Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Anton Çetta është shumë më shumë se një shtatore në kryeqytet
E premte, 15.01.2021, 04:38 PM
Ndue Ukaj:
Anton
Çetta është shumë më shumë se një shtatore në kryeqytet, ai është një shkollë
madhështore e dashurisë për vendin.
Ne
duhet të bëhemi të sinqertë dhe të themi se: Shoqëria jonë e trallisur nuk ka provuar
se ka mësuar nga vyrtytet e larta që na la trashëgimi Antoni. Ai ishte i
përkor, solidar dhe unifikues, kurse ne, bashkëkombasit e tij, tash e sa kohë
jemi megalomanë, egoistë dhe përçarës. Ai e donte dijen, ne copëtohemi pas
cektësisë. Pra, ne nuk kemi mësuar asgjë nga shkolla e tij, prandaj tash e sa
vite nuk kemi arritë t' i bëjmë vend shtatorës së tij në Prishtinë, sepse
shpirtmadhësia e tij i trishton xhuxhët rrahagjokës.
Përballë
tij shoqëria jonë është me ndërgjegje të glacuar dhe kjo ndërgjegje nuk mund të
pastrohet lehtë e as me parulla.
Të
jemi të sinqertë: Sikur Antonin ta mbanim më shumë në zemër e mendje sa bëjmë
imazhologji me të dhe me emrin e tij, me siguri punët do të ishin më mirë dhe
ndër ne nuk do të mbretëronte harbutëria, por dija e urtia.
Legacia
e tij e vërtetë mjerisht sot në Kosovë përbën një pakicë në të gjitha
pikëpamjet dhe kjo dhemb shumë.
_______
Në
Kosovë po shtohen furishëm zërat e atyre që stimulojnë dashurinë për
udhëheqësin dhe kjo është një fatkeqësi kombëtare.
Për
mua, kjo dukuri është shumë më shqetësuese se të gjitha të këqijat tjera që e
kanë shoqëruar rriten e ngadalshme të shtetit tonë. Sepse unë besoj te fuqia që
ka gjuha për t' i formësuar të vërtetat dhe rrjedhimisht për t' i dhënë forcë
përparimit.
Gjuha
që stimulon dashurinë për udhëheqësin, e varfëron poltikën dhe nuk e ndihmon
progresin. Pra, dashuria për udhëheqësin shpëtimtar nuk i shërben emancipimit e
as përparimit politik.
Kjo
dukuri e stërkeq ligjërmin, mjedisin ku
jetojmë, gjuhën politike dhe i redukton idetë deri në hiçgjë, pra aq sa kap
litari i liderit.
Kosova
nuk ka nevojë për shpëtimtar, siç predikojnë turmat e përndezura politike.
Mësimi
historik është ky: secila aksh shoqërie që kërkon udhëheqësin shpëtimtar, pëson shumë keq. Kujtoni ideologjitë
shkatërrimtare të shekullit të kaluar.
________
Siç
do të thoshte i mençuri Vangjel Koça, siberia mendore na ka falë shumë kufoma
mendore.
Këto
kufoma i sheh kudo.
Të
shkretë në politikë, të shkretë në analiza, të shkretë në debate dhe të shkretë
në ide. Por ne vazhdojmë me kokën lart, si dhija e zgjebosur me bishtin
përpjetë.