Kulturë
Albert Vataj: Migjeni, nji urdhnesë e shëlbyeme ndër shpirtna t’dlirë e vullnete t’epërme zotnimi
E merkure, 26.08.2020, 06:08 PM
SOT 82 VITE NGA VDEKJA E MIGJENIT
Tuberkulozi
e kishte përndjekur vite të gjata si një demon i pamëshirshëm
"shenjtorin" e poezisë shqipe. Por hapat e tij fundit nisën gushtin e
82 viteve më parë, hapa të cilët rendën gjëmimshëm në zbrazëtinë që do të
gërryente grahma e tij e mbrame.
Më
12 gusht 1938 Migjeni shtrohet në spitalin “Opsadale Valde”, Bari, Itali.
Tre
ditë më vonë, Migjeni i nënshtrohet një operacioni të rëndë, ku i hiqet një
pjesë e madhe e mushkërisë.
Në
15 gusht 1938 Migjeni bie në koma, për të mos u përmendur më. Gjendja e tij në
koma vazhdoi plot 11 ditë.
Më
26 gusht 1938 afër mesnatës zemra e Migjenit kishte ndaluar.
Fiket
për me mbet nji prej kushtrimeve ma t'zashme të kohës. Përmes penës së tij,
prej andjes dhe zemrës, kaq shumë të dhanun ligshtimit, ai skaliti me zjarm
rrufeje vargje dhe strofa, poezi dhe himne, t'cillat kan met urdhnuese e
kushtrus në vetëdijen e brezave. E kush erdhi këso jete e u mëkue prej kësaj
fryme të shenjtë, e nuk u ba një zelltar i përkushtuem i këtij shenjtori, këtij
besimi, kësaj force përtrimjet, këtij shkasi motivimesh t'epërme e ngulmesh
t'zjarmta.
Ai
iku për me mbet i gjall në përjetësinë e momenteve gjëmuese.
__________
Migjeni, nji urdhnesë e shëlbyeme ndër shpirtna t’dlirë e vullnete t’epërme zotnimi
Nga Albert Vataj
Asht
ai emër, ai za, ai kushtim që vjen dhe rivjen te sekush prej nesh, për të
dëshmu, për të kremtu, për të ysht e me zgju prej thellë, nër ne, vullnesën
njerëzore. Po atë forcë, të cilës i duhet dhan krahë sa herë që qiejt kërkojnë
fluturimin, i duhet dhan këmbë t’forta e kivet, sa her i duhet me mposht mitin
antik të Sizifit, i duhet dhan zemër e zjarr sa her koha prêt me padurim
ngulmin e asaj hazdisje.
E
qe besa i duhet dhanë tançka Migjeni i madhe dha në ato pak vite të zorshme
jetë, në atmot të hoveve të mëdha, ndryshimeve të potershme e shumëçkasë tjetër
që thepiste shtegun përnga kalonte kalvari i të përditshmes së asokohëshme e të
tashmes, domosdo.
Kurrkush
tjetër nuk ka mujt me mbetun në letërsinë shqipe i fuqishëm, vërshues,
kushtrues e panikndjellës si Migjeni, si vargu i tij, e shkulmi i tij i zashëm
i brendisë gufuese n’vedvedi.
Jo
të gjithë munden me mbet “përdhunshëm”,
siç ka mujt me met vetëm ai, në gjinin e visareve, e me u përkund në përjetësi,
si jeta prej nga ne marrim mëkimin e kungimit, nervin e vetëtimës, turrin e
stuhisë, thellësinë e të pambarimtes, e bekimin e Zotit, atij etern e atij
tokësor.
Megjithë
se regjimet nuk reshtën së anatemuari kryeveprën që skaliti me rrufe e zemëratë,
zanin buçitës të revoltës që mruni në britma dhe dhimba, ai asht si atmot e
tash, po kaq i magjishëm me vargun të farkëtuar në shpirtin e mraztë e trupin
delikat, në zemrën e Vezuvtë e shëndetin e stërkequn.
Çfarëdo
që është rrekun për me përplotësu mitiken e penës vetëtitëse të Migjenit, e
mangët metet, e paplotsume shkon rrëshqan, ndërsa vargu i tij tingllon si pslam
i një libri t’shenjtnum ndër jetë njerëzish, toksorësh t’dhanun me mish e me
shpirt dashnis e dijes, krenis e kumtimit. E pamujtin orvatet çdo ngut e ngulm,
për me e sos n’nji imazh apo n’nji përfytyrim, qi nuk len tjetërçka me hy n’te
si nji nevoj përsosjeje, ndërsa zani i zashëm i shpirtit të tij, gurrueshëm cyt
ndër t’hovshme ngulme për me mujt me zotnue t’tashmen e përgjithmonshme të të
drejtës së gjithkujt me ken dhe me u ndi Zot i fatit t’vet.
Britma
i atij zani dhe paqtia e asaj hukame qi përtrini jetën e fikun prej shtërzimit
e zorit, idhnimit dhe hekave, janë si nji predikim, si një udhëprimje e nji
dishtrimi t’hyjshëm qi nxinet për me premtue besim e me dëbu t’keqen, shpirtit
me i dhanë gajret, dritë me shpërthy ku terri s’ka mëshirë për kurrçka tue
përly, e mirësi me mëku ku skamja ngërthen thonjt n’kurme t’shterruna.
Migjeni,
ai shtat i drobitun prej s’munjet, ai shpirt i shterrun dihamsh e dhimbjesh qi
koha i’a mylmeu me trazim e pezëm, mujti me jetu njaq pak dhe diti me na dhan
njaq shumë, ndoshta gjithçka që kishte z’brendshmi, ndoshta tançka qi na e
meritonim.
Ai
erdhi si një misionar. Nuk pruni asnji dogmë me vedi. Nuk mëtoi asnji skizëm.
Nuk thirri në këndimin e vet gjëmues asnji forcë supreme. Krejt ç’ka përbani
kacafytjen prej ngadhnjyesi ishte njaq toksore, sa gjithçka tjetër qi erdhi e
xuni vend si kumtimet e një premtimi. Ju desht me ik, ndoshta përdhunshëm, por
pa i marrë me vedi në amshim kurrgja veç shtatin e shterrun ligshtimit e
eshtnat e grryeme prej kujës. Krejtçka tjetër qi u ngjiz, u rrit e u hyjnizue
me te, mujti me met nër ne, jo vetëm si nji amanet por edhe si një parathanje e
nji të tashme qi idhnushëm përsëritet e bahet nji e ardhme fatkeqe, n’se nuk ka
“nji grusht t’fuqishëm” qi nuk e godet.
Prej
penës së tij, prej andjes dhe zemrës, kaq shumë të dhanun ligshtimit, ai
skaliti me zjarm rrufeje vargje dhe strofa, poezi dhe himne, t’cillat kan met
urdhnuese e kushtrus në vetëdijen e brezave. E kush erdhi këso jete e u mëkue
prej kësaj fryme të shenjtë, e nuk u ba një zelltar i përkushtuem i këtij
shenjtori, këtij besimi, kësaj force përtrimjet, këtij shkasi motivimesh
t’epërme e ngulmesh t’zjarmta.
Historia,
e bashkë me të, kujtesa jonë kolektive, pak e sëmbueme prej pushtetesh e
poshtnimit, dogmash e demagogjishë, dhanun babzish e shterrimit, skllavnumun
harbimit e hazdisë, ka dëshmu, noshta edhe me përdhuni, se kush duhet me met,
edhe jo vetëm me met, por me e pa ndërsa rrin e rritet përplot hir dhe
madhështi në panteonin e vlerave dhe kumteve. Për me e pa e çmue si një
dishepull të një urdhnese t’shëlbyeme ndër shpirtna t’dlirë. Ajo vepër, ai za
gjimues, metet ndër dëshirime t’tona, ndër njata vullnesat tona, t’njituna njaq
nalt sa me e ndi dorën e plotkivetshme e hirin e shenjtnum thirrun prej tharmit
të tokës e qiellit. Vitet deng me vërshim, e kanda jonë, punon me themel, duke
ken e pamëshirshme dhe ngulmuese. Përmes lojës së saj të evoluimit, historia,
në dukje-absurde e paradoksale, e ka ba dhe e ban masmiri të sajen, duke gozhdu
në panoramën e habisë, brezat që vijnë, me rreptësinë seleksionuese të shoshës
së saj. E si për me dash me sfidu garrametjet e kacarritjet e përbaltjeve, në
fundin e mbram ajo e vendos në vendin e vet, kungimin e forcës për të jetu
njeriun brenda nesh, tan brezat e tana kohnave, përkundër soj-soj sunduesish e
tiranish.
Koha
asht gjykatësja ma e rreptë dhe njikohësisht ma e pamëshirshme, ajo përmbys
figura të ngritura përdhunshëm në piedestal, shpërndan shkëlqime breroresh të
rreme edhe kur balsamosen për t’u ruajtur përjetësisht në gjirin e saj, ajo i
flak tej si byk i kalbun dhe i braktis përfundimisht tue i gjujt me ngulmin e
zemëratës në zgafellat e terrta të harresës.
Kanda
dhe vlera, amshti i përjetësisë e forca e ngulmimit në çdo zemër e nji bukurie
të ashpër por kumtuese, nga qielli na bien në prehër edhe pas ma shum se nji
shekulli. Asht ai emën, ai za, ai kushtim që vijnë e rivijnë te sekush prej
nesh, për të dëshmu, për të kremtu, për të ysht e me zgju prej thellë, nër ne,
vullnesën njerëzore. Po atë forcë, të cilës i duhet dhan krahë sa herë që qiejt
kërkojnë fluturim e zapti, i duhet dhan këmbë t’forta e kivet, sa her i duhet
me mposht mitin antik të Sizifit, i duhet dhan zemër e zjarm sa her koha prêt
me padurim ngulmin e asaj hazdisje me e rrok.
E
qe besa i duhet dhanë tançka Migjenit të madh, por përmbi krejt i duhet lshu
rrah e krah nji qiell qi mundet me e xan britmën e dhimbës e kushtrimit, njat
ngulm qi ka met atëditë e sod si nji nevojë çlirimi.
Migjeni
ishte dhe ka mujt me met atëditë e sod, njaj qi sekush din me e lexu e me e
kuptu, jo tjetërqysh. Anipse ka kalue ma shumë se nji shekull qysh prej kur
shkrepi kjo rrufe shgjetare ndër qiejt e mrrylun të të atëhershmes, zani që
plazmoi në eter si një kushtrim kumbon papra edhe tash. Jo të gjithë munden me
mbet “përdhunshëm”, siç ka mujt me met vetëm ai, në gjinin e visareve, e me u
përkund në përjetësi, si jeta prej nga ne marrim mëkimin e kungimit, nervin e
vetëtimës, turrin e stuhisë, thellësinë e të pambarimtes, e bekimin e ten’Zot,
t’gjithëfuqishmit, atij etern e atij tokësor. Kurrkush tjetër nuk ka mujt me
mbetun në letërsinë shqipe i fuqishëm, vërshues, kushtrues e panikndjellës,
shkundullitës, si Migjeni, si vargu i tij, e shkulmi i zashëm i brendisë së nji
shtati t’lënguem prej smundjes e thelbit të nji shpirti t’krisun prej idhnimit.
Megjithë
se regjimet nuk reshtën së anatemumii kryeveprën e tij, zanin buçitës i këtij
krahnori t’gufum prej revoltës, si atmot e tash, ka diçka me than, ka nji za me
lshu ndër kohna t’zatetuna përnën thundrën e nënshtrimit, ka nji dhimb me
kumtue ndër vullnete t’ndryshuna. Ai asht krejtkund ti mundesh me lshue
shikimin, gjithkah ku hapi jot çapit n’trotuare t’lvorume ku nji dor e
përvujshem shtrihet me lyp, por qi nep tançka ka n’vedi, nep kreninë, shet
erzin, e qe besa thonjt në fyt i’a ngul t’tashmes që hiqet zvarrë si një agoni
q’i s’ka vorr qi e xen.
Migjeni
ishte dhe mbeti një nga kolonat vertebrale të letërsisë së viteve ’30, një nga
shpërthimet më të befasishme të kohës, një nga tundimet më zemëratëse të forcës
për të ngritur krye, për me kërku ndër ne një grusht t’paligjshëm për me i ra
n’zemër malit që s’bzan. Migjeni ishte
shkrimtari më modern i viteve 30 dhe një lajmës i të kenit i gjithmonshëm, sa
kushtrues aq edhe i dhimbshëm, sa i lëndum aq dhe kurajshëm. Plagë ishte dhe
meti në kurmin e drobitun hekash e në shtatin çjerrun përpjekjesh. Ai si
kurrkush tjetër, gjithë landën jetësore që barti i’a nënshtroi një këndi me të
pamëdyshtë të ri shikimi, atij ekzistencial, të njëmëndtë. Fati i njeriut në
botë, lumnia e fatkobi i tij, kjo ishte tematika zotëruese në krijimtarinë e
Migjenit, kjo ishte hea e breznive, kafshata e idhët e mrumun me lot e gjak.
Larg çdo dogmatizmi e sentimentalizmi, Migjeni nuk e shihte njeriun as si qenie
me përsosmëri ideale, hyjnore, por as si zvarranik, të cilin munet me e shkel
çdo këmbë.