E enjte, 03.10.2024, 11:56 AM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: A sjell kërbaçi ndryshime politike cilësore?

E marte, 29.12.2020, 12:44 PM


A sjell kërbaçi ndryshime politike cilësore?

Nga Ndue Ukaj

Historia njerëzore tregon se ka ndryshime politike që sjellin përparim, paqe e mirëqeni dhe këto ndryshime janë cilësore, dhe ka ndryshime që sjellin shkatërrim dhe frikë, dhe këto ndryshime janë të këqija.

Ndryshimin politik që sjellin përparim, paqe e mirëqenie, janë ato ndryshime që mbarsen nga idetë e mira dhe sublime, kurse ndryshimet radikale, që vijnë si pasojë e kërbaçit, janë ato ndryshime që sjellin frikë e shkatërrim.

Vangjel Koça, një iluminisit shqiptar i ditur, duke i trajtuar këto raporte, qëmoti ka këshilluar: “një ide e keqe nuk luftohet me kërbaç, por me një ide ma të mire”.

Kosova sot është përballë një stuhie të rrezikshme politike dhe kudo flitet për ndryshim, por pakkush mendon nëse ndryshimi që rezulton si pasojë e kërbaçit mund të jetë ndryshim cilësor.

Unë nuk besoj dhe përvoja empirike është në anën e asaj që them unë.

Secili njeri që e mundon pak kokën e jo gurmazin dhe kthehet në histori, e kupton se këto lloj ndryshimesh të vrullshme që mbarsen nga urrejtja, nuk sjellin kurrfarë përparimi.

Vendit tonë, ka kohë që i bie kërbaçi pa ndalë, jo nga armiq të jashtëm si dikur, por nga brenda dhe ky kërbaç ka sakatosë e njollosë krejt trupin tonë shtetëror, aq sa shpeshherë aleatët tanë më nuk na njohin.

Në mungesë të një ideje të mirë, kreative, të shëndoshë e humane, grupimet radikale politike, në krye me VV-në, duke marrë një pozicionim radikal kundrejt shtetit, kanë ndikuar në masë të madhe në fragmentimin e shoqërisë sonë deri në një nivel të rrezikshëm.

Kjo lëvizje politike, duke marrë pozicionim kritik radikal, për çdo gjë, nuk ka sjellë cilësi politike në ligjërimin politik dhe nuk ka treguar nëse ka ide  kreative politike. Ajo që e ka karakterizuar këtë lëvizje është gjuha radikale, e shoqëruar me gjuhën e intrigave dhe kjo i ka zënë vendin gjuhës normale politike. Kjo gjuhë, natyrisht se i ka dobësuar kundërshtarët e VV-së, por ka ligështuar më së shumti Kosovën dhe ka shkaktuar gropa  të zeza, me të cilat tashmë është mbushë tërë Kosova.

Ajo që e ka karakterizuar këtë lëvizje dhe epigonët e saj në media është një gjuhë tipike e kërbaçit dhe idesë për t’i bërë gropën e zezë secilit që s’i përket sojit të tyre.

Pas shumë viteve, tanimë këto gropa janë të hapura dhe në to rrezikojmë të bimë të gjithë.

Ka kohë prej kur në vendin tonë pakkush çan kokën për mjedisin politik ku jetojmë e ushqehemi, sepse gjuha e kërbaçi përdoret për t’i çuar përpara idetë dhe kauzat politike. Po, kërbaçi i fjalëve të egra, të paemancipuara, të pështira, ka sulmuar pa mëshirshëm këdo e kurdo dhe ka dobësuar imunitetin e shoqërisë sonë.

Ata që e kanë përdorë kërbaçin, tani kanë marrë rolin e profetëve, kurse idetë e tyre të mjera, në një ambient të varfër medial e mendor i propagandojnë si të ishin dogma religjioze, të cilat nuk duhet diskutohen, por duhet gëlltiten si të tilla.

Ndaj, ndryshimi që sjell kërbaçi, ka një emër: ai është ndryshim i keq.

Fatkeqësisht, përveç shkollës politike që ka mbjellë Ibrahim Rugova, Kosova nuk ka shkollë tjetër të dashurisë për atdheun.

Gjuha kryesore dominues politike që ka karakterizuar jetën tonë politike është ajo e intrigave, një gjuhë e pështirë dhe krejt e paemancipuar,  e cekët në ide e mendime, ku secili e mundon gurmazin duke treguar sa di të urrejë tjetrin dhe jo sa di të dojë vendin.

Të gjitha lëvizjet e mëdha dhe udhëheqësit e mëdhenj në histori, të tillët që kanë bërë ndryshime cilësore dhe kanë shoqërisë njerëzore i kanë sjellë përparim dhe jo shkatërrim, janë ato lëvizje dhe ata udhëheqës që janë angazhuar kundër të keqes, pse kanë besuar te e mira, te liria, përparimi dhe drejtësia. Dhe jo ata që kanë besuar te kërbaçi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora