Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Në Kosovë duhet të luftohet çdo e keqe, por jo nga mendjekëqinjtë
E diele, 07.02.2021, 09:46 AM
Ndue Ukaj:
Ta
pranosh propagandën se për dy dekada në Kosovë çdo gjë ka shkuar keq, kjo
domethënë ta përqafosh strategjinë negative të Serbisë kundër shqiptarëve.
Pse?
Sepse
- sa për kujtesë - Serbia qëllim themelor e ka që shqiptarëve të Kosovës t'iu
rikrijojë një etiketë të re në syte e botës: si të paaftë për t' u organizuar
dhe për të bërë shtet normal.
Serbia
pothuajse përgjatë gjithë shekullit të kaluar ka zhvilluar strategji politike
negative kundër nesh. Përmes etiketave të ndryshme, intiligjenca serbe,
politika, kisha, na kanë paraqitur si popull primitiv dhe të paaftë për t'u
organizuar, qe domethënë mbi ta duhej ushtruar kontroll.
Ibrahim
Rugova, duke e njohur këtë strategji- si shkrimtar dhe politikan - me dije dhe
veprime të organizura i demaskoi këto etiketa, që në vitet 1985, 1988, kur çoi
krye hegjemonia serbe. Dhe pastaj, Rugova dhe elita e kohës, përmes veprimeve
të mençura e të organizuara demokratike, fituan simpatinë dhe admirimin e
vendeve të përparuara, të cilat me kohë e përqafuan kauzën tonë dhe e ndëshkuan
strategjinë negative serbe.
Në
fillim të vitit 2021, secili lexues i kujdeshëm i zhvillimeve politike e kupton
se Kosova ka rrëshqitë në një terren të rrezikshëm dhe është duke i krijuar
vetvetes përditë etiketa në sytë e botës, përmes një strategjie tejet negative
politike, që rrëfimin për Kosovën e ka reduktuar te disa tema ditore.
Kjo
qasje negative është në funksion të atyre që thonë se ne s' jemi të aftë të
organizojmë shtet normal. E ky dëm, realisht, është më i madh se çdo dëm tjetër
që lidhet me tema të brendshme politike.
Pra,
këto etiketa tani përdoren në Prishtinë nga politikanë delirantë që në rrugën
drejt podiumit të pushtetit, në mungesë të ideve dhe vizionit politik,
shërbehen me strategji negative, për të hedhë baltë mbi ngjarje madhore të
historisë së Kosovës që kanë ndodhë dekadat e fundit.
Me
këtë logjikë, mohohet edhe puna e madhe dhe fisnike e bashkëse ndërkombëtare
për ta ndihmuar dhe konsoliduar shtetin e Kosovës.
Vërtet,
Kosova ka nevojë që të qeveriset më mirë dhe kjo është betejë e përhershme e
shoqërive të lira.
Por
Kosovës s'i duhen rrëfimet negative e më së paku strategjitë politike negative.
Sepse, këto rrëfime gradualisht shëndrrohen në etiketa të rrezikshme, të cilat
pastaj vështirë heqen.
Fundja,
Kosova ka nevojë që të afirmojë historinë e saj pozitive dhe përmes një
strategjie pozitive që i bën jehonë faktit se ne, bashkë me miqtë perëndimorë,
ia kemi dalë ta ndalim dhe ta mundim Serbinë hegjemoniste dhe tani kemi shtet
dhe shoqëri tolerante.
Historia
e re e Kosovë është madhështore dhe atë s' duhet të lejojmë që të njolloset për
shkak të disa batakçinjeve e as për interes të ndonjë politikani nihilist e
delirant.
Në
Kosovë duhet të luftohet çdo e keqe dhe atë pa kompromos, por me vlera të mira
dhe kjo luftë s' mund të bëhet nga mendjekëqinjtë që udhëhiqen nga strategji
negative.