Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: LDK, partia e parë në Europën Juglindore që përqafoi demokracinë
E merkure, 23.12.2020, 05:24 PM
Ndue Ukaj:
Para
31 vjetëve, në rrethana shumë të rënda shoqërore e politike, u themelua Lidhja
Demokratike e Kosovës, partia e parë në Europën Juglindore që përqafoi
demokracinë dhe vlerat perëndimore dhe
shpejt u bë shandan drite për kahet e zhvillimeve kulturore e politike në
Kosovë dhe me gjerë.
Ibrahim
Rugova, themeluesi dhe prijësi i LDK-së dhe i Kosovës, gjatë gjithë
veprimtarisë së tij politike e institucionale udhëhiqej nga parime dhe vlera
sublime. Ai e dinte mirë se nuk ka politikë pa kulturë, ndaj e vendosi kulturën
si postulat themelor në epiqendër të ideve dhe veprimeve të tij politike. Dhe
bashkë me një çetë shkrimtarësh e intelektualësh mendjedritur, demaskoi
bllokadën dhe regjimin barbar serb, dhe bëri që bota demokratike ta përqafonte
në gjirin e vet popullin e vuajtur shqiptar; duke e marrë në mbrojtje, duke e
çliruar dhe pavarësuar nga shtypja dhe regjimi serb.
Kosova
sot është në turbullira të rrezikshme politike dhe si në ato vitet e ankthshme
të 90- tave, kur ra muri i Berlinit dhe
muri ndërshqiptar, kudo ndjehet nevoja e rikthimit të frymës së Rugovës, jo për
hir të LDK- së, por për hir të ekzistencës së shtetit të Kosovës, sepse liria
dhe pavarësia jonë janë të lidhura organikisht me këtë frymë.
Kosova,
për shkak të rrethanave në të cilat ka ekzistuar gjatë gjithë shekullit të
kaluar, nuk ka trashëguar ndonjë traditë në punët e politikës e të shtetit.
Trashëgimia osmane e përshkuar më vonë nga trashëgimisë komuniste, kanë vyshkur
idenë për shtetin. Kjo trashëgimi i keqe u sfidua nga shkolla madhështore e dashurisë për vendin që
mbolli Ibrahim Rugovës, që kudo shkonte shpaloste vizionin e tij, duke afirmuar
vlerat më fisnike nacionale dhe duke qenë i vërtetë deri në fund.
Rugova
kurrë nuk gulçonte, nuk urrente, nuk përbuzte askë e nuk merrej me ata që
gjuanin gurë mbi të, por i respektonte të gjithë, edhe kundërshtarët e ashpër,
sepse ai kishte ide të mëdha dhe vizion të qartë.
Kundër
LDK- së janë gjuajtur e gjuhën pandërprerë gurë, sepse ajo ka përfaqësuar dhe
afirmuar vlerat më fisnike shqiptare, nuk është rrekur të merret me tema
universale e proletare, por me thelbin e ekzistencës shqiptare, prandaj është
bërë halë në sy për universalistët e kulturës së proletariatit, për ata që më
shumë e duan të huajën se të veten.
Prandaj,
trashëgimia politike e LDK- së - sot dhe nesër - mbetet kapitali më i madh
politik që ka Kosova dhe një bazament i shëndoshë për të ndërtuar Kosovën e
sotme dhe të nesërme.
Përkundër
dobësive që e kanë karakterizuar viteve të fundit LDK-në, për shkak të sulmeve
brutale që i janë bërë e i bëhen, humbjes së liderit, fryma e saj është fryma e
Kosovës dhe ajo do të rritet me kalimin e kohës, sepse përfaqëson më së miri të
vërtetën e Kosovës.