Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Kosovës i duhen ndryshime politike cilësore që priren nga idetë humane
E enjte, 07.01.2021, 09:28 AM
Ndue Ukaj:
Sipas
George Orwell-it, synimi i parë i çdo revolucioni është gjuha, që synon të
vendosë fuqinë aty ku duhet të jetë drejtësia. E kjo arrihet përmes ideve
kolektiviste.
Kolektivizimi
është një doktrinë ose aset ideologjik, në të cilën qëllimi i një kolektivi të
caktuar, siç është shteti, kombi, shoqëria,
kanë përparësi mbi qëllimet individuale.
Lëvizja
VV-je përmes një propagande të sofistikuar dhe të përditshme ka arritë të
krijojë përbenda grupimit të vet kultin e individit si shpëtimtar për shoqërinë
dhe shoqërinë që shkon prapa si një turmë kolektiviste.
Rrjedhimisht,
VV-ja dhe grupimet e majta në Kosovë, të përkrahura symbyllur nga disa media,
përmes propagandës së egër, kanë arritë në një mase të madhe të mbarsin nevojën
për një revolucion politik, duke përsëritur përditë propagandën e njëjtë se
gjithçka në Kosovë ka shkuar keq. Kjo propaganda e përditshme, synim ka që të
vendoset fuqia politike, aty ku duhej të
ishte e vërteta, rrjedhimisht të vendoset ideja kolektiviste, aty ku duhej të
ishte dinjiteti i personit.
Në
Kosovë përgjatë dy dekadave të fundit, vërtet janë bërë përplot punë të këqija
dhe marrëzira, por kanë ndodhë mrekullitë shekullore, siç është liria, shteti,
ushtria, pra kanë ndodhë përplot të mira, të cilat tentohen të mbulohen nga dëshpërimi,
përbaltja dhe pështyma e përditshme. Prandaj, kush mendon se Kosovës i shërben
një revolucion politik radikal, ai është një trushpërlarë nga mendësia
kolektiviste, mendësi kjo që, siç thashë, përbën një nga asetet kryesore të
ideologjisë së majtë radikale prej së cilës shqiptarët kanë vuajtë shumë.
Duke
tentuar ta kolektivizojë idenë e ndryshimeve ose siç u pëlqen disave të thonë
përmbysjes, kjo mendësi politike synon t’i tkurrë synimet e individit dhe
kështu ta shkelë dinjitetin e tij, duke e përqendruar gjithçka te fuqia e
ndryshimeve politike, në laboratorin e së cilës, siç na mëson historia, nuk ka
drejtësi e dinjitet, por digjen më së shumti të pafajshmit.
Kosovës
i duhen ndryshime politike cilësore, që priren nga idetë humane dhe jo nga
ambicie kolektiviste.
Ne
na duhet një shkollë që e vendos në qendër njeriun dhe dinjitetin e tij dhe
synim parësor ka humanizmin e shoqërisë, si parakusht për kulturim e përparim.
Historia
politike e Kosovës është e re, por ajo
ka një legaci politike të provuar si të suksesshme për t’iu qëndruar
përballë këtyre stuhive dhe ajo është shkolla e dashurisë për atdheun që e ka
kultivuar Ibrahim Rugova. Duke u bërë dishepuj të kësaj shkolle dhe duke e
ndjekë mësimin e Rugovës për shtetin e njeriun, më së miri mund ta ruajmë
Kosovën dhe njeriun e saj, në përkim me parimin se shteti është për njeriun dhe
jo njeriu për shtetin.