishur kujtesën tënde të mprehtë, sepse nuk të besoj»…lexohet në roman
fantazia e autores dhe në ndihmë i vjen zëri i arsyes … «mos më thuaj se nuk e
njeh ngjyrën e zërit tim» …
Imagjinata
e autores përputhet me dheun e lindjes, me kujtimet që nuk shlyhen, me
historinë, të pashtershmen dashuri dhe i gjithë kuptimi i jetës që janë
frymëzim, por japin edhe mesazhe për të demaskuar të keqen.
Struktura e romanit
Krijuesja
vjen me këtë roman duke përshkruar nëpërmjet fantazisë historinë e vendlindjes
ku ka shpirtin dhe tokën, shqiponjën dhe dashurinë si përkushtim. «Jeta dhe
Vdekja kanë një kuptim, ose të madhërojnë ose të shëmtojnë!». Dashuria dhe
lindja kanë një synim, ndaj ballafaqimet të shpien në valë që përjetohen, në
shpirtra që ndihen, në pikësynime dhe ideale që murosen. Eufemizmi dhe etika e
njeriut, po mbi të gjitha «heroina» e romanit pa dashje që të jetë e para
ngadhënjen, krejt e rilindur. Për të udhëhequr shpirtrat e njerëzimit të mirë,
po e «përkëdhelte pleqëria», pak ndryshim nga autorja ku thotë: «po e vriste
pleqëria!». Pse Ela gjendet mbi varrin e të dashurës së Serafinit? Lexuesin do
ta vendosë në një «dilemë» të madhe! Pse dashuria ka rrjedhën që nuk pritet, as
edhe nuk mendohet pa një imagjinatë që e ndryshon ndjenja, apo filli i një
«flijimi» me një «zog» perëndie, që nuk ka datë që e përcakton lindjen e tij,
të cilën e quajmë Shqiponjë! Misteri i gjithë kësaj ideje na ndjek në romanin e
Zonjës Marku.
Ç’do
të thotë autorja me këtë fjali të shkurtër sa një jetë e ëndrrave që vetëm mund
t`i parafytyrojmë: «Ata njohin vetëm një botë, botën e së bukurës!» Cilët: Tea
me Serafinin, apo Ela me dashurinë që i zbriti si zog nga qielli? Monologu i
Dr. Serafinit, kryepersonazhi i faqeve të para dhe gjithë imagjinata e këtij
njeriu janë diçka e re në letrat shqipe, pra në romanin e Angjelinës, ku
ndeshim kuptimin, filozofinë e një mjeku që përbën bazën e romanit! Shqiponja
tek pllaka e të dashurës së tij që po bënte roje përmbi varrin e saj … lexuesi
do të jetë i një mendimi me ecurinë apo kundërshtimin? Këtë le ta thotë mendja
e tyre, le ta thotë edhe kritika, se kemi të bëjmë tashmë me një stil të vetin
të Angjelina Markut.
Çelësi i Angjelina
Markut, Kodi i ri!
Helena,
kjo Hyjneshë e bukur si Helena e Trojës, shqiponjë qielli kokëlartë! Kjo
shqiponjë zbret edhe në tokë kur e thërret koha! Guximi i shqiponjës: «Kam
lindur Shqiponjë e jo sorrë», ndaj shqiponja nuk jepet. Nëna e saj ka ardhur mu
nga qielli në lindjen e Helenës së bukur si dielli! «Jam simbol i popullit
tim», është aludim i dashurisë për Atdheun nga shkrimtarja. Aty ku ideali
ndeshet me shëmtinë, rezistenca është e pamëshirshme! Lufta ka kuptim vetëm
atëherë kur thirret për liri, përndryshe shëmtia bëhet udhëtare e të ligave dhe
e dëshpëron shqiponjën e qiellit!
Kundërshtimi
«Mishi
dhe gjaku i tharë». Tragjeditë nuk vijnë rastësisht. Personazhe të tilla janë
mjeshtër. Përmes këtyre personazheve, krijohen dramat, zaten dramat i quajmë
«greke» kur ato janë shqiptare, janë mitologjia jonë qysh nga koha e lashtë e
njeriut në trojet e Arbërisë, në besimin e përvjedhur edhe sot, e ndieshme si
temë, e domosdoshme për të ardhmen e kulturës dhe historisë sonë. Refuzimi dhe
pranimi i tyre janë në dilemë, se edhe ne i kemi, apo janë mitologjia jonë qysh
nga koha e lashtë e njeriut në ato troje të Arbërisë! Helena e romanit, është
ajo antike, ajo e ditëve tona. E lindur në kohën kur tokës i erdhi drita nga
Helena, dritë nga qielli dhe hëna, ajo e para, ajo e sotmja, ajo e nesërmja,
ajo e betimit, nimfë mali me bukurinë e magjishme të natyrës, zaten nuk ka
tjetër shpjegim veçse shpirti i saj përputhet me atë çka kemi dëgjuar nga
mitologjia pellazgo-ilire. Këtë e gjejmë në mënyrën më të bukur dhe më të
dashur në romanin e Angjelinës!
Kthesa
Shqiponjat,
lisat, rrënjët, vetë shpirtrat u zgjuan për tokën e «moçme». Këtu del zëri
kumbues i shkrimtares, se kjo tokë, kjo lindje ka histori që duhen ditur dhe
duhen ruajtur!
«Shqiponja,
shpendi më fisnik në botë!» ku mund të vallëzojë ajo më bukur se me notat e
Lahutës! Autorja kap pikën kulminante të romanit në udhëtimet e saj, pra të
Shqiponjës me Helenën, në krahët e së cilës jeta merr kuptim dhe na duket se
jemi para dramave të moçme shqiptare me besnikëri që quhet shenjtëria jonë, apo
kulti i malësorëve që na dalin vallëzues të mrekullueshëm, tipare këto që
rrallë kush mund t’i ketë, veç këtij dheu!
Besa dhe Kostandini
Aty
ku shpirti fle ëndshëm si Helena dhe dashuria, aty ku asnjë grua nuk dëshiron
prehrin e saj të «thatë», pra sublimja për sublimen nuk matet as me flori as me
një peshë tjetër. Ja si e nxjerr Angjelina këtë madhështi: «Të tilla gra e
mbajnë botën e madhe në grushtin e tyre të vogël»
Kur
na shfaqet Kostandini, ky kryepersonazh i të gjitha kohëve në udhëtim shekujsh
në kohë të shkuara, dhe sot aty sy më sy me të bukurën Helenë, romani është
kështjellë me disa kulme që quhet Kodi i shkrimtares! Ndërsa unë do të them:
Gruaja ka kodin për gjëra të paimagjinuara, ku mrekullia shihet vetëm me sy të
mirë, por në asnjë kohë me sy të ligësuar! Duke lexuar romanin, ndeshim thënie
aq të fuqishme sa na nguliten në kokë dhe nuk harrohen më, që përbëjnë kodin
magjik të shkrimtares: «Të falësh është mrekulli, mos pendimi është dhunë», një
botë e tërë shpirtërore që ka filozofi të njëshme, që ka shpirt për vepra të
mira! Në roman personazhet negative kanë një fuqi përshkrimi të veçantë ku
pesha e tij matet me dy pole: të pajtimit dhe kundërshtimit, të keqes dhe të
mirës, të shëmtisë dhe bukurisë!
Mesazhi im
Të
mos harrojmë lindjen tonë në gjithë këtë udhëtim, sa në imagjinatë, po aq të
përjetësuar, kulturën tonë, ata që jemi në qenien tonë shqiptare! Populli ynë
ka një Shqiponjë që ka lindur para çdo besimi a predikimi tjetër, me një emër,
me një gjuhë me një Flamur dhe himnin që i përket. - Ndaj, dje e sot, për jetë
dhe për vdekje, me një besim mu si lulet në kopshte, mu si lisat mes tokës dhe
qiellit është kombi ynë!
-
“Do të më mungosh! - tha dhe lotët i ranë mbi gjoksin e Kostandinit. Ora ende
maste dashurinë’’.