Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Promovuesit e armiqësivë politike lë të bëjnë një ekskursion në të kaluarën tonë kombëtare
E hene, 25.01.2021, 09:44 PM
Ndue Ukaj:
Të
gjithë ata që sot promovojnë ose përkrahin armiqësitë politike (të tillët janë
të shumtë), lë të bëjnë një ekskursion në të
kaluarën tonë kombëtare dhe prej atje do të kthehen me ide më të
kthjellëta e më fisnike për t' i kuptuar shumë anomali e probleme të kohës
sonë.
Historia
jonë kulturore ka shumë atdhetarë e autorë të shquar që kanë trajtuar plagët
tona kombëtare dhe nëse i këshillojmë ata, mund ta kthjellim mendjen tonë të
errësuar nga urrejtja dhe armiqësia.
Njëri
nga ta është atdhetari dhe autori i shquar Mid'hat Frashëri (Lumo Skëndo),
idealist i thekur, që në shumë tekste ka diagnostikuar shumë vese kombëtare.
Në
shumë analiza, ai ka kërkuar që t’i kurojmë plagët tona dhe t’i kthejmë në
virtyte, nëse duam vërtet përparimin kombëtar.
Analizat
e tij, duken sikur të ishin shkruar sot, në këto ditë janari. Po, ai sot po t’i
shihte shqiptarët e çakërdisur dhe të armiqësuar, do të përsëriste atë që ka
shkruar në vitin 1909, në tekstin me titull “Të njohim pak fajin”, ku trajton
plagët seriozë kombëtare: Mungesën e altruizmit dhe mos njohjen e fajit.
Mungesa
e altruizmit kombëtar na ka errësuar mendjen dhe na ka futë në një mjegull
totale mendore.
Përvoja
historike tregon se askush nuk mund ta sigurojë lumturinë kombëtare, përparimin
dhe mirëqenien, në qoftë se nuk është ushqyer mjaftueshëm me ndjenja të
altruizmit.
Në
të vërtetë, ata që nuk janë të ushqyer me këto ndjenja, krejt çka i sjellin
shoqërisë është egoizmi, armiqësia dhe rrjedhimisht mjerimi.
Ja
çfarë shkruan ndër të tjera Mid'hat Frashëri në tekstin në fjalë shkruan:
“Një
komb është një familje madhe që ka nevojë për të gjithë të mirat e së voglës:
shkuarja e mirë, harmonia, bashkëpunimi këtu janë shumë më të nevojshme se te
familja. Për lumturinë e një kombi duhet që njeriu të ketë këtë virtyt, që në
frëngjisht i thonë altruizëm.
Altruizmi
është vetia fare kundër egoizmit: egoizmi na urdhëron që të mundohemi vetëm për
veten tonë, të bëjm’ atë që na do qejfi, t’i bëjmë dëm tjetrit për të mirën
tonë. Po altruizmi na këshillon që më parë të mendojmë tjetrin, të shikojmë të
mirën e tij, të ruajmë të drejtat e shokut tonë, me një fjalë, altruizmi na
thotë që çdo punë ta gjykojmë pas interesit të përgjithshëm dhe jo vetëm pas
interesit tonë. Altruizmi është ajo lëndë, mund të themi, që lidh njerëzit e
një kombi, gëlqerja që lidh gurët e një muri.
Altruizmi!
Ah, është një fjalë e panjohur për ne shqiptarët. Sa është larg nesh altruizmi,
kjo ndjenjë, ky virtyt! Armiqësi e përjetshme e shqiptarëve, fisi me fisin,
fshati me fshatin, vëllai me vëllanë, është një prov’e mjaftë, që altruizmit në
vendin tonë as emri s’i është dëgjuar! ”.
Sot
në mes shqiptarëve përditë e më shumë dëgjon mendime të këqija, egoiste,
thashetheme e intriga që të lebetitin trutë, dhe në anën tjetër, gjithnjë e pak
ide altruiste. Me siguri, kjo është arsye e serioze pse jemi kaq keq, të mjerë
dhe shumë prapa kombeve të përparuara të kontinentit.
Po,
pikërisht kjo është një arsye e fortë pse vetëdije jonë shtetërore është e
cekët, e në momente të caktuara duket sikur nuk ekziston fare.
__________
Imagjinojeni
një kohë kur president kishim Ibrahim Rugovën. Njëri nga postulatet e punës së
tij lidhej me fjalinë e mirënjohur: të ndërtojmë një shoqëri demokratike dhe
tolerante.
Rugova
me urtësi i fashiti dallimet e mëdha, nuk u rrëmbye kurrë nga instinkti i
turmave dhe në çdo deklaratë promovonte veç tolerancën dhe vlerat demokratike.
Tanimën
duket qartë se i kemi bjerrë mësimet e tij dhe nga shoqëria tolerante e
demokratike, po kalojmë në një shoqëri
ekstreme dhe jo tolerante.
Kësaj
dikush i thotë "është koha e ndryshimeve". Nejse, ka ndryshime që
sjellin shkatërrim dhe jotolerancë.
Duke
i parë dhe dëgjuar deklaratat e sotme, seç m' u kujtua nobelistja e letërisë
Olga Tokarczuk dhe tregimi Çe Guevara, ku thotë:
"Instinkti
i kopesë në momente historike përforcohet".
Po,
afshi që ngjall instinkti i kopesë në momente historike i vërbon
pushtetkërkuesit dhe ju humb arsyen.
__________
Që
historia të mos përsëritet, Ibrahim Rugova këshillon që politika të nxjerrë
mësim nga ajo.
Rugova
për komunizmin ndër të tjera thotë:
"Komunizmi
nuk i krijoi vend konceptit të kombit, i cili ishte ndjerë si negacion i
historisë. Ai ishte i mbështetur mbi një ide fiktive, primitive të barazisë, që
e mohon historinë. Shefat si - Tito, Mao, Hoxha, Lenini...-pastaj fabrikuan
historinë e vet. Prandaj njëri nga qëllimet e para të komunizmit ishte që të
qëllonte intelektualët."
E
Kosova e ideve dhe idealeve të Rugovës sot ndodhet para sfidave serioze, ndaj,
që historia të mos përsëritet dhe të mos biem nën kthetrat e barbarisë, barazisë
utopike e dokrrave, politika duhet të nxjerrë mësim nga e kaluara.