Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Maksi shkau
E merkure, 19.08.2020, 10:16 AM
Maksi shkau
Nga
Edison Ypi
"Shkarje
në kulturë", "shkarje në art", "shkarje në ekonomi",
"shkarje në mbrojtje", "shkarje nga vija", "shkarje
nga parimet", "shkarje nga morali", shkau ky, shkau ai, shkau njëri,
shkau tjetri.
Diktatura
shihte gjithandej shkarje dhe friksohej se shkarje pas shkarje shkarjet
bëheshin ortek dhe rrezikonin fatet e vendit, fitoret e revolucionit. Prandaj,
që puntori të punonte, ushtari të vigjëlonte, fshatari të buzëqeshte, traktori
të buçiste, populli të duartrokiste, drapëri të korrte, çekani të godiste, pas
çdo shkarje mbushte burgjet.
Një
nga më të mëdhatë, më të famshmet e më të bujshme "shkarje" ishte një
pallat i çuditshëm në qëndër të Tiranës.
Shkarjen
arkitektonike kubiste që thyente monotoninë e skëterrshme ndërtimore, e kishte
projektuar arkitekti Maks Velo.
Ishullarët
klithnin me njëritjetrin shkarje me tu ngjeth mishi. Por shkarjet e tyre ishin
shkarje që aty shkisnin aty vdisnin.
Shkarja
e Maksit nuk ishte fluide. Shkarja e Maksit ishte e ngurtë.
Shkarja
arkitektonike e Maksit, të cilën sado gjatë ta kqyrje nuk mund ti konstatoje
asnjë simetri, asnjë ngjajshmëri, ishte e hatashme. Të gjithë i mahniste. Të
gjithë i zbaviste. Të gjithëve u pëlqente.
Sot
e kësaj dite shkarja arkitektonike e Maks Velos në Rrugën e Dibrës është
shkarja më e shkarë në tërë Historinë e Shqipërisë së shkarë dhe të pa shkarë.
Si
ja arriti Maksi ta realizonte atë shkarje në ato kushte të skëterrshme ? është
nga ato mistere që shkarësit e mëdhenj si Maksi nuk i tregojnë, i marrin me
vete.
Brenda
uniformitetit lemeritës të gjithçkaje, shkarja e Maks Velos ishte më magjepsëse
se ekzistenca, më sugjestive se Natyra, më misterioze se Vdekja.
Pse
nuk e shembin shkarjen e Maksit ?!
Përgjigja
e turbullt vinte me zë të mbytur nga fundi i Ferrit; Mund ta shembim llaç e
tulla. Por nuk mund të shembim shkarjen e brendëshme të Maksit. S'jemi aq
budallenj. Kaq gjë e dimë. Le të rrijë shkarja e një të shkari. Në atë rrugë të
ngushtë, ajo shkarje borgjeze mund të shihet vetëm po të ngresh kryet përpjetë.
Shqiptarët janë kryelartë nëpër lahuta, çiftelia, epe, balada, libra, filma, jo
në rrugë, jo në jetë. E ka thënë armiku Kadare, "mbi supë nuk mund të
shihen yjet". Shqiptarët që i mbajnë sytë mbi tasin e supës, shkarjen e
Maksit nuk mund ta shohin. Le ta bëjnë pijanecat shurrën mbrapa shkarjes së
Maksit ku banon borgjezi Kadare. Aq më mirë për marksizëm leninizmin dhe
diktaturën e proletariatit. Por shkarjen të mos e shembim, dhe të shkarin e
shkarjes ta lemë të livadhisë për të bërë të tjera shkarje, kjo është e tepërt,
këtë s'mund ta lejojmë. Maksit i vemë pas ca spiuna dhe e burgosim.
Mes
rënkimeve të të gjithëve, si dhe për shkak të fohtësisë proverbiale të
shqiptarëve ndaj më të mirëve të vet, burgosja e Maksit nuk bëri fort
përshtypje.
Shkarja
e Maksit, shumë më e madhe se vetë Maksi, u shoqërua me pëshpërima të frikshme
dhe solemne si muzikë funebre. Për shkarjen e Maksit pëshpërimat thoshin;
Shkarjet e modernistit surrealist Maks janë inxhinieri letrare. Shkarjet e
realistit kozmik Kadare janë letërsi inxhinierike. "Pallati i Kubeve"
dhe "Pallati i Ëndërrave" lidhen me llagëme të nëndheshme.
Revizionisti Kadare brenda "Pallatit të Kubeve" të Maksit, dhe i
shkari Maks brenda "Pallatit të Ëndërrave" të dekadentit Kadare,
përbëjnë një simbiozë ekzistenciale që po të kqyret me kujdes në formë dhe
përmbajtje dhe po të vlerësohet si duhet nga pikëpamja ideore, mund të nxirren
konkluzione që duhen shqyrtuar në në plenumin e ardhshëm ku do merren mendime
dhe do jepen dënime...mjaft se më çmende.
Pa
absolutisht asgjë meskine, mediokre, autoreferenciale, shkarja arkitektonike e
Rrugës së Dibrës dhe të tjera shkarje, do mbeten dëshmi madhore të sakrificës
sublime të Maks Velos që bëri sa mundi për të mos e lënë Shqipërinë të
ngordhte.
Me
shkarjen që e përgjaku por nuk e vrau, Maks Velo u tregoi të dobtëve,
frikacakëve, llafazanëve, se me bishën edhe mund të luftohej, edhe mund të
fitohej, bisha nuk ishte e pamposhtur, nuk ishte e pavdekshme. I pamposhtur dhe
i pavdekshëm ishte dhe është Maks Velo dhe Shkarja e Tij madhështore.