Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: E vetmja shkollë politike që ka dhënë rezultate kombëtare është ajo që ka ndjekë Ibrahim Rugova
E merkure, 13.01.2021, 07:59 PM
Ndue Ukaj:
Bota
e përparuar demokratike, beson te
“maksima sokratiane se fillimi i mençurisë qëndron te njohja e
injorancës dhe kjo ka rëndësi të thellë për të kuptuarit tonë ndaj shoqërisë
- shkruan nobelisti F. H. Hayek te libri
monumental “Kushtetuta e lirisë”.
Kjo
maksimë e moçme, mbi të cilën është ndërtuar qytetërimi perëndimor, për ne
s’vlen pesë pare, sepse në ambientin tonë, të gjithë “dinë” të flasin për
politikë, të gjykojnë politikisht dhe të japin vlerësime nga më të çuditshmet
politike. Po, vërtet, ne kukurisim dhe bëjmë llafologji pafund.
Po
ta shihesh botën e vogël shqiptare, si flet dhe shkruan për politikë, ta merr
mendja se këtu përcaktohen fatet e botës dhe kahet e zhvillimeve globale.
Është
vështirë të gjesh ndër shqiptarë njerëz që thonë: nuk di ose nuk kam çka të
them. Të gjithë “dinë” të bëjnë analiza dhe të tregojnë rrëfime politike, e në
këtë drejtim, po ashtu, të gjithë dinë t’i drejtojnë gishtat qortues e
shigjetat e helmatisura kundër të tjerëve.
Kjo
është logjikë e shkretë dhe mjerane, që është duke na vështirësuar rrugën e
përtëritjes dhe të këndelljes.
Ne
jemi një vend që vuan pasojat e trashëgimeve të këqija politike, të shkollimit
jocilësor, të ideve jo cilësore, të cilat pakkush provon t’i shërojë.
Ne
jetojmë në një mjedisi moral dhe etik tejet të egër, të cilin, në vend se ta
zbusim, ta kthjellim e pastrojmë, e ndotim përditë e më shumë, me intriga dhe
thashetheme politike neveritëse.
Në
këtë ndotje, kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë faktorë tallava të shoqërisë sonë, media pa
etike e shpeshherë me agjenda, që u kanë dhënë krahë budallenjve, egërsia e
folësve politike, politikanë të papërgjegjshëm e megalomanë, që kanë ndërsyer
tufat e egra të militantëve me gulçe, sharje e turfullime kundër të gjithë të
tjerëve që u kanë dalë në rrugë...
Fatkeqësisht,
ne nuk kemi trashëguar ndonjë shkollë politike që ka dhënë rezultate kombëtare,
përveç shkollës politike që ka ndjekë Ibrahim Rugova. Ajo ishte shkollë e
përkorë, autentike, e njeriut të Kosovës dhe që e donte atë, që s’yshtej pas
temave globale e proletare. Një shkollë që ishte e vetëdijshme për peshën e
vogël dhe krejt të papërfillshme në rajon, kontinent dhe botë, ndaj kërkonte
aleanca, miq, dashamirë, për të sendërtuar një aspiratë. Dhe, siç tregon
historia e vonshme, ajo shkollë u bë udhërrëfyese dhe një lloj tempulli besimi,
ku u përkulën të gjithë ata që na ndihmuan të sendërtonim aspiratat tona për
liri, pavarësi dhe demokraci.
...
Përsa
kohë intrigat i quajmë mendime, thashethemet i bëjmë lajme, u duartrokasim atyre
që pas shpine i shajmë - e vistra e
shembujve të tillë është e gjatë - s' kemi pse presim ndryshime cilësore
kombëtare dhe s’do të fitojmë as respekt
e as vlerësim ndërkombëtar.
Pra,
për shpjegime irracionale politike dhe të egra, nuk na shkon kush, ashtu siç
nuk na shkon kush për spektakle politike dhe politikë të defilimeve nëpër
rrjete sociale.
Ndaj, njerëz, para se të vërboheni dhe të besoni te lideri si të ishte profet e shpëtimtar, është e udhës ta gjeni kurën për t’i shëruar sëmundjet serioze që rëndojnë shoqërinë tonë, sidomos ato që lidhen me kthetrat e egra të karantinës së gjatë të injorancës, intrigave dhe të thashethemeve që na kanë mbërthyer keq.