Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Rugova e deshi autoktonen, por e vlerësoi edhe universalen
E merkure, 02.12.2020, 08:18 PM
Ndue Ukaj:
Kosova
e ligështuar dhe e dërmuar, pa autoritete morale e politike dhe me disa demagogë
të rrezikshëm me mendësi ekstremiste që i vërtiten si profetë të rremë, duhet
të frymëzohet nga figura shembullore e Ibrahim Rugovës për të tejkaluar sfidat
e mëdha që ka përpara. Sepse Rugova e ka shkruar ungjillin politik të
shqiptarëve - testamentin e dashurisë politike, për njeriun shqiptar,
historinë, kulturën dhe identitetin e tij. Këtë testament - të cilit ai i
blatohej - bashkëkombësit e tij duhet ta kenë shujtë të përditshme në tryezën e
tyre: Të frymëzohen prej tij dhe të besojnë në të, në mënyrë që të
fisnikërohen, t’i mposhtin paudhësitë, prapështitë dhe dokrrat që e
karakterizojnë kohën pas tij.
Rugova
është krijuesi dhe ndërtuesi i shtetit të Kosovës. Politikani më ditur dhe më
normal që ka dalë nga raca shqiptare. Njeriu që i përtëriu dhe i kultivoi si
askush aleancat organike me perëndimin dhe që vendosi Kosovën në hartën
politike të botës.
Rugova
qe politikan i njerëzishëm, aspak megaloman, siç janë soji i tij ndër
shqiptarë.
Ai
e donte njeriun dhe kujdesej që atë ta mëkonte me ndjenja dashurie, respekti,
njerëzie dhe solidariteti. Ai nuk e urrente askë.
Sepse
ai ishte i vërtetë dhe i njerëzishëm.
Ai
nuk fliste përçartë dhe me urrejtje për kundërshtarin, por kujdesej, dhe e
fisnikëroi gjuhën politike me ndjenja të njerëzishme për njeriun, autoktonen
dhe vlerat e fisme universale, kah ecte i palëkundur dhe kah e orientonte
popullin e vet i pa tunduar.
Rugova
e deshi autoktonen, por e vlerësoi edhe universalen, ato vlerat e fisme të
qytetërimit të lirisë dhe të dashurisë perëndimore, për të cilat punoi i
palëkundur dhe me tërë qenien.
Ai
ishte i ndikuar prej Bogdanit dhe korpusit të autorëve oskdentalë dhe nuk
tundohej, nuk lëkundej dhe as nuk joshej prej ideve të tjera.
Në
saje të kësaj filozofie, ai e bëri krejt botën e përparuar që ta përqafonte
kauzën tonë dhe të ishte me ne. Dhe kështu, sakrifica dhe lufta jonë u
shpërblye me lirinë dhe pavarësinë që kemi.
Rugova
punoi me pasion për oksidentalizimin e shoqërisë sonë, proces ky që është
shëmtuar pas shkuarjes së tij në amshim. Ai këtë e kishte ideal dhe mision.
Prandaj, nuk zgjohej si europian, që pastaj ditën ta kalonte si oriental dhe të
binte në shtrat si kozmopolit. Ai ishte i vërtetë: Një oksidental shqiptar i
thekur në mendime dhe veprime, që gjunjëzohej para Gjergj Kastriotit dhe e
kishte udhëheqës shpirtëror Bogdanin dhe kjo e bëri atë të madh dhe të
papërsëritshëm.
Prandaj,
mallëngjehem sa herë e kujtoj hapin e matur të tij dhe shoh hapat e çorientuar
të shumë politikanëve të sotëm zuzarë.
Mallëngjehem,
sa herë i dëgjoj ose i lexoj idetë e tij të fisme politike dhe në anën tjetër
shoh marrëzitë, dokrrat dhe kukurisjet e politikës shqiptare, të çorientuar dhe
pa kurrfarë ideale.
(Fotografia:
Hazir Reka)