Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: 28 Nëntori
E premte, 27.11.2020, 08:58 PM
28 Nëntori
Nga
Ndue Ukaj
Festa
e madhe e 28 nëntorit na kujton golgotën nëpër të cilën kemi kaluar si komb dhe
njëkohësisht na tregon se ç' dashuri përvëluese
kanë treguar për kombin shumë brezni.
Luigj
Gurakuqi, patriot i kulluar, udhëheqës fisnik dhe njeri i kulturës së lartë,
duke kujtuar këtë të kremte, ai na porositë që krahas gëzimit dhe dëfrimit,
prej kësaj ngjarje të mësojmë:
“E
Kremtja e 28 Nandorit duhet të jetë pra per ne të gjithë, jo vetëm nji ditë
gëzimi e dëfrimi, por edhe një ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e
të bajmë shqyrtimin e vetdijes s’onë. Në këtë ditë duhet të vëme të gjithë
dorën në zëmër e të pyesim vetën t’onë ndë a kemi bamun gjithkund e gjithmonë
detyrën qe kishim përpara Atdheut. T’i tregojmë pà turp e t’i njohim fajet
t’ona, te harrojmë hidhnimet e anmiqësitë qi na ndajnë, t’i japim vllaznisht
dorën njani tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshave t’anë se sot e mbrapa do
të përpiqemi për të miren e Atdheut, për lulzimin e komit, për nderimin e
flamurit t’anë"
Shumë
vite më vonë, Ibrahim Rugova, po ashtu patriot i kulluar, udhëheqës fisnikn dhe
njeri i kulturës së lartë në tekstin "Pavarësia kombëtare", të botuar
te Bota e re, me 28 nëntor, 1968, na kujton këtë përpjekje të mëdha. U dashtë
të kalonin pesë shekuj vuajtje e trishtim, që në qiellin shqiptar, të ngritej
flamuri i Skënderbeut, simbol i lirisë, identitetit kombëtar dhe i pavarësisë:
“U
habitën të gjithë, kur pas pesë shekujsh, nga epoka e Skënderbeut në qiellin
shqiptar, u ngrit simboli i gjakut-Flamuri.
Mirë
që u mashtruan gjithë. Mirë që kujtuan se nuk kemi asgjë, se kuçedra e
Anadollit nga gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por
s’mundi të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren-fuqinë, trimërinë që i
çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve. S’u
harrua porosia e stërgjyshërve. E shporrëm më tej dhe do të shpiem gjersa të
gjallërojmë mbi këtë tokë të dashur”.
...
Në
këtë kremte të madhe, krahas ngazëllimit, festës me flamuj, është e udhës të
pyesim: Ku janë shqiptarët sot? Dhe pse, një pjesë e tyre, ndjejnë turp të
flasin për vlerat e historisë së kulturës së tyre? Pse ata vazhdojnë të
vërtiten nëpër kriza të shumta politike dhe shpirtërore? Pse ata ofshajnë me
dhimbje për atdheun e tyre të tkurrur, për pafuqinë për t’u konsoliduar dhe për
zhvillimin tejet të ngadalshëm ekonomik?
Si
udhëhiqen sot shqiptarët? A kanë ndonjë parim të menduar, ndonjë ide sublime,
apo udhëhiqen sipas mendësisë bashibuzuku popullore, kudo rafsha mos u vrafsha,
me të cilën qesëndisej dikur shqiptari i ditur, Krist Maloki.
...
Shqiptarët
sot nuk vuajnë prej ndonjë armikut të jashtëm, si dikur, por ata vuajnë për
shkak të mosmarrëveshjeve dhe keqkuptimeve të tyre të brendshme, për shkak të
pazotësisë për t’u bashkuar e për t’u lartësuar si komb, dhe për të ecë
përkrahë kombeve të përparuara.
Sot
në hapësirat shqiptare, flitet e shkruhet për gjithfarë interesash e temash,
duke filluar nga ato më banale, deri te temat e mëdha globale, por pak ose
aspak nuk flitet për interesa të natyrshme kombëtare.
Madje,
shqiptarët, sot, nuk e kanë të qartë nëse kanë interesa kombëtare. Të tilla që
lidhen me ontologjinë, gjuhën, kulturën, historinë dhe identitetin e tyre, por
edhe të tilla që tejkalojnë hapësirat e tyre të ngushta politike.
Duke
e lënë anash dalldinë patriotike, gërvalljet e ulërimat, ata nuk kanë një
strategji të qartë për interesat e tyre - në kushtet e stome politike -në botën
e trazuar, ku gëlojnë gjithfarë interesash.
...
Shqiptarët
mund të ankohen në shumëçka e për shumëçka, por askush ata sot s’ i ndalon që
të bëjnë tekste të përbashkëta në fushën e arsimit, të hartojnë politika të
përbashkëta në fushën e shëndetësisë, të diplomacisë dhe të ekonomisë. Sot, ata
askush ata s’i pengon që t’i harmonizojnë objektivat dhe synimet kulturore,
përveç shpirtngushtësisë, inferioritetit dhe arrogancës, herë të Tiranës e herë
të Prishtinës.
...
Shqiptarët,
ndonëse kanë sendërtuar shumë aspirata, ata nuk janë të lumtur. E ndodh që ata
të jenë të trishtuar në atdheun e tyre, madje, duke e konsideruar shpeshherë si
atdhe të përkohshëm, dhe kjo ngjet, meqë ata ballafaqohen me mungesa banale, duke filluar nga rryma,
uji, buka, etj.
...
Shqiptarët
kanë shumë sfida, por mendoj se detyrë parësore e tyre është lartësimi i ndërgjegjes kombëtare, siç
kërkonin të diturit, e prej të cilës vjen besimi te vetvetja dhe te shteti.
Sepse, neve na kanë mposhtë ndjenjat e fatalitetit, prandaj kudo dëgjon shqiptarë
që rënkojnë e thonë: nuk jemi më të zot se kaq.
Faik
Konica, në vitet e para të pavarësisë kombëtare, teksa shihte shqiptarët e e
çakërdisur e të habitur, thoshte se, na duhet të formojmë ndërgjegjen
kombëtare, kurse Anton Harapi, kërkonte naltimin e saj. Pa dyshim, një detyrë
të tillë, dikur e bënin me shumë dashuri mendimtarët dhe iluministët shqiptarë
të viteve të 30- ta, ku shquheshin Konica, Merxhani, Fishta, Noli, Frashëri,
Harapi e shumë të tjerë, të cilët kishin vetëdije të lartë intelektuale dhe
qytetëruese. Dhe sot ata përfaqësonte një elitë shembullore dhe mund të na
shërbejë si oksigjen për të pastruar ndërgjegjen tonë.
Në
prag të 28 nëntorit, shqiptarët e sotëm
janë po aq të trullosur sa shqiptarët e fillimeve të para të pavarësisë: me
dije të mangët e të mbetur prapa botës së qytetëruar.
Ata
- as sot- assesi nuk po munden dhe nuk po dinë ta gjejnë rrugën e lartësimit
dhe të përparimit. E lartësim i ndërgjegjes nuk mund të bahet me batakçinj,
politikanë arrogantë e të paditur. As me opinion publik të çorientuar dhe pa
etikë kombëtare e profesionale.
Në
ditë të shënuara kombëtare, neve na mbërthen zjarrmia patriotike, shfaqim mall
e dashuri, por kjo zgjat shumë pak. Aq sa zgjat festa, ndërkaq, të nesërmen
vazhdojmë avazin e vjetër. Dhe bëhemi të egër, mosdurues, përbuzim historinë
dhe vetë idenë çka përfaqëson 28 nëntori.
Në
mënyrë që 28 nëntori i vitit të ardhshëm të jetë më i begatshëm për ne, duhet
të jemi më të bashkuar dhe të guxojmë të themi: nuk është turp ta duash vendin
tënd, historinë dhe kulturën tënde. Përkundrazi, është vlerë, vyrtyt dhe shenjë
e qytetarisë.