Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Rugova hyri në politikë për t'i shërbyer kauzës fisnike për liri
E shtune, 30.01.2021, 09:11 PM
Ndue Ukaj:
Ibrahim
Rugova kurrë s'ka bërë demagogji me popullin e tij, por e ka dashtë, i ka folë
me sinqeritet dhe i ka shërbyer me dije, shumë dashuri dhe dinjitet të lartë.
Kjo është arsyeja pse shqiptarët e kanë ndjekë atë dhe rrugën e tij e jo të
atyre që kanë gjuajtë gurë e kanë tentuar të pështyjnë mbi të.
Rugova
s’hyri në politikë me ide dosido, për të rrëmbyer pak pushtet e për pak famë, e
as për hir të ideologjive proletare, por hyri në politikë me një ide të madhe
dhe me ideale të larta e shumë fisnike.
Dhe në çdo punë ishte i vërtetë e njerëzor: prej kohës kur filloi t’i
çirrte maskën hegjemonisë serbe si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të
Kosovës e deri kur dha shpirt.
Shqiptarët
janë mësuar me melodinë e keqe të atyre që turfullojnë kundër Rugovës, por
kurrë s' janë joshë nga zëra të përçartë e të këqij. Përkundrazi, shqiptarët
kurrë s’i kanë dëgjuar mësimet e këqija të kundërshtarëve të Rugovës e as të
dishepujve të tyre proletarë, që kanë dashur e duan t' i ndajnë shqiptarët edhe
njëherë nga demokracia dhe vlerat perëndimore në emër të disa dokrrave pa sens
politik e historik.
Shqiptarët
as sot s’do t’i gëlltisin broçkullat e përditësuara kundër Rugovës, sepse për
ta tashmë ato janë gulçima njohura dhe dihet se kanë për frymëzues e
sponzorizues do farë figura të degraduara në Kosovë.
Turfullimet
e fundit kundër Rugovës janë do gërvallje të shkreta dhe s’ka sesi të
mbijetojnë as tri ditë çudie, kurse vepra letrare, intelektuale dhe politike e
Ibrahim Rugovës, tashmë ka zënë vend ballor në panteonin e vlerave më të fisme
kombëtare.
Këto
sulme të pështira, mbase mund të jenë ngushëllim i vetëm i të mundurve në
raport me triumfuesin, ylli i të cilit shkëlqen përditë e më shumë në qiellin
shqiptar.
Dihet,
kundërshtarët marksisto-leninistë të Rugovës, dukë mos mundur t' i rrinin
përballë si politikanë e as si intelektualë, tentuan ta shpallnin armik. Sepse,
doktrina komuniste, për t'i justifikuar përrallisjet e veta, gjithmonë ka
kërkuar një armik të fortë, mbi bazë të cilit ka sajuar kauza publike dhe i ka fshehë
paudhësitë e veta.
Por,
përballë kësaj mendësi destruktive e të pafrytshme kombëtare, rri Rugova dhe
vepra e tij e frytshme politike dhe kulturore, si blatim i dashurisë së tij të
pafund për popullin dhe shtetin që e krijoi.
Rugova
sa ishte gjallë dhe aktiv, në kulturë dhe në politikë, ishte ana e kundërt e
batakçinjve: ai ishte tipiku i intelektualit të urtë perëndimor, që kujdeset
për popullin e tij, që ndërton dhe s’rrënon, që mëson dhe përvetëson dije, ndaj
edhe programi i tij kulturor, letrar e politik, ishte ndërtues dhe jo rrënues.
Kësisoj,
ai në hartën politike shqiptare është unik dhe i pashoq përreth.
Rugova
hyri në politikë si shkrimtar dhe intelektual i dëshmuar, me një formim
shpirtëror e intelektual të pasur, si dhe me një vepër të vlerësuar letrare dhe
diturore.
Dhe
politikës, s’ i mori asgjë, por i dha shumë dije, etikë dhe humanizëm.
Duke
refuzuar estetikisht, ai e estetizoi edhe politikën. U bë shumë dashur për
popullin e tij dhe u admirua nga të gjitha forcat përparimtare demokratike të perëndimit, në bashkëpunim me të të cilat e
çliroi dhe pavarësoi popullin e tij.
Pra,
Rugova s’hyri në politikë që të fitonte pushtet, famë, por për t'i shërbyer
kauzës fisnike për liri, pavarësi dhe demokraci. Sepse ai kishte ide të qartë,
që ta demokratizonte shoqërinë, prandaj gjithmonë u tregua i butë dhe i dashur
edhe me kundërshtarët e tij të ashpër.
Rugova
kishte një ideal të madh, që Kosovën, kryeqendrën e Dardanisë Antike, ta
largonte nga kthetrat e shtypjes dhe të robërisë shekullore dhe ta bënte vend
të lirë, demokratik dhe perëndimor. Dhe e dinte se kjo punë nuk mund të bëhej
pa dije, pa përkushtim, ndjenja altruiste dhe pa miq.
Prandaj
mësimet e tij janë të domosdoshme për Kosovën e sotme dhe të nesërme.