E hene, 14.10.2024, 04:06 PM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: A mund të ëndërrojmë një republikë humane?

E enjte, 17.12.2020, 09:05 PM


A mund të ëndërrojmë një republikë humane?

Nga Ndue Ukaj

Mjedisi ynë politik është varfëruar tej mase dhe duket sikur është bërë steril për ide të shëndosha politike dhe tejet i pëlleshëm për marrëzi të pafundme politike. Ky mjedis -  me shumë pak përjashtime - është tejet agresiv, ku grindjet primitive u kanë zënë vendin debateve normale e intrigat quhen informata e ide politike.

Kosova është futë në një mjegull mendore e politike dhe nga kjo nuk mund ta nxjerr askush, e as nuk ka ilaç për t' i kuruar sëmundjet tona serioze politike e mendore, që rrjedhimisht janë edhe kulturore.

Ekziston vetëm një mundësi që të dalim nga kjo mjegull mendore, politike e kulturore dhe ajo është të bëhemi të vërtetë dhe ta braktisim shkollën e intrigave e të thashethemeve dhe të fillojmë të bëhemi nxënës të mirë.

Deri tash kemi qenë nxënës të këqij dhe jemi joshur më shumë nga idetë dhe lajmet e këqija se sa nga ato të mirat.

Modelin se si duhet të jetë një udhëheqës normal, rrjedhimisht një sistem politik normal, na tregojnë shembuj të shumtë nëpër botë. Mua më pëlqen ta rikthej në vëmendjen tuaj Václav Havelin, një shkrimtar dhe udhëheqës shembullor.

Ja siç e përshkruan atë këshilltari i parë i tij, Ji?í Pehe:

"Shumë mund të pyesin se çfarë e bënte Havel-in të jashtëzakonshëm. Përgjigjja është e thjeshtë: njerëzia. Ai ishte i njerëzishëm, njeri me parime. Ai nuk luftoi kundër komunizmit për shkak të një agjende të fshehtë personale, por vetëm sepse ishte, sipas atij, një sistem i padrejtë dhe imoral."

Pra, shkrimtari dhe politikani Václav Haveli ishte i tillë, sepse kishte ide të mëdha, besonte në të, ishte politikan kreative, e donte njeriun dhe e dinte se çfarë republike ëndërronte:

"Ju mund të pyesni se çfarë republike ëndërroj unë. Më lejoni të përgjigjem: Unë ëndërroj një republikë të pavarur, të lirë dhe demokratike, një ekonomi të begatë dhe shoqëri të drejtë, me pak fjalë, një republikë humane e cila i shërben individit dhe shpreson se edhe individi do t’i shërbejë. Për një republikë me njerëz të harmonishëm, pasi përndryshe do të ishte e pamundur të zgjidhnim problemet tona, njerëzore, ekonomike, ekologjike, sociale dhe politike."

Nga përvoja e dimë se nuk mund të ëndërrohet një republikë humane nga ata që ushqehen me intriga, thashetheme e debate të cekëta dhe që sillen e pështillen rreth retorikës së njëjtë të ligjërimeve përjashtuese. Republika që propozojnë ata është republika e gjymtë, e gjuhës së tyre të reduktuar në mllef, që domethënë një republikë e cektë, e varfër, plot pezëm dhe pa humanizëm.

Ëndrra për republikë humane, mund të arrihet vetëm me politikanë të njerëzishëm, të urtë dhe që kujdesen për njeriun (madje edhe për kundërshtarin), pra me të tillë që nuk mbjellin helm e terror psikologjik, siç bëjnë disa ndër ne. Shembull të provuar dhe të dëshmuar  e kemi Ibrahim Rugovën, njeriun e ideve dhe idealeve të mëdha, trashëgimia politike e të cilit është udhërrëfyese për një republike humane.

Pra, ëndrra për një republikë humane, nuk mund të jetësohet me politikanë që krejt ligjërimin politik e kanë helm kundër kundërshtarëve dhe ngjyejnë në terrenin e ligjërimeve radikale ideologjike, ku urrejtja për kundërshtarin është më e madhe se dashuria për vendin. Ky soj politikani, me retorikë boshe e shprehje të gërditshme, më së shumti di të etiketojë të tjerët, por kurrë nuk tregon alternativa të shëndetshme shoqërore. Të tillët e propozojnë veten si profetë, e idetë e tyre ndonjëherë si ide shkencore e ndonjëherë si dogma religjioze.

Lexuesi i kujdesshëm i njeh mirë këta dhe e kupton mirë sfondin historik të lëvizjeve të tilla.

E të tillët, ka treguar historia se janë shumë të rrezikshëm. Ata lozin keq me fatin e popullit dhe me dëshpërimin e tij, të cilin e përdorin për kusure ideologjike dhe bindje radikale politike.

Litari i fortë i populizmit i mbarsur me demagogji e retorikë boshe, i qëndrimeve radikale politike, në vendin tonë, gjithnjë e më po tërheq ithtarë brenda tij, por ky litar, është në dorën e një tufë shkretanësh, që përpos demagogjisë e retorikës boshe, shoqërisë nuk i japin asgjë. E me sojin e tillë ëndrra për një republike humane bëhet krejtësisht e pamundur.

Shoqëria jonë e dërmuar, ka nevojë për udhëheqës të butë e mendje që e udhëhiqen nga ide solidare dhe jo nga mendje radikale e demagogjike.

Sepse - ëndrra për një republikë humane nuk bëhet me rrëfime politike të cekëta, me intriga, qëndrime radikale, përjashtime e patriotizëm të kamufluar me llafologji.

Tash e sa vite kemi humbë shumë çaste historike, duke mos arritë të bëhemi demokraci normale e as të hyjmë në familjen e kombeve të përparuara, përkundër faktit se kemi pasë përkrahje të jashtëzakonshme nga fuqitë perëndimore për t’u rimëkëmbë politikisht, ekonomikisht dhe kulturalisht.

Këtë çast e kemi humbë dhe tani jemi në një amulli të pashembullt.

Kurse përpara kemi sfida ekzistenciale, të natyrës politike, ekonomike e kulturore. Bota ka filluar të humbë durimin me ne.

Ne duhet të pendohemi dhe në mënyrë të përkorë t’iu afrohemi edhe njëherë atyre dhe të kërkojmë dorën e tyre.

Ky mund të jetë çasti i fundit që të këndellemi,  të kthemi prapa dhe të shohim ku e kemi humbë  rrugën. Nëse e humbim këtë rast - e rreziku është që ta humbim - nesër mund të pendohemi, por atë që kemi humbë kurrë s'do të mund ta kthejmë. Historia jonë njeh përplot anomali të tilla.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora