E merkure, 09.10.2024, 07:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Bardhyl Maliqi: Risitë artistike të gazetarit Koço Kosta

E diele, 23.08.2020, 12:28 PM


PROBLEMATIKA DHE RISITË ARTISTIKE TË GAZETARIT KOÇO FILIP KOSTA SI SHKRIMTAR

Nga Dr. Bardhyl Maliqi

Këto ditë përfundova së lexuari dy libra të mikut tim Koço Kosta. I them mik, jo për të kompromentuar shënimet e mia për librat, siç bëhet zakonisht, por se miqësia ka qënë një realitet ndër vite. E njoha mirë së pari në një takim me rrethet letrare të universiteteve në Elbasan, kur ishim ende studentë. Ne vinim nga Tirana dhe nga Shkodra si bujtës në Elbasan, pasi aty punonte Profesor Qamil Buxheli dhe takimi kishte ndër të tjera në fokus edhe trajtimin e temave të pamfleteve, fejtoneve dhe skicave humoristike. Dhe dihet se Qamili për këto ishte mjeshtër. Takim tjetër i bukur ka qenë në një përvjetor të rëndësishëm me redaktorët dhe korespodentët e gazetës lokale “Fitorja”, në mos gaboj në 10 vjetori i saj. Më pas rasti e solli të vija edhe unë me punë të përhershme në Sarandë, pas gati një dekade mësues fshatrave.

Në Sarandë, që nga viti 1984, koha kur u specializova për psikologji,  vija të shtunën mbasdite dhe ikja të hënën në mëngjes për kualifikimin e arsimtarëve, e them këtë se sot nuk do të pranonte kush të punonte arsimtar fshatrave në rrugë tre orë vajtje e tre orë ardhje, që duhej bërë me këmbë maleve dhe gërxheve dhe as të punonte tre seanca 5 orëshe vullnetar për të kualifikuar arsimtarët e rrethit. Përfitoja vetëm lekët e biletave të autobuzëve Konispol-Sarandë. Kur erdha me punë të përhershme në qendrën e rrethit, sërish rastisi të punoja në një zyrë me Koçon dhe njeriu  i parë që më ftoi një mbremje në shtëpi ishte pikërisht ai. Koçua e dinte që rrija te motra,  por pa hezitim më tha bujarisht, do vish tek unë dhe s’e luan topi. “Të tjerët”, përfshi edhe bashkëvendasit e mi heshtën. Mirpo heshtja vret njësoj si fjala. E fjala më keq se plumbi. Me Koçon punoja në një zyrë duke mbuluar problemet e arsimit e të kulturës. Atëherë e njoha më mirë. Koçua mirësinë nuk e kishte artificë, por përmasë shpirtërore që ia detyronte ndërgjegja dhe jo interesi. Natyrën e shkrimeve të tij e prisja, por biografinë e tij dhe familjes së tij prindërore jo. Atë e njoha kryesisht prej librit “Mall për ty, baba!”,një biografi e letrarizuar për babanë e tij Filip Kostën, mësuesin e parë të Metoqit, emrin e të cilit mban sot shkolla e fshatit.

Ndër librat e Koços, së pari duhet të përmend biografinë e letrarizuar për babanë, thelbi i së cilës ravijësohet që në titull “Mall për ty, baba!”. Vepër që fare mirë mund të lexohet edhe si një roman. Po pse e quaj Biografi të letrarizuar veprën e tij? Sepse dihet, por jo nga të gjithë, që biografitë ndahen në tre lloje brenda të njejtit zhanër:

Autobiografia, që mbështetet kryesisht në mbresat dhe në kujtimet, por edhe në dokumenta personale të vetë autorit,

Biografia, e shkruar nga një historian apo mësues, ku përfshihen me përparësi burimet arkivore, por edhe kujtime të bashkëkohësve,

Biografia artistike, që është një lloj i veçantë I zhanrit të biografive, ku hyn edhe vepra “Mall për ty, baba!”e autorit sarandiot Koço Filip Kosta. Ndaj kur flasim për këtë libër, natyrisht ai ka veçori dhe orgjinalitet, por nuk paraqet ndonjë zbulim apo shpikje, siç thotë ndokush. Ka risi, madje mjaft të bukura, por ato janë të përfshira artistiisht, në strukturë dhe në përmbajtje brenda librit.

Një çështje më vete të këtij shkrimi e përbën zakoni i keq i shkurtimit të emrave ndër ne, trajtat e përçudnuara, gjoja perkëdhelëse, bëhen shpesh shkak ngatërresash me shkollën, gjendjen civile apo dokumentacionin ligjor. Unë kam shok dhe një “koço” tjetër, edhe ai shkrimtar, që në rrugë i flasin Koço, në shtëpi Dino, në punë Kosta, por në titujt e librave quhet Kostandin. Ka autorë që këtë problem e zgjidhin përmes atësisë. Janë të rrallë? Po janë të rrallë autorët, që përfshijnë emrin e babait në autorësinë e veprës, ajo mund të bëhet në shenjë respekti, por edhe për shkak të indetifikimit të saktë të autorit. Në rastin e Koço Filip Kostës janë të dyja. Kjo pasi ka një tregimtar e novelist të njohur nga Gjirokastra me emrin Koço Kosta. Por për gazetarin tonë Koço Kosta ky ishte prezantimi i parë publik si shkrimtar. Kjo sepse në librin e tij të dytë me tregime “Borziloku që than lotin”, ai autorësinë e vendos thjesht Koço Kosta pa asnjë kompleks apo ndjesi inferioriteti se paska edhe një autor tjetër me po këtë emër!

Vendosa të shkruaj edhe për arsye se unë gjej pikëtakime me jetën e familjes sime, të miat dhe të prindërve të mi me librin e Koços,  kjo pasi unë të dy prindërit i kam pasur mësues. Im atë ishte mësues për nga profesioni bazë, paçka se më pas u mor me problemet e kulturës apo të pushtetit. Kur ai ishte mësues unë isha fëmijë i vogël, ndaj s’kam çka të them, por kur u prezantova për herë të parë me Lumturi Plakun, shkrimtare konispolate, me babain të pushkatuar, (sot Lumja është me banim në Itali), ajo u befasua dhe më tha “A e di ti, se unë kam pasur mësues në klasën e parë babanë tënd, Ali Maliqin, një burrë i gjatë, trup fidan, shumë i paraqitshëm dhe elokuent në të folur!  Ai është interesuar për ne edhe kur ishim në internim, është takuar me vëllanë dhe kemi shumë respekt për të. Kjo u bë shkas që redaktova librin për babanë e Lumes dhe një vëllim të saj  me poezi. Vepra për babanë më tronditi, pasi regjimi e pushkatoi pa gjyq dhe ende nuk  i është gjetur varri. Kjo mbase ka qenë edhe arsyeja pse ky libër  i përkthyer në italisht pati mjaft jehonë dhe vlerësime. Më habiti qëndrimi i shtëpisë botuese, që hoqi titullin origjinal dhe vendosi një tjetër dhe shkurtoi dhe tjetërsoi parathënien. Por kështu ndodh tek ne me antikomunistët e sforcuar, me pseftët e shtëpive botuese. Por le të kthehemi në temën e shkrimit.

Mua personalisht, në figurën e mësuesit Filip Kosta, më duket sikur shoh prindërit e mi, veçanërisht babanë. Por kjo nuk është arsyeja kryesore pse më pëlqen puna artistike e Koços. Jo, është pikërisht njerëzorja në figurën e mësuesit Filip Kosta, që përkon me njerëzoren në figurën e prindërve të mi të dy mësues për nga profesioni bazë. Prindërit tanë kishin një njohje të mirë të pedagogjisë dhe psikologjisë. Im atë dinte fragmente të tëra gati përmendësh të poemës pedagogjike të Makarenkos, gjë e rrallë kjo, për një mësues të thjesht fshati. Në librin e Kostës evidentohet rëndësia e pedagogjisë në mësimdhënien me nxënësit e shkollës fillore me të cilët punonte i ati, Filip Kosta, por edhe e psikologjisë në punën me adoleshentët. Kjo duket edhe në udhëzimet që i jep direkt të birit, pra Koços, ditën e tij të parë të punës si mësues. Duke përcjellë tek ai përmes riprodhimit të gjallë dhe shfletimit të kujtesës të ditën së parë të punës së atij vetë si mësues i shkollës fillore në Metoq. Koçua e vuri në vend emrin e babit dhe ëndrrën e tij për t’u bërë mësues ashtu si edhe unë dhe motra ime e vogël, që zevendësuam në mësuesi prindërit tanë të nderuar.

Pushimi i Filip Kostës nga puna përkon me pushimin e nënës sime, mësuesja e parë femër e Konispolit. Ajo u detyrua të punonte në tregëti, si Filipi në rruga-ura, pasi edhe ne ishim një familje e madhe, që duhej ushqyer dhe paga e vogël e tim eti ishte krejt e pamjaftueshme. Nëna  e plotësoi arsimimin padagogjik gjatë viteve, kur unë isha nxënës në shkollës e mesme të gjuhëve të huaja në Tiranë në vitet 1970-1974. Edhe unë dhe Koço Kosta kemi qenë bashkëstudentë të gjuhë letërsisë, por në institucione të ndryshme arsimore.

Ajo që unë do ta quaja risi të kësaj vepre të Koço Kostës është strukturimi i kapitujve të shkurtër dhe përfundimin e secilit me emrin “baba” si një të veçantë për këta lloj librash, sepse nuk ndeshet zakonisht, ndaj kërkon dhe një teknikë të veçantë shkrimore. Do të thosha se në këtë kuptim libri është tërësisht i harmonizuar. Por unë të isha në vend të Koços dy kapituj do t’i hiqja pa mëdyshje.“Kakavijë...Kakavijë!”- kapitullin për ndodhitë në kufirin me Greqinë, pasi aty hasim në poshtërimin që i bëhet kombit tonë. Ne ishim të rreptë me grekët, por jo më kot. Ata morën me gjakderdhje dhe me makinacione gjithë Sulin, Artën, Janinën, Prevezën, Paramithinë, Pargën, Filatin dhe Epirin, pra Çamërinë tonë, Koskën e Muharrem Rushitit nga ishte gjyshi dhe Lopsin, fshatin ku kishte lindur gjyshja ime. Pse për të vlerësuar sheqerkat e ushtarëve grekë kemi mbetur ne? I pamë “sheqerkat” kur bënë agresionin ushtarak kundër Shqipërisë në  Gusht të 1948-tës, apo kur sollën ushtrinë në kufirin shhqiptar  gati për të sulmuar sërish, kur organizuan vrasjet në Peshkëpi apo therën e asgjesuan mijra shqiptarë të pafajshëm në ngjarjet e viteve  ‘90 – 97. Këto duhet t’i mendonte Koçua kur  e përmbyll kështu veprën e tij vërtet të bukur, por jo pa probleme. Por këto duhet të mendonte, edhe kur shkroi tregimin e gjatë për vrasjen e 4 aliqotëve në kufij, ku ka edhe mjaft të pavërteta. Se cilët ishin grekët ne e pamë edhe në vitet pas 90-tës. sa mijra shqiptarë u vranë u torturuan, zhburrëruan dhe çnderuan. Shokët e Koços mbase nuk pësuan asgjë, sepse ato kishin edhe emrin dhe kartën e ortodoksisë dhe të minoritetit, gjetën dhe punë të përshtatshme dhe nuk u ra bretku si vëllezërve tanë. Pse? Sepse ata ishin shqiptarë myslimanë apo thjesht shqiptarë.

Por e vërteta nuk ka kurrë vetëm njerën anë. Dhe për hir të së vërtetës duhet thënë se këto janë vetëm politikat konservatore të qarqeve politike greke, por shumica e grekërve, veçanërisht populli dhe intelektualët e vërtetë nuk janë teneqe të ndryshkura. Këtë e dimë të gjithë, e kemi provuar edhe vetë, jo një por njëqind herë. Kam njohur qindra njerëz paqësorë në Greqi, njerëz vizionarë, pa komplekset e superioritetit apo nacionalizmit. Më kanë ftuar në konfernca, në manifestime letrare ashtu siç i kam ftuar disa herë edhe unë. Kjo klimë  mirëdashje e popullit grek ndihet edhe në librin me tregime të Koços dhe jo thjesht në sipërfaqe, por në thellësinë e tij. Edhe kapitulli ku shkolla fillore e Metoqit merr emrin “Filip Kosta” mund të ishte shmanguar, ose ulur nga pesha e pompozitetit. Por ky kapitull në një farë mënyre edhe justifikohet. Kjo pasi vlerësimi dhe rivlerësimi i figurave, që kanë bërë histori, justifikohet, se kjo është rruga nga kanë shkuar të parët tanë. Paçka se shkolla e Metoqit sot ka fare pak nxënës, për shkak të migrimeve dhe të emigrimeve, fenomen që ka ndodhur në gjithë zonat rurale, jo vetëm në Metoq dhe jo vetëm në Shqipëri, por po thuaj në gjithë ish vendet komuniste të Europës.

E megjithë vërejtjet e mia dashamirëse unë mund të them vetëm kaq. Ky libër është një model i bukur i biografisë së letrarizuar, i birit për babanë e vet, që do të nderonte cilindo krijues. Kur isha në prezantimin e librit tim “Perandoria e zogjve” poema ime për babanë u vlerësua shumë, po ashtu si u vlerësua edhe në të gjitha kryeytetet ballkanike, ku është prezantuar ky libër. Arsyeja ishte se të shkruash për nënat është një shprehi e përbotshme, por të shkruash për babanë është mjaft e rrallë dhe të shkruash bukur edhe më e rrallë. Dhe libri i Koços “Mall për ty, baba!” hyn pikërisht në këtë grupim të vogël. Dhe ja pse?

Në orët e teorisë së letërsisë në universitet, pedagogu na theksionte disa mënyra të sukseshme të lidhjes së paragrafëve, pjesëve apo kapitujve të një teksti për të siguruar rrjedhshmëtinë, tërësinë dhe harmoninë e tij. Një nga këto çelsa është përsëritja apo kapja pas një fjale në fiund të paragrafit apo të kapitullit të parë, që të siguronte unitetin tekstual. E pra, në këtë libër fjala çelës është fjala “Baba!”. Sikur vetëm këto fjali, ku janë çelsat në fund të kapitujve të lexosh, e merr kuptimin e tekstit si tërësi. Kjo në letërsi quhet lexim diagonal. Shikoni sa bukur ata harmonizohen me njeri-tjetrin: -Na qoftë udhëtim e bisedë e mbarë, Baba!-Si thua ti Baba?-Na dëshiroje, e ne u bëmë siç dëshiroje ti, Baba!Ne të jemi sa mirënjohës  sa dhe krenarë, Baba! Etj.Ky lloj leximi bëhet ose për t’i hedhur një sy tekstit, ose si lexim përsëritës dhe është mjaft funksional.

Një element i dytë, mbase më i rëndësishmi është teknika e njohur e vënies së një personazhi kyç në plan të parë, në këtë rast, i babait të Koços, Filip Kostës. Ndërsa personazhet e tjerë janë dytësorë në raport me të. Por merita e autorit është se ndriçimi i figurës së tij është bërë jo vetëm prej fjalës dhe veprimeve të Babit, por edhe personazheve të tjerë, në këtë rast dytësorë, bile edhe kundërshtarët, që njerëzit i njohin nga binishi. Besoj ju kujtohet anekdoda “Ha binish mish!” Ata të binishit ishin “zotërinjtë” pushtetarë, që pushuan nga puna si arsimtarë Filipin dhe nënën time. Por si e realizon Koçua këtë teknikë portretizimi të babait, prej atij vetë dhe prej të tjerëve. Koçua vë në përdorim të gjitha shqisat e babait, të gjitha veprimet apo sjelljet e tij, Mënyra si hante, si e pinte rakinë apo kafen, si kullandriste familjen e tij të madhe me një rogë të vogël prej mësuesi fillorje. Megjithë përkushtimin dhe heroizmin e vërtetë të tij dhe të nënës së fëmijëve të tij, gruas së zgjedhur si me dorë, Izminit, të lindësh dhe të rritësh 8 fëmijë, miqtë e mi, është heroizëm e kushtuar Heroizmit. Kjo bëhet edhe me ndershmëri maksimale. Më kujtohet një detaj sjellor. Njerëzit që donin të merrnin borxh diku, vinin si garant Filip Kostën, atë e njihnin dhe e respektonin të gjithë. Dhe borxhi me garant Filip Kostën duhej shlyer me çdo kusht dhe këtë e dinin të gjitha palët, edhe të varfrit edhe të pasurit. Ata besonin te  Mësues Filipi, se ai u mësonte fëmijët me ndershmëri, pavarësisht se cilët qenë prindërit e tyre. Këtë e them se në psudosocializmin e djeshëm dhe në palokapitalizmin e sotëm, vetëm ndershmëri gjen  me pakicë. Pandershmëri po, ka sa të duash në magazinat me shumicë të partive dhe të pushteteve qëndrore dhe lokale, të parlamentit dhe të presidencës te ministrat me kullaro dhe “ministreshat me minifunde”.

Një veçori tjetër e këtij libri janë kapitujt e shkurtër, por të shumtë, mbi 50 gjithsej. Kjo quhet teknika e fokusimit. Një kapitull është fokusuar vetëm në një problem qëndror, çështje, sjellje apo rrëfim ngjarjeje. Kjo nuk lejon shkapërderdhje të materialit dhe sensin e vazhdimësisë brenda llojit. Është zgjidhja më e mirë e mundshme, që lejon edhe mbajtjen mend, pasi  janë hallkat, që krijojnë tërësinë. Kur këputet një hallkë këputet tërësia ndaj ato lidhen mirë, siç thamë më lart kur përshkruam fjalën çelës “Baba!” Për shembull. Filipi e pinte një komb raki, por kurrë gjatë kohës së punës, pra këtij njeriu nuk munt t’i thuash pijanec. Të pish një teke raki, në shtëpi apo në lagje, vetëm apo me shokë është kënaqësi, pasi kur pi vetëm, mediton dhe njeriun e kthjellon dhe e përqëndron meditimi, kur e pi me shokë shkëmben ide, rrëfime, opinione të ndryshme. Unë nuk habitem fare, kur ndonjë ide që kam shpalosur në tavolinë, gjatë kafes së mëngjesit,  të nesërmen e kam gjetur në ndonjë shkrim të shokëve të mi ose e kam pasqyruar në punën time krijuese.

Ju fola pak më lart për teknikën e fokusimit. Në librin me tregime të po këtij autori “Borziloku që than lotin”kemi gjithësej 18 tregime në 275 faqe, e pra libri për babnë ka 191 faqe, por 51 kapituj. Pse ndodh kjo? E para se kjo vepër si biografi e letrarizuar ka strukturë romanore, me një personazh qëndror. Kjo i siguron vazhdimësinë e rrëfimit pa u hallakatur nëpër labirinthet e 18 subjekteve të librit me tregime, ku ndryshojë veç subjektit, edhe të gjitha hallkat e tjera të tij, dhe veç personazheve kryesore edhe personazhet dytësore, preferancat, idetë, mesazhet dhe detajet me të cilat realizohen ato. Arsyeja e dytë është se te biografia artistike për babanë autori nuk ka mëdyshje, ai është i gdhendur në kujtesën pamore dhe dëgjimore, afatshkurtër dhe afatgjatë, bile edhe në kujtesën emocionale ka përparësi të dushme. Në tregimet me subjekte krejt të veçanta kjo është e vështirë të realizohet, se autori nuk bëhet dot 18 copash. Arsyeja e tretë është arsenali i mjeteve shprehëse. Nëse te Babai kemi një minierë nga ku autori, në këtë rast i biri i Filipit, Koçua i nxjerr mineralet e çmuara, te libri tjetër ku kemi të bëjmë me 18 tregime të veçanta atij i duhen 18 miniera për të nxjerrë metalet e duhuara dhe kjo është e vështirë. E vetmja hallkë lidhëse e të dy librave është tufa e borzilokut dhe figura e nënës, Izminit të cilës i përkushtohet libri. Por unë do të doja që ajo të zinte më shumë vend në këtë libër. Më bëri përkushtimi i thukët i Koços në  tre aspekte: Izmini lindi dhe rriti 8 fëmijë, Izmini vdiq në moshën kur të tjerat sot bëhen nuse, Izminit iu bënë fëmijët sç i deshi vet, sedra dhe krenaria e saj.

Por tregimi që mua më bën më tepër përshtypje është “Varrmihësi”. Pse? Sepse megjithëse me mua Koçoa njihet mirë, këtë temë nuk e kemi biseduar kurrë. E megjithatë gama e problemeve që ai ngre në prozën e shkurtër, është po ajo që unë ngre me ciklin poetik me të cilin mora pjesë në Maratonën Poetike të Sarajevës dhe ku u nderova me çmim. Po mirë me mua, po me Albina Idrizin dhe Mexhid Mehmetin, me të cilën autori nuk ka asnjë lloj njohje apo lidhje si mundet që tregimi i tij të ketë me dhjetra përbashkësi të çuditshme, si: figura e varrmihësit, një varfanjak dhe skamnor që s’ka ku ta zerë as qeni, njëh ditë të vdekurit e bëjnë pasanik, pasi tani shiten vendet e varreve, këmbehen apo me to bëhen biznese fitimprurëse. Unë them se këto tema ua ofroi realitet shqiptar e kosovar autorëve tanë, që goditën me talente të spikatura, pasi këto vepra: “Stinë krizantemash”, “Përsëri mars”, “Shtatë ditë pas vdekjes” dhe “Varrmihësi” ndryshojnë krejtësisht nga njera-tjetra, megjithë përbashkësitë e larpërmendura.

Ka dhjetra tablo, personazhe, hollësi artistike dhe përcjellje emocionale që e tregojnë se me gjithë ndonjë vërejtje timen Koçua është treguar i balancuar dhe vizionar. Unë evidentova më lart politikat ekstremiste greke, por do të thosha sinqerisht që autori ka pasqyruar bukur edhe dashamirësinë e popullit ndaj emigrantëve, që nga punëdhëësit grekë, deri te njerëzit e thjeshtë. Mjafton të kujtojmë tregimin ku djemtë emograntë shkuan për t’i dhurauar gjak shokut të tyre të plagosur gjatë përpjekjes për t’i shpëtuar jetën adoleshentit grek dhe mirënjohja e prindërve të tij, ashtu si edhe mirënjohja e plakut grek që e shoqëronte koketa, thjesht për t’i marrë paratë.

Por mbase një nga tregimet më të bukura mbetet “Fytyra e dashurisë”, ku manifestohet solidariteti i emigrantëve shqiptarë me ata rumunë e bullgarë. Në ditë të mira e të këqia ata janë bashkë, punojnë, përpiqen e ëndërrojnë njësoj. Këtë e kam provuar edhe vetë gjatë verërave që kam qenë në emigracion....



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora