Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Vizitat e politikanëve të Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas, përdoren për të ndezur zjarrin e përçarjeve
E shtune, 19.12.2020, 01:25 PM
Ndue Ukaj:
Vizitat
e politikanëve të Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas, ka kohë që s’ u
shërbejnë interesave të përgjithshme e as përmirësimit të jetës së shqiptarëve,
por përdoren për të ndezur zjarrin e përçarjeve, rrjedhimisht, për të krijuar
një mur të ri artificial ndërshqiptar, e ndonjëherë mjerisht edhe për pak like
e përndezje militantësh partiakë.
A
bëhet kjo qëllimshëm apo jo, mbetet për t’u studiuar, por pse ekziston një
energji e tillë destruktive, kjo s' do shumë mend për t' u kuptuar, dhe për
këtë tashmë ka një sërë argumentesh të provuara. Përndryshe, askush me mendje
të shëndoshë nuk mund ta shpjegojë prej ku buron kjo energji kundër
njëri-tjetrit në këto kohë të rënda krizash globale, kur kërkohet përafrimi dhe
unitet përballë detyrave të mëdha që kemi përpara.
Sa
herë ndodhin vizita të tilla, natyrisht gjinden gazetarë, opinionistë, politikanë dhe
kujdestarë të devotshëm të medieve sociale, që u duartrokasin ideve që
transmetojnë politikanët e tillë, jo për shkak të bindjeve, por për shkak të
mllefit që kanë ndaj X a Y dhe vizitat e tilla duan t’i përdorin për t’i qëruar
hesapet e brendshme partiake e politike. Kjo është neveritëse dhe jo etike, dhe
për mua, njëra nga anomalit më të mëdha të politikës ndërshqiptare.
Vizitat
e tilla në vend se të përktheheshin me terma konkretë të përafrimit dhe
përparimit, përcillen me sasinë e dallimeve që kanë arritur të shpërfaqin
udhëheqësit politikë. Dhe kjo është
çoroditje e llojit të veçantë, të cilën jemi duke e paguar shtrenjtë, duke
mbetë kombi më i varfër dhe më pa integruari në kontinent.
Çuditërisht
sa herë ka vizita të nivelit të lartë ndërshqiptare, fokusi i opinionit publik
orientohet te pesha e madhe e dallimeve dhe rrallëherë te nevojat e përbashkëta
për t’u bashkuar dhe për t' i kuruar veset e përbashkëta.
Duhet
të jesh tepër mendjerob që të besosh se i kontribuon Kosovës ose Shqipërisë,
duke ndërtuar mure të reja artificiale, ndërmjet dy shteteve me histori, gjuhë,
kulturë dhe identitet të përbashkët. Për
më tepër, duhet të jesh krejtësisht i pasinqertë, hipokrit dhe të thuash se
aspiron integrime euro-atlantike, me popuj e gjuhë krejt të panjohura, ndërkohë
që nuk bën përpjekje minimale për të integruar një popull të ndarë në dy
shtetet, por që ka histori, kulturë, gjuhë e identitet të përbashkët; e që ka
luftuar dhe vuajtur gjatë për të qenë bashkë.
Udhëheqësit
e mençur, janë ata që promovojnë kulturën e bashkimit, të solidaritetit e të
vlerësimit dhe që flasin me pietet, nderim për historinë e përbashkët, siç
bënte Ibrahim Rugova.
Dhe
Rugova duhet të shërbejë si mostër, që në Tiranë dhe në Prishtinë, të flitet me
pietet e nderim për histori të përbashkëta, për ngjarje që na lidhin dhe jo për
rrëfime rrugësh që na ndajnë. Në Prishtinë e Tiranë duhet të flitet me pietet
të lartë për doajenët e kulturës së përbashkët shqiptare, nga ata më të vjetrit
tek modernët, për sakrificën e madhe të shumë brezave që luftuan me pendë e
pushkë për të fituar lirinë, për ata titanë të kulturës shqiptare që ndër
shekuj nuk lanë dheun e Arbnit të bjerrë gjuhë e identitet.
Ndërkaq,
kur flitet për politikë, në Tiranë e Prishtinë, duhet të flitet si të bëjmë
tekste të bukura për fëmijët tanë, si të krijojmë shkolla që sjellin lumturi
dhe jo shkatërrim, si t’i harmonizojmë politikat e çakorduara arsimore e
kulturore, si t' i mësojmë breznitë e reja ta duan atdhuen, si të krijojmë
mekanizma të përbashkët në fushat me interes jetik, siç janë ekonomia,
diplomacia, siguria, kultura, arsimi, ashtu siç bëjnë të gjithë popujt normalë.
Për
shembull: Që njëzet vite ne nuk kemi arritë t' i rregullojmë politikat e librit
dhe ky është një turp që bie mbi secilin. Sepse ne kemi politikat më të këqija
të librit në Europë e në fakt do të duhej t' i kishim shembullore.
Për
të kuptuar si mund të bëhen punë të vlefshme të interesit të përbashkët,
mjaftont të marrim shembull vendet skandinave, që para se të integroheshin në
BE, kanë integruat fushat themelore të jetës, duke themeluar mekanizma të
përbashkët në fusha të jetës.
Shqipëria
dhe Kosova e kanë rrëzuar - atë që Ibrahim Rugova e quante mur artificial të
ndarjes - dhe tani duhet të punojmë bashkarisht e në frymën e perspektivës së
integrimeve perëndimore, si dy shtete shqiptare që duan të jetojnë të bashkuar
në përkim me vlerat e demokracisë perëndimore. Kjo është rruga e vetme dhe domosdoshme për ne si oksigjeni.
Prandaj
nuk është klishe të thuhet se Shqipëria dhe Kosova janë shumë më shumë se ç’
përfaqësojnë udhëheqësit e tyre, dhe zgjatimi i tyre në media e fusha tjera, që
ndonjëherë për shkak të shpirtngushtësisë, më shumë dinë të tregojnë sa e
urrejnë tjetrin se sa e duan atdheun.